Kërko

Vatican News
Libri shenjt i Karakoshit Libri shenjt i Karakoshit  (ANSA)

Libri i lashtë “refugjat” rikthehet në atdhe

Sidra, Libri i Shenjtë i Karakoshit, i shpëtuar nga furia ikonathyerse e Isis, i restauruar në Itali, rikthehet në qytetin shenjt për të krishterët irakianë, së bashku me Papën.

R. SH. - Vatikan

Sot, me rastin e takimit të lutjes në Kishën siriako-kristiane të Zojës së Papërlyer, Ati i Shenjtë i dorëzoi ipeshkvit Yoahanna Butros Mouché, Sidrën, Librin e Shenjtë të liturgjisë të shekujve XIV-XV- në gjuhën aramajke. Dorëshkrimi, shkruar me shkronja siriake, është përmbledhje e lutjeve liturgjike të kohës ndërmjet Pashkëve e Shëna Krygjës. Shpëtoi mrekullisht nga furia ikonathyerse antikristiane e Isisit që,  duke nisur nga viti 2014 e deri në mars të vitit 2017, pushtoi e rrënoi këto troje, falë mençurisë së meshtarëve që, pak më përpara ikjes nga qyteti, e murosën nën shkallë, së bashku me disa vëllime tejet të lashta. Si u lirua Karakoshi, librat e çmuar, ndërmjet të cilëve edhe Sidra, u mbartën për ca kohë në një depo të Erbilit, gjithnjë nën kujdesin e meshtarëve.

Sidra, Libri i Shenjtë i Karakoshit, në Irak

Libri, që i përket Kishës siriako-kristiane të qytetit shenjt irakian, Karakoshit, në rrafshin e Ninives, u restaurua në Itali.  

“Libri refugjat” - si mijëra njerëz të ikur nga tmerret e luftës e nga milicitë xhihadiste, është dëshmitar i asgjësimit të një mori popullsish, i shkatërrimit të trojeve të tëra dhe “i genocidit kulturor”, që zhduku pa mëshirë gjithçka kishte parfumin e kulturës së lashtë të këtyre viseve, posaçërisht asaj kishtare. I gjetur në Erbil, në janar të vitit 2017, nga gazetarët Laura Aprati e Marco Bova - Mosuli ishte akoma në duart e xhihadit - iu dorëzua vullnetarëve të Focsiv, nga kryeiepshkvi i vendit, imzot Yohanna Butros Mouché.

Falë angazhimit të drejtpërdrejtë të ministrit të asokohshëm të veprimtarive kulturore dhe turizmit, Dario Franceschini, dhe të Giulia Silvia Gjia, kryetare e Projekteve të Kulturës, dorëshkrimi i çmuar arriti  brenda 40 ditëve në Itali. Këtu, me një punë delikate realizuar falas nga Instituti qendror për patologjinë e arkivave dhe të librit (cpal),  të Mibact, u inkuadrua historikisht dhe u restaurua në disa drejtime, si lidhja e lashtë dhe boja shumë e veçantë e përdoruar për miniaturat.

Udhëtim me Papën

 Libri i Shenjtë, që do të ishte zhdukur nga ikonathyrësit, pati një fat shumë më të lum: udhëtoi drejt “shtëpisë së vet” së bashku me Papën, që ia dorëzoi Sidrën besimtarëve të Kishës irakiane. Dorëzim me vlerë të madhe simbolike. Flet për ripërtëritjen e traditave kulturore shumëshekullore, që Isis deshi t’i shkatërrojë, për të shlyer bashkë me to, çdo gjurmë të historisë së lashtë të krishtërimit në këto troje, e me të, edhe traditat e një populli e të një toke. Sidra është simbol i gjithë historisë së këtyre viseve, me rrënjët në lashtësi e vështrimin drejt së ardhmes. Flet edhe për vëllazërimin, aq të dëshiruar nga Françesku. Do t’u kujtojë irakianëve se u kthye në tokën amë nga një “spital italian librash të sëmurë” e në duart e një Pape! Të parit që shkeli në trojet e këtij vendi, ku u martirizuan edhe librat!

07 mars 2021, 15:20