Kërko

Vatican News

Kardinali Bo: lutem për një Mianmar në paqe

Mesazh i zjarrtë i kryeipeshkvit të Jangunit për Ditën e sotme Globale të Lutjes, që kemtohet në internet: të lutemi që të mbrohen demokracia dhe të drejtat dhe që ushtria të mos e sulmojë popullin, por ta mbrojë atë

R.SH. - Vatikan

“Mianmari është zhytyr sot në një kapitull tjetër errësire, ​​gjakderdhjeje dhe shtypjeje”. Janë fjalët e para të mesazhit plot dhimbje e shqetësim të kryeipeshkvit të Jangunit, kardinalit Charles Bo, me të cilin ai përshkruan gjendjen e vendit, që ra në duart e ushtrisë pas grushtit të shtetit të 1 shkurtit. Ushtarakët arrestuan gruan simbol të rezistencës birmane, Çmimin Nobel për Paqen, Aung San Suu Kyi, duke e zhytur vendin në një periudhë të trishtë, karakterizuar nga “brutaliteti dhe dhuna”, denoncon kardinali, i cili, gjithsesi sheh një shpresë në dritën e Pashkëve, që po vijnë, shenjë ringjalljeje për gjithë popullin. Kryeipeshkvi vë në dukje “guximin e pabesueshëm, “përkushtimin e krijimtarinë” e njerëzve të Mianmarit, të cilët nuk duhet të lejojnë që “demokracia dhe liritë e fituara me kaq mundime t’u shpëtojnë nga duart”.

Zëri i Krishtit në kohë të errta

Pas fazës së “plumbave, rrahjeve, gjakderdhjeve dhe dhimbjeve”, pas të vdekurve dhe të plagosurve në rrugë, pasi mijëra njerëz “u arrestuan dhe u zhdukën”, kryeipeshkvi i Jangunit dhe kryetari i ipeshkvijve birmanë thekson: “Në këto kohë të errta, të mjegullta, ta dëgjojmë zërin e Zotit, që i bën thirrje Kishës të jetë sërish dëshmitare, të jetë mjet drejtësie, paqeje dhe pajtimi; le të jemi duart dhe këmbët e Tij për të ndihmuar të varfërit dhe të frikësuarit, për t’iu kundërvënë urrejtjes me dashuri”.

Të punojmë për një Mianmar në paqe

 Kardinali përmend Isainë profet dhe fragmentin e propozuar nga liturgjia për Ditën e sotme Globale të Lutjes, ata “qiej të rinj dhe tokën e re” dëshiruar me zjarr nga vendi dhe populli i tij. “Do të lutemi dhe do të punojmë për një Mianmar të ri, që duhet të lindë nga kjo tragjedi aktuale, një Mianmar në të cilin çdo njeri të ketë të drejtat e liritë themelore, një Mianmar në të cilin të pranohet larmia etnike dhe fetare e ku të kremtohet paqja e vërtetë, një Mianmar ku ushtarët të ulin armët, të bëjnë një hap mbrapa e të heqin dorë nga pushteti, duke kryer detyrën, që i takon ushtrisë: t’i mbrojë e jo t’i sulmojë njerëzit”.

“Para se të jetë vonë”

Kardinali Bo kërkon lutje për nobelisten Aung San Suu Kyi dhe për “krerët e lëvizjes demokratike”. I kërkon edhe për ushtarakët, që të preken në zemër si Shën Pali në udhën e Damaskut. E edhe që, shton ai, “rezultatet e zgjedhjeve, në të cilat u shpreh qartë vullneti i popullit, të respektohen e që Mianmari të ecë drejt udhës së demokracisë së vërtetë, shoqëruar me dialog, pajtim, drejtësi dhe paqe”. “Para se të jetë tepër vonë”, e përfundon mesazhin kryeipeshkvi i Jangunit.

15 mars 2021, 10:59