Kërko

Vatican News

Java e Madhe e Pashkëve: udha e Misterit drejt Jetës

Këtë Javë të Madhe të Pashkëve, që fillon me të Dielën e Larit, Kisha na fton të përjetojmë e të kujtojmë Mundimet e Jezu Krishtit, me sytë të ngulur në Ngjalljen e Jezu Krishtit- Birit të Hyjit. I ndërthurur në kalendarin liturgjik, i shndritur nga bukuria e devocionit, i ngrohur nga dashuria e popullit të krishterë, misteri i Mundimeve dhe Vdekjes së Zotit tonë Jezu Krisht nuk përjetohet me trishtim e zymtësi, por shkëlqen nga rrezatimi i Ringjalljes.

R.SH. - Vatikan

Kisha Katolike kremton, mё 28 mars, të Dielën e Larit dhe të Mundimeve të Jezu Krishtit, me tё cillёn fillon Javёn e Madhe e tё Shenjtё tё Pashkёve. Procesioni me degë ulliri, dafina dhe palma na kujton hyrjen triumfale të Jezusit në Jeruzalem. Por që ky triumf të mos na gënjejë për misterin e Krishtit dhe misionin e Tij në mesin e njerëzve,  sepse menjëherë pas procesionit, pёrlujtohet tregimi i Mundimeve dhe Vdekjes mbi Kryq të Shëlbuesit të botës.

Ritet liturgjike të Javës së Shenjtë tё Pashkёve na çojnë në zemrën e misterit të Shpëtimit, pra, në qendrën e planit shëlbues, përmes të cilit Zoti deshi ta shpëtojë njerëzimin.

Çdo kremtim – me fjalët, gjestet, heshtjet, imazhet, muzikën e këngët – ka si qëllim të na drejtojë në kundrimin e dhimbshëm të misterit të mjerimit njerëzor, që ndriçohet nga misteri i mëshirës pa fund të Shpëtimtarit Jezus: vetëm në Krishtin e Ngjallur së vdekurish, Rruga, e Vërteta dhe Jeta, gjen dritë misteri i njeriut. Gjithçka bën të duket bukuria e fytyrës së Zotit, tiparet e së cilës janë e Vërteta dhe Dashuria, e Vërteta që është Dashuri: “i dua njerёzit deri në fund”- thotë Hyji.

Nga kundrimi Krishtit tё kryzёzuar shkojmë në jetën e përditshme: sepse vështrimi i kujdesshëm mbi misterin e shpëtimit është autentik në masën që secili përjeton, çdo ditë, kalimin nga mëkati në hirin e Zotit, nga qënia larg Zotit në afërsinë me Hyjin, nga mediokriteti në shenjtëri.

Për hir të kremtimit liturgjik, misteri i Mundimeve, Vdekjes dhe Ngjalljes së Zotit tonё Jezu Krisht nuk është vetëm një fakt i historisë së kaluar, por është edhe një ngjarje për të sotmen e çdo njeriu, në të cilën gjithkush mund të ngjyejë bukën për të pasur si dhuratë Jetën e Pёrjetshme.

“Jezusi i Nazaretit është gjallë! Nuk është kujtim i së kaluarës; nuk është thjesht personazh, por Vetje. Ai jeton “në Shpirtin Shenjt”, natyrisht, por kjo mënyrë të jetuari është më e fuqishme se ajo “sipas mishit”, sepse i jep mundësinë të jetë i gjallë brenda nesh, jo jashtë, ose pranë nesh”. Nga ky reflektim e filloi dje predikimin e katërt e të fundit të Kreshmëve 2021, atë Raniero Cantalamessa, predikatari i Shtëpisë Papnore, që çdo të premte shoqëron me meditimet e tij udhën kreshmore drejt Pashkёve pёr Kurien Romake, në praninë e Papës Françesku e tё anёtarёve tё tjerё tё dikastereve tё ndryshme tё Selisё sё Shenjtё

Prandaj këtë Javë të Madhe të Pashkëve, Kisha na fton t'i përjetojmë e t'i kujtojmë Mundimet e Jezu Krishtit, me sytë të ngulur në Ngjalljen e Birit të Hyjit. I ndërthurur në kalendarin liturgjik, i shndritur nga bukuria e devocionit, i ngrohur nga dashuria e popullit të krishterë, misteri i Mundimeve dhe i Vdekjes së Zotit tonë Jezu Krisht nuk përjetohet me trishtim e zymtësi, por shkëlqen nga rrezatimi i Ringjalljes.

 

27 mars 2021, 10:21