Kërko

Vatican News
Imzot Romero Imzot Romero 

“Jetë të ndërlidhura”: 24 marsi është Dita e misionarëve martirë

Rekord viktimash edhe në vitin 2020, sipas raportit të Fides. Atyre u kushtohet Dita, që kremtohet në kujtimin liturgjik të Shën Oscar Arnulfo Romeros, kryeipeshkëv metropolit i San Salvadorit, i cili, u vra në vitin 1980, ndërsa po kremtonete Meshën Shenjte.

R. SH. - Vatikan

“Jetë të ndërlidhura”: kjo, tema e zgjedhur nga Missio Giovani për Ditën e 29-të  të lutjes dhe të agjërimit, në kujtim të misionarëve martirë, që kremtohet, si çdo vit, më 24 mars. Data e zgjedhur ka një vlerë të veçantë: në këtë ditë  kremtohet kujtimi  liturgjik i Shën Oscar Arnulfo Romeros, Kryipeshkëv metropolit  i San Salvadorit që u vra më 24 mars 1980, ndërsa po kremtonte Meshën Shenjte. “Misionari e lidh  jetën e vet ngushtësisht me atë të Krishtit - lexohet në një notë shpjeguese  me rastin e  këtij përkujtimi - e, prej këndej, niset edhe lidhja e vëllazërimeve të reja ndërmjet popujve dhe njerëzve, që takon gjatë shërbesës së kumtimit të Ungjillit, “zgjedhje, kjo, në emër të Krishtit, që mund të çojë në dhurimin mbi Kryq të vetvetes”. Me këtë rast nesër, në orën 19.00, do të mbahet një webinar i titulluar “Jetë të ndërlidhura në Etiopi”, në të cilin do të flitet për veprimtarinë jo të lehtë misionare në vendin afrikan, plot me konflikte, varfëri e, në vitin e fundit, edhe me barrën tejet të rëndë të Covid-19. Me Etiopinë lidhet edhe projekti tradicional i solidaritetit,  i promovuar në këtë Ditë: është fjala për laboratorin informatik të Prefekturës apostolike të Robes  për të rinjtë, me kurse për teknologjinë, që t’u lehtësohet vijimi i kurseve universitare  dhe lidhja me botën e punës.

Fides: vriten 20 misionarë, rekord  në Amerikë

Faqe e hidhur në jetën e Kishës, kjo e misionarëve martirë: sipas të dhënave të fundit  të Agjencisë Fides, në vitin 2020, në botë u vranë 20 misionarë: 8 priftërinj, 1 rregulltar, 3 rregulltare, 2 semnaristë e 6 laikë. Rekordi dramatik sivjet  regjistrohet në Amerikë, ku u vranë 8 misionarë. Gjatë 20 vjetëve të fundit, nga viti 2000 - deri në vitin 2020, u vranë 535 punonjës baritorë, ndërmjet të cilëve, 5 ipeshkvij. “Flijimi i martirëve - shpjegon Giovanni Rocca, sekretar i Missio Giovani në Itali – duhet parë si shenjë, që tregon se përhapja e fesë nuk është kryqëzatë, por përqafim i kulturës, i popujve e feve, gatishmëri e plotë për dëgjim e shkëmbim reciprok, përpjekje për ta ndihmuar njeriun, që ka nevojë”. Po kur në këto dinamika depërton urrejtja, atëhere në histori duket edhe figura e martirit. Martiri in odium fidei, është pasoja e skajshme  e fesë së vërtetë, njerëzore, të prekshme.

Besnikëri ndaj Zotit

Misionarët martirë nuk nisen për të bërë “vepra heroike”. Veprat e tyre janë gjeste plot me shpresë, të jetuara në të përditshmen e zakonshme. “E gjithë kjo i flet njeriut të sotëm për besnikëri ndaj Zotit, për dashuri, që mund të fitojë mbi errësirën e ta përballojë me gëzim edhe vdekjen”. Trashëgimia e misionarëve martirë është ftesë për të zbuluar bukurinë, që banon edhe në skajet e skutat e kësaj bote. E kjo, sepse çdo krijesë është tempull madhështor i Zotit mbi këtë tokë, e aftë për të mirëpritur, për të dëgjuar e për t’i shëruar plagët, që vijon të hapë jeta. Të nisesh për në mision, për t’u çuar Zotin njerëzve të etur, pa e ditur as ata vetë, do të thotë të ecësh përkrah Krishtit të kryqëzuar e të ngjallur. Do të thotë të bësh hapa të reja, për ta çuar Krishtin ku nuk ka arritur akoma. Të ecësh drejt Tokës së premtuar!

Fondacioni Missio i të rinjve

Duhet kujtuar se Missio Giovani është sektori rinor i Fondacionit Missio, lindur në vitin 2005 si “organizëm baritor i organizuar nga Konferenca Missio, me qëllim që  të mbështesë e të nxisë përmasën misionare të bashkësisë kishtare italiane, me vëmendje të posaçme për missio ad gentes e për nismat e gjallërimit, formimit e kooperimit ndërmjet kishave.

23 mars 2021, 09:34