Kërko

Vatican News

Java e Shenjtë e Pashkëve me ritet liturgjike

Ritet e Javës së Shenjtë te Pashkëve na çojnë në zemrën e misterit të Shpëtimit, pra në qendrën e planit shëlbues, përmes të cilit Zoti deshi ta shpëtojë njerëzimin. Çdo kremtim – me fjalët, gjestet, heshtjet, imazhet, muzikën e këngët – ka si qëllim të na drejtojë në kundrimin e Shpëtimtarit Krishtit të Ngjallur së vdekurish, Rruga, e Vërteta dhe Jeta. Gjithçka bën të duket bukuria e fytyrës së Zotit, tiparet e së cilës janë e Vërteta dhe Dashuria, e Vërteta që është Dashuri.

R.SH. - Vatikan

Me të Dielën e Larit, më 28 mars 2021, nisi Java e Madhe e Pashkëve. Ritet liturgjike të Javës së Shenjtë të Pashkëve na çojnë në zemrën e misterit të Shëlbimit, pra, në qendrën e planit shëlbues, përmes të cilit Zoti deshi ta shpëtojë njerëzimin.

Çdo kremtim – me fjalët, ritet, gjestet, heshtjet, imazhet, muzikën e këngët – ka si qëllim të na drejtojë në kundrimin e dhimbshëm të misterit të mjerimit njerëzor, që ndriçohet nga misteri i mëshirës pa fund të Shpëtimtarit: vetëm në Krishtin e ngjallur së vdekurish, Rruga, e Vërteta dhe Jeta, gjen dritë misteri i njeriut. Gjithçka bën të duket bukuria e fytyrës së Zotit, tiparet e së cilës janë e Vërteta dhe Dashuria, e Vërteta që është Dashuri: “i dua deri në fund”- thotë Hyji.

Nga kundrimi shkojmë në jetën e përditshme: sepse vështrimi i kujdesshëm mbi misterin e shëlbimit është autentik në masën që secili përjeton, çdo ditë, kalimin nga mëkati në hirin e Zotit, nga qënia larg Zotit në afërsinë me Hyjin, nga mediokriteti në shenjtëri. Për hir të kremtimit liturgjik, misteri i Mundimeve, Vdekjes dhe Ngjalljes së Zotit Jezu Krisht nuk është vetëm një fakt i historisë së kaluar, por është edhe një ngjarje për të sotmen e çdo njeriu, në të cilën gjithkush mund të ngjyejë bukën për të pasur si dhuratë Jetën.

E ja çastet kulmore të kremtimeve liturgjike që na presin:

Me të Dielën e Larit, nisi Java e Madhe e Pashkëve. Në Vatikan, Papa e kremton këtë të Diele të veçantë liturgjike, që përkujton hyrjen e ngadhënjimin mbretëror të Krishtit në Jerusalem dhe rrëfimin e mundimeve të Tij deri me kryqëzim e vdekje mbi Kryq.

Të Enjten e ardhshme, Kisha kremton të Enjten e Madhe të Pashkëve: Duke u nisur nga Papa, ipeshkvi i Romës e në çdo Kishë Katedrale të botës, nga ipeshkvi vendor, këtë ditë kremtohet Mesha e bekimit të vajrave të Shenjtë, që quhet Mesha e Bagmit.

Fillon kështu Treditëshi i Shenjtë i Pashkëve, ai i Mundimeve e Ngjalljes së Zotit tonë Jezu Krisht, që është "kulmi i tërë vitit liturgjik"  të Kishës. E ky treditësh i Shenjtë nis pikërisht të Enjten e Pashkëve me kremtimin e Meshës së Darkës së mbrame të Krishtit me apostuj, dhe gjen thelbin e kulmin e vet në Natën e pagjumë të Pashkëve, përfundon me lutjet mbrëmësore të së Dielës së Ngjalljes.

Të Enjten e Madhe të Pashkëve, kremtohet Mesha e Darkës së Mbrame të Krishtit. Me këtë kremtim Eukaristik, që kremtohet në orët e mbrëmjes, Kisha kujton darkën e fundit, gjatë së cilës Zoti ynë, Jezu Krishti, në natën kur po tradhtohej, duke i dashur deri në fund të fundit të vetët që ishin në botë, i dhuroi Hyjit At Korpin dhe Gjakun e vet nën trajtën e bukës dhe të verës, ua dha apostujve si ushqim dhe i urdhëroi ata e pasardhësit e tyre në meshtari ta përsërisnin këtë në kujtim të Atij që po flijohej për shpëtimin e njerëzimit. Gjatë kremtimit të Eukaristisë së Shenjtë të Enjtes së Pashkëve, pas liturgjisë së Fjalës Hyjnore dhe homelisë, kremtohet riti i larjes së këmbëve të dymbëdhjetë meshtarëve, apo besimtarëve.

Të Premten e Madhe të Pashkëve, Kisha kremton Liturgjinë e Fjalës së Zotit, përshkon historinë e mundimeve të Jezu Krishtit e vdekjen me kryqëzim dhe Adhurimit të Kryqit të Jezu Krishtit. Në këtë ditë, në të cilën Jezu Krishti u flijua për shëlbimin e mbarë njerëzimit me vdekjen mbi Kryq, Kisha, me meditimin e mundimeve të Zotit e Dhëndrit të vet dhe, me adhurimin e Kryqit - përkujton zanafillën e vet nga kraharori i shporuar i Krishtit mbi Kryq dhe ndërmjetëson për shëlbimin e mbarë botës. Po të Premten e Madhe të Pashkëve, sipas traditës kremtohet "Udha e Kryqit".

Të Shtunën e Madhe të Pashkëve kujtohet varrosja e Jezu Krishtit dhe zbritja në mbretërinë e të vdekurve, në pritje të Ngjalljes. Tё Shtunёn e Madhe kremtohet Natën e Shenjtë e Pashkëve tё Jezu Krishtit, "nënë e të gjitha netëve të lutjes pa gjumë", gjatë së cilës Kisha kumton Ngjalljen e Jezu Krishtit. Eshtë kremtimi më i rëndësishëm i tërë Vitit liturgjik kishtar. Festa themelore e fesë së krishterë fillon të Shtunën e Shenjtë me Natën e Pashkëve, në nderim të Jezusit që dhuroi jetën e Tij për ne mbi Kryq. Sipas një tradite shumë të lashtë, të Shtunën e Shenjtë të Pashkëve, kremtohet me lutje e liturgji Hyjnore, Nata në të cilën Krishti u Ngjall prej së vdekurish. 

Këtë Natë të Shenjtë, Kisha rri zgjuar, në lutje e në pritje të Ngjalljes së Zotit dhe atë e kremton me Sakramentet e zanafillës së krishterimit.  Liturgjia fillon me bekimin e zjarrit të ri,  bekimin e ndezjen e Qiriut të Pashkëve, më pas procesioni në Kishë me qiriun e Pashkëve dhe me këngën "Exultet". Posa meshtari mbërrin në elter, fillon liturgjia e Fjalës së Zotit, vijon liturgjia e Sakramentit të Pagëzimit dhe Përforcimit (Krezmimit), pastaj liturgjia Eukaristike, e cila përfundon me Bekimin solemn të Pashkëve.

Me të Dielën e Pashkëve të Ngjalljes, fillon "periudha a koha gazmore e Ngjalljes”,  pastja vijon koha e Shenjtë e Rrëshajëve, ose 50 ditëshi i Pashkëve, gjatë së cilës Kisha kremton praninë e Jezusit të Ngjallut dhe ndikimin e Shpirtit Shenjt Zot.

Por si duhet të përgatitemi për Javën e Pashkëve?

Me shumë fe, me shumë vëmendje, me pjesëmarrje në kremtime dhe ndjekjen e kujdesshme të teksteve biblike që përdor këto ditë Kisha, që nga e Diela e Larit e deri në të Dielën e Pashkëve, sepse në këtë Javë të Madhe të Pashkëve përmblidhet kremtimi liturgjik i misterit të shëlbimit tonë: mundimi, vdekja e Ngjallja e Jezu Krishtit. Kush e ndjen me fe e ne shpirt Javën e Madhe, e kupton krishterimin. Kush nuk e kupton Javën e Madhe të Pashkëve, nuk mund ta kuptojë deri në fund të fundit fenë tonë të krishterë.

 

25 mars 2021, 13:19