Kërko

Vatican News
Jeruzalem: Varri Shenjt Jeruzalem: Varri Shenjt 

Jeruzalem: Triditshi i Pashkëve pranë Varrit të Shenjtë: këtu u ngjall!

Imzot Vincenzo Peroni, ish-ceremonier papnor, sot me shërbim në Rojtarinë e Tokës Shenjte, flet për Triditshin e Pashkëve në Viset e Shëlbimit: kremtim i pashoq, pranë Vendit ku dymijë vjet më parë Krishti i ngjallur iu duk së pari shën Marisë Magdalenë. Tani mbi atë varr ngrihet bazilika madhështore. Pikërisht në Bazilikën e Varrit të Shenjtë do të mbahen kremtimet kyesore të triditëshit të Pashkëve. Ndërmjet çasteve më prekëse, “rivarrosja e të Shenjtnueshmit”, pas zbritjes nga kryqi dhe Ungjilli i Ngjalljes, kënduar nga patriarku para Anastasis, në Natën pa gjumë të Pashkëve. Kjo, atmosfera e përshkruar nga imzot Peroni.

R. SH. - Vatikan

“Çdo liturgji na bën bashkëkohorë me ngjarjen shëlbuese, por kjo Bazilikë është e vetmja në botë, ku mund të brohorasim: “Këtu u kryqëzua Krishti, këtu u varros e po këtu edhe u ngjall!”. Imzot Vincenzo Peroni flet para mikrofoneve të Radio Vatikanit nga Bazilika e Varrit Shenjt të Jeruzalemit, duke na e bërë tejet të afërt këtë vend, para të cilit ëndërron të gjunjëzohet çdo i krishterë. Të paktën një herë në jetë! Meshtar i dioqezës së Breshias, imzot Peroni për tetë vjet, nga viti 2012, deri në vitin 2020  ishte ceremonier papnor e, më pas, me miratimin e ipeshkvit të tij, kërkoi të shkonte me “mision”, në Jeruzalem. Falë edhe kompetencave të tij liturgjike, shpjegon si u hap Java e Madhe në Qytetin Shenjt dhe cilat janë ritet e veçanta të Triditëshi i Pashkëve në Bazilikën e Varrit Shenjt. Ta dëgjojmë imzot Peronin:

“Java e Madhe u hap të dielën, me dy çaste shumë solemne, përgatitur e jetuar së bashku nga Patriarkati Latin dhe Rojtaria e Tokës Shenjte. Së pari, në Bazilikën e Varrit Shenjt u bekuan palmat e nisi procesioni i brendshëm, me një karakteristikë tipike për procesionet tek Varri Shenjt:  rrotullimi për tri herë me radhë rreth Edikolës së Ngjalljes. Për t’u zgjatur pastaj, deri te pllaka e vajimit, tek këmbët e Kalvarit. Kujtohen, kështu,  tri ditët e Jezusit në Varr, por edhe një liturgji e lashtë bizantine, që e nderonte gjithnjë vendin e misterit, përmes kemimit në formë rrethi. Pas procesionit, Patriarku i Jeruzalemit kremtoi Meshën Shenjte. Pasditen e së Dielës së Larit u kremtua procesioni festiv mbi Malin e Ullinjve, me Patriarkun e Rojtarin që, duke u nisur nga Betfage e duke arritur në qytet,  imituan turmat që e patën shoqëruar Jezusin gjatë hyrjes së tij ngadhënjimtare në Jeruzalem. Në këtë kremtim morën pjesë turma të vërteta nga populli, që të kujtonin atë ditë të largët, kur nisi Java e parë e Madhe. E do të kishte edhe më shumë njerëz, nëse nuk do të ishte pandemia, që vijon ta pengojë ardhjen e shtegtarëve nga të katër anët e botës. Ndaj sivjet e shoqëruan përsëri Krishtin vetëm të krishterët vendas, shumica arabë, por nuk munguan as katolikët e shumtë, ardhur nga vende të ndryshme të botës që, për arsye punësimi, janë pjesë përbërëse e Kishës në Tokën Shenjte”.

Dy fjalë për Triditëshin e Pashkëve në Tokën Shenjte?

“Atëhere, struktura themelore e riteve, është ajo e liturgjisë latine, siç përcaktohet nga librat liturgjike. Por ka edhe disa hollësira, që të kujtojnë liturgjinë e shekujve të parë, siç e tregojnë dëshmitë e shtegtarëve të lashtë, në mënyrë të posaçme, shtegtarja Egeria, që e vizitoi Tokën Shenjte  në shekullin IV. Por para së gjithash, ka një tipar të veçantë liturgjia, që kremtohet këtu, pranë Varrit të Shenjtë. Nëse liturgjia kremtohet kudo  duke e vënë besimtarin në lidhje të drejtpërdrejtë me misterin e  kremtuar,  duke e bërë bashkëkohës me ngjarjen shëlbuese, ky është i vetmi vend në botë për të cilin mund të thuash: këtu u kryqëzua Zoti, këtu e derdhi gjakun, këtu u varros e po këtu edhe u ngjall! Prej këndej, edhe vetëm fakti, që kremtohet këtu, në këtë bazilikë, është me të vërtetë krejtësisht i përveçëm. Pastaj, siç po thosha, ka edhe disa hollësi të veçanta”.

A mund të na jepni ndonjë shembull?

“Mëngjesin e së Enjtes së Madhe - me që për shkak të rregullave të ‘status quo’, të gjitha liturgjitë kremtohen heret në sabah - në përfundim të ‘missa in Coena Domini’, që përfshin edhe ritet e Meshës së Bagmit, rreth Edikolës së Ngjalljes sillet procesioni me Eukaristinë e, në fund, vetë Eukaristia rivendoset në tabernakullin e përgatitur mbi rrasën e Ngjalljes, brenda Edikolës së Varrit. Aty, pastaj, gjatë gjithë ditës e edhe natës, fretërit e Rojtarisë ndjekin adhurimin eukaristik. Interesante edhe që ‘rivendosja e të Shenjtnueshmit’, bëhet pikërisht aty. Ndoshta shumëkush e kujton se ‘rivendosja në tabernakull’ e të Shenjtnueshmit, në lashtësi quhej edhe ‘Sepolcri’, apo vendi ku vendosej Hostia e shuguruar të Enjten e Madhe, që do të përdorej, pastaj, të nesërmen. Nuk kishte kuptimin e vdekjes, pra, por të zakonit të Jeruzalemit për ta vendosur të Shenjtnueshmin në Varrin Shenjt. Ishte njëlloj si të thuhej se aty Eukaristia është prania e vërtetë e Zotit të ngjallur. I ngjallur këtu, tek varri, sepse është Eukaristia, që na komunikon hirin e Pashkëve”.

Një rit tjetër, gjithnjë i shumëpritur, është edhe “procesioni mortor”,  që kremtohet mbrëmjen e së Premtes së Madhe, brenda Bazilikës. Si zhvillohet?

“Eshtë ‘ushtrim i përshpirtshëm’, me të cilin lidhen ngushtë të krishterët e Jeruzalemit, e edhe fretërit e Rojtarisë, i pasur me Fjalën e Zotit që, mund të themi, është Fjalë ‘e dëgjuar’, e edhe ‘e parë’.  E kjo sepse, përveç shpalljes së Ungjijve në gjuhë të ndryshme të botës, paraqiten në mënyrë jashtëzakonisht prekëse disa nga çastet kryesore të Mundimeve të Zotit. Në kremtimin e së Dielës së Larit, në Shën Pjetër, Papa na ftoi ta shikojmë Kryqin me mahnitje, me emocion të thellë. E pra kjo ndodh pikërisht të Premten e Madhe, në Bazilikën e Varrit Shenjt. Posaçërisht prekëse është  edhe zbritja e Krishtit nga kryqi, që bëhet për të kujtuar gjestin e mëshirshëm të Jozefit të Arimatesë. Në mes të një heshtjeje të thellë, të stërngarkuar me kundrim e dashuri, në Bazilikë ushtojnë goditjet e çekanit, që shkul gozhdat nga Korpi i Krishtit, për ta zbritur nga kryqi. Më pas Korpi mbartet nga diakonët deri te Pllaka e Vajimit Shenjt, tek këmbët e Kalvarit. Aty Rojtari i Tokës Shenjte përgatit vajrat dhe parfumet, sipas udhëzimeve ungjillore e, në përfundim, Krishti mbartet tek Varri Shenjt, për varrosjen. Së fundi duhet kujtuar se gjatë të gjitha liturgjive, që kremtohen para edikolës së Varrit Shenjt në Triditshin e Pashkëve, e edhe Ditën e Pashkëve, libri i Ungjillit vendoset gjithnjë brenda edikolës e, pastaj, nxirret jashtë, sepse u shpallet të gjithë atyre, që janë të pranishëm. Në mënyrë të posaçme, gjatë Natës pa gjumë të Pashkëve, vetë ipeshkvi, sipas një tradite të Jeruzalemit, këndon Ungjillin e Ngjalljes, duke qëndruar para Edikolës së Anastasis. Eshtë tejet mahnitëse kjo simbologji, sepse në fund të fundit zemra e kumtit ungjillor, “kerygma”, është pikërisht kjo: i Kryqëzuari u ngjall! Ditën e Pashkëve, në Meshën solemne, gjithnjë duke bërë një procesion rreth e rreth Bazilikës, Ungjilli i Pashkëve këndohet në të katër variantet e katër ungjilltarëve, në mënyrë që duke u nisur pikërisht prej këtu, prej vendit të Ngjalljes, të arrijë në kufijtë e mbarë tokës”.

 

 

31 mars 2021, 15:40