Kërko

TOPSHOT-IRAQ-RELIGION-CHRISTIANS-POPE TOPSHOT-IRAQ-RELIGION-CHRISTIANS-POPE

Irak: vuajtjet e të krishterëve në pritje të Papës Françesku

Atë Benham Benoka, meshtar siro-katolik, tregon për Vatican News vuajtjet e bashkësive të krishtera irakiane të kërcënuara nga njerëz, që duan t’u marrin territoret. E përsa i përket pritjes së Papës Françesku, që shkon në Irak më 5 mars, nënvizon: “E jona është pritje plot padurim, pa drejtësi nuk mund të ketë vëllazërim”

R.SH. - Vatikan

Ndër etapat më të rëndësishme në programin e udhëtimit të Papës Françesku në Irak, nga 5 deri më 8 mars, janë sigurisht vizita në qytetin e Mosulit dhe ajo në Karakosh në Rrafshin e Ninives, planifikuar për të dielën, 7 mars. Janë territore që përfaqësojnë zemrën e krishterimit irakian, ku, ndërmjet viteve 2014 dhe 2016, terroristët islamikë të Isisit persekutuan mizorisht bashkësitë e krishtera, duke detyruar rreth 125.000 vetë të largohen nga shtëpitë. Edhe sot, pas çlirimit të Mosulit dhe të qendrave të tjera në vitin 2016 e, pas kthimit gradual të bashkësive të krishtera në fshatrat e tyre, ato janë gjithnjë në rrezik të madh. Atë Benham Benoka, meshtar siro-katolik, e shpjegon këtë në mikrofonin e Radio Vatikanit, në lidhje telefonike nga qyteti i Bartelës, disa kilometra larg Mosulit.

Duke qenë vizita e parë e një Pape në Irak, në të gjithë historinë e Kishës Katolike, është me të vërtetë një ngjarje historike. Nuk e dimë nëse do të kemi një mundësi tjetër të tillë në të ardhmen. Pra, është pa dyshim një ngjarje e jashtëzakonshme, edhe sepse përkon me gjendjen tejet të veçantë, tejet të rëndë, që po jeton prej kohësh vendi ynë: dhunë e vazhdueshme dhe vuajtje të mëdha, sidomos për ne të krishterët. Prandaj, do të thoja që këtë vizitë e presin me padurim të gjithë katolikët, por edhe të gjithë të krishterët.

Si është Iraku, që do të gjejë Papa Françesku?

Fatkeqësisht, sot, vendi është shumë i vuajtur dhe shumë i ndarë, i përçarë. Ka ndeshje të vazhdueshme ndërmjet fraksioneve, që qeverisin Irakun dhe çdo milici ka territorin e vet, që e kontrollon në mënyrë të pavarur nga qeveria, e cila duket plotësisht e pafuqishme. Pastaj, veçanërisht në rajonin e krishterë të Irakut, që është Rrafshi i Ninives, bastioni i fundit i të krishterëve, ku jemi akoma shumicë, vuajmë pafundësisht. Pas disfatës së Isisit dhe pas kthimit në qytetet tona të çliruara, fatkeqësisht, u kthyem në vuajtje, madje, edhe më shumë se më parë. Faktikisht, forcat që sot kontrollojnë territorin duan, si të thuash, të na “shpronësojnë”, duan “të na zhdukin” e të na i marrin tokat. Nëse ndodh kjo, nëse askush nuk na ndihmon, brenda disa viteve nuk do të ketë më të krishterë në Rrafshin e Ninives. Prandaj, shpresojmë që udhëtimi i Papës të na ndihmojë në një farë mënyre.

Pse flisni kështu? Cilat janë vështirësitë e bashkësive të krishtera?

Pas çlirimit të Rrafshit të Nines më 2016, dhe kthimit gradual në qytetet tona gjatë viteve në vijim, kishim shpresë të fillonim një jetë në paqe e në siguri në shtëpitë tona, së bashku me pakicat e tjera fetare. Por, pas çlirimit, pamë se kishte shtëpi qytetarësh të krishterë dhe kisha, që mbetën të paprekura nën sundimin e Isisit, por kur xhihadistët u dëbuan, ato u vodhën, ose u shkatërruan plotësisht. Pastaj, pamë se ishte shumë e vështirë për një kryefamiljar të gjejë punë për t’u siguruar jetën të afërmve të vet. Kjo, sepse ka një plan të madh për ndryshime demografike në qytetet tona të krishtera.

Në Bartela, ku jetoj unë, për shembull, janë sjellë nga vende të tjera rreth 15 mijë familje të grupit etnik Shabak, myslimanë shiitë, që të jetojnë këtu, në këtë zonë të Rrafshit të Ninives. Ky ndryshim demografik u realizua nga disa fraksione për të na bërë të kuptojmë se ky fshat nuk është më i krishterë, por shiit. Vuajtjet tona kanë të bëjnë me faktin se po i nënshtrohemi një “spastrimi të vërtetë etnik dhe fetar”. Njëri nga aspektet e tij është pikërisht ky ndryshim i detyruar demografik. Por ka edhe aspekte të tjera. Për shembull, disa fraksione myslimane u thonë besimtarëve të tyre të mos blejnë asgjë nga tregtarët e krishterë në Bartela, me qëllimin e qartë për ta shkatërruar ekonominë e qytetit.

Pastaj, herë pas here, ngrihen monumente e ndërtesa shiite pikërisht aty ku janë gërmimet arkeologjike të krishtera, për të dhënë mesazhin se qyteti nuk ka më fytyrë të krishterë. Për këta njerëz, qyteti duhet të bëhet shiit, mysliman, flamujt e zinj janë kudo dhe askush, madje as qeveria irakiane, nuk guxon t’i heqë. Përveç kësaj, kanë filluar t’u vënë rrugëve të Bartelës emrat e martirëve të tyre, të cilët nuk kanë derdhur kurrë gjak për mbrojtjen e këtij qyteti.

Ju po flisni për një bashkëjetesë të vështirë ndërmjet të krishterëve dhe myslimanëve, por udhëtimi i Papës do të bëhet në frymën e motos “Jeni të gjithë vëllezër”. Në Naxhaf, Papa do të takojë ajatollahun Ali Sistani, që konsiderohet autoriteti më i lartë i Islamit shiit. Ç’domethënie i jepni kësaj ngjarjeje?

Ai i Papës është projekt i krishterë “par excellence”, projekt vëllazërimi. Ne të gjithë jemi vëllezër, kjo është e vërtetë. Por, jemi vëllezër kur kemi respekt të ndërsjellë për të drejtat e njëri-tjetrit dhe kur secili i di mirë detyrat e tij ndaj të tjerëve, pra, kur ka drejtësi në të gjitha nivelet. Kur ndokush dëshiron të na vjedhë tokën, shtëpinë dhe punën, dëshiron të na mohojë sigurinë dhe paqen, si mund të arrihet bashkëjetesa? Duhet të jetë dikush, që ka forcë për të imponuar paqen. Të gjithë e dimë se këto vështirësi nuk krijohen nga njerëzit e thjeshtë, por nga autoritetet, nga ata, që kanë forcën ushtarake, ose aftësinë për të imponuar një ideologji të caktuar që të realizojnë planet e tyre. Bashkëjetesa dhe vëllazërimi njerëzor janë shumë të rëndësishme, pa vëllazërimin njerëzor do të kemi gjithmonë një vend të përçarë. Por, për ta garantuar këtë vëllazërim ndërmjet feve duhet drejtësi… drejtësi përkrah dashurisë.

Atëherë, cilat janë shpresat tuaja për vizitën e Papës? A do të arrijë Ati i Shenjtë të sjellë një frymë të re në Irak?

Unë fola për qytetin ku jetoj, Bartelën, sa për të dhënë një shembull. Por kjo vuajtje që përmenda është e njëjtë në gjithë vendin. Të gjithë vuajnë nga e njëjta dhunë, ushtruar për vullnet të disave, që nuk duan paqe, siguri, vëllazërim apo dashuri. Kjo situatë, që karakterizon gjithë Irakun, na bën ta shohim shtegtimin e Papës si vizitën e atij, që vjen për të na bërë të kuptojmë se çfarë është dashuria e vërtetë, vëllazërimi i vërtetë. Shpresojmë që Papa të jetë në gjendje ta kryejë këtë mision, i cili, sigurisht, është tejet i vështirë, por shoqërohet nga lutjet tona.

03 mars 2021, 14:12