Kërko

Vatican News
 Dalla messa di beatificazione dei 38 martiri albanesi celebrata 05 novembre 2016 Dalla messa di beatificazione dei 38 martiri albanesi celebrata 05 novembre 2016  (Klaudia Bumci)

Imzot Frano Gjini e martirët tjerë të 11 marsit 1948

Më 11 mars kujtojmë një grup martirësh të Kishёs katolike në Shqipëri, vrarë nga komunistet te Zalli i Kirit, në Shkodër, më 11 mars 1948. Që kujtimi i tyre të mos humbasë, por të bëhet shembull, është detyrë, ti kujtojmë shembujt e ndritur të Fesë e të Atdheut, sot ndërmjet tyre kujtojmë të Lumin Imzot Frano Gjinin, të Lumin At Mati Prendushin e të Lumin At Çiprjan Nikën, të cilët, më 5 nëntor 2016, në Shkodër, janë shpallur të Lum nga Kisha katolike.

R. SH. - Vatikan

Më 11 mars kujtojmë një grup martirësh të fesë katolike në Shqipëri, vrarë nga komunistet te Zalli i Kirit, në periferi të Shkodrës, më 11 mars 1948.  Është e vërtetë se për një çast persekutimi, dhuna, diktatura, mizoria e verbër, duken sikur e mbytin përgjithnjë zërin e dëshmitarëve të fesë të cilët, parë me sy njerëzor, martirёt e vrarё na duken si të mundurit e historisë. Po Jezusi i Ngjallur e ndriçon dëshminë e tyre dhe na bën ta kuptojmë domethënien e martirizimit. Citimi i famshëm i Tertulianit: “Ne shtohemi, sa herë që na korrni: bëhet  farë gjaku i të krishterëve (Apol., 50,13; CCL 1, 171), na kujton se në mundimin e poshtërimin e atyre që vuajnë për kauzën e Ungjillit e të njeriut, vepron një forcë, të cilën bota nuk e njeh: forca e dashurisë që e përballon dhe e mund vdekjen .

Prandaj, i përkujtojmë që dëshmia e martirëve të jetë burim shprese për shoqërinë, që kujtimi i tyre të mos humbasë, por të bëhet shembull për breznitë e sotme e ato të ardhshme, është detyrë, ti kujtojmë shembujt e ndritur të Fesë e të Atdheut, sot ndërmjet tyre kujtojmë të Lumin Imzot Frano Gjinin, të Lumin At Mati Prendushin dhe të Lumin At Çiprjan Nikën, të cilët, më 5 nëntor 2016, në Shkodër, janë shpallur të Lum nga Kisha katolike.

Pra, data 11 mars e vitit 1948 na kujton ditën kur shkodranët e tmerruar dëgjuan përsëri të shtëna mitralozi te Zalli i Kirit. Flijoheshin këtë ditë për Krishtin e për Shqipërinë, përveç ipeshkvit dhe dy françeskanëve meshtarë të lartpërmendur, është edhe Monsinjor Nikollë Deda bashkë me 12 besimtarë katolikë. 

I Lumi Imzot Frano Gjini:
Lindi në Shkodër në vitin 1886. Pasi kreu Kolegjin Saverian, vijoi studimet në Universitetin Urbanian në Romë. Menjëherë pas shugurimit u kthye në Atdhe dhe filloi shërbimin meshtarak si famullitar në Laç, Vlorë e Durrës. Më 1930 u emërua Ipeshkëv i Durrësit; dy vjet më vonë - Ipeshkëv i Abacisë së Mirditës me selí në Orosh; më 1945, pas largimit të delegatit apostolik, Imzot Nigris, nga Shqipëria, u emërua nga Selia e Shenjtë zëvendës-delegat apostolik. Ishte e para herë që një shqiptari i besohej një detyrë kaq e lartë.
U arrestua në tetor 1946 me akuzën "agjent i Vatikanit" së cilës s'munguan t'i shtoheshin edhe akuza të tjera. Gjeti në qeli pjesën kryesore të sivëllezërve në meshtari. Por atij, si zëvendës-delegat, iu bë një trajtim i posaçëm: mbi trupin tij komunistët eksperimentuan të gjitha llojet e torturave, për ta bindur ta shkëpuste Kishën katolike nga Selia e Shenjtë. Qëndroi si shenjtë, derisa e pushkatuan më 11 mars 1948, duke ia këputur brohoritjen e fundit: "Rrënoftë Krishti mbret! Rrënoftë Shqipnia, edhe pa ne!". 
Selia e Tij nuk mbeti e zbrazët: pas Imzot Angelo Massafrës, që tani i prin kryedioqezën metropolite të Shkodër-Pultit, dhe Imzot Kristofor Palmierin, rregulltar nga Bitonto (Bari) në pension, Ipeshkvi aktual e dioqezës së Rrëshenit është Imzot Gjergj Meta.

I Lumi At Çiprjan Nika:
Lindi në Shkodër më 19 korrik 1900. Mësimet fillore e të mesme i kreu në Shkodër, të lartat - në Austri. U shugurua meshtar më 1924. Më 1938 qe provinçal i fretërve; nga viti 1943 deri më 1936 - guardian i kuvendit françeskan në Shkodër. U arrestua më 1946 me akuzën e fshehjes së armëve në kishën françeskane, armë të vendosura aty nga vetë sigurimi, histori që është shtjelluar gjerë e gjatë nga Nikë Stajka, i pranishëm në këtë skenë kulmore të tragjedisë së Kuvendit të Gjuhadolit, në librin "Dera e Thyeme".
U pushkatua pa gjyq më 11 mars 1948. Mbeti në kujtesën e atyre që e njohën, si meshtar shenjt, i përvuajtur, i kulturuar, atdhetar, muzikant e shkrimtar i talentuar: përmbushte kështu të gjitha kushtet, të cilat në Shqipërinë komuniste të çonin në pushkatim. 

I Lumi At Mati Prendushi:
Lindi në Shkodër më 1882. Mësimet e para e të mesme i kreu në Shkollën françeskane; të lartat, në Grac-Austri. Meshën e parë e çoi më 1904. Më 1911 ishte pranë Dedë Gjo'Lulit, në sa ky shpaloste në majë të Deçiqit flamurin shqiptar, larë me gjakun e bijve të vet. Jugosllavët e dënuan me vdekje si atdhetar i flakët, por më pas ia falën dënimin. Shërbeu si famullitar në Bajzë, Gomsiqe, Tiranë e Shkodër, ku më 1943 qe provinçal i fretënve.
U arrestua nga komunistët më 1946 e u dënua rishtas me vdekje, këtë radhë nga bashatdhetarët e vet, i akuzuar si tradhtar i Atdheut. U pushkatua më 11 mars 1948 te Zalli i Kirit.

Monsinjor Nikollë Deda:
Lindi në Shkodër më 1892. Mësimet e para e të mesme i kreu në vendlindje, pranë Kolegjës Saveriane, të lartat- në Romë (Itali) e në Insbruk (Austri). U shugurua meshtar më 1917: Shërbeu në Qelës (Pukë) e Hajmel. Gjatë këtyre viteve, për shërbim shembullor meshtarak, iu dha titulli Monsinjor. 
U arrestua në dhjetor 1946. E torturuan aq, sa kur i sollën në qeli një meshtar tjetër e nuk e njohu, e ai, me një humor tragjik, i tha: "Mos harro se dikur kam pasë kenë dom Nikollë Deda".
E gjykuan me akuzat e zakonshme në një gjyq-farsë. U dënua me vdekje dhe u ekzekutua më 11 mars 1948.

11 mars 2021, 12:38