Kërko

Vatican News
V Domenica di Quaresima Anno B  V Domenica di Quaresima Anno B  

Fjala e Zotit e dielës së 5-të të kohёs sё Kreshmëve “B”

Ungjilli i dielës, nga Gjoni, na paraqet javën e mbrame të jetës së tokësore të Jezusit. Pra, Jezusi gjendet në Jerusalem, në mesin e njerëzve: Zoti ndër njerëz! Ora e mundimeve të Jezusit tashmë është afër, e kështu ai ngjitet në Jerusalem për të kremtuar Pashkën që do të jetë Pashka e tij, eksodi tij nga kjo botë për tek Ati (krh Gj 13m1). Kështu, disa njerëz u kërkojnë apostujve: duam ta shohim Jezusin! Duam ta njohim! Është kjo një pyetje e ligjshme, një kërkesë që përsëritet me të drejtë, një pyetje që lexohet në sytë e shumë njerëzve.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj herët meditojmë së bashku leximet biblike të dielës së 5-të dhe të fundit të kohës së Kreshmëve, të ciklit të dytë, sipas kalendarit kishtar. 

Fjala e Zotit e dielës së 5-të të Kreshmëve na fton të depërtojmë thellë në misterin e Jezusit, që dëftohet në mundimet, në vdekjen dhe ngjallen e Tij e, ta kuptojmë domethënien e veprës shpëtimprurëse, misterin e shëlbimit për jetën e njeriut.  Ungjilli i së dielës nga Gjoni (Gjn 12,20-33) na paraqet javën e mbrame të jetës së tokësore të Jezusit. Jemi në Jerusalem, Jezusi në mesin e njerëzve: Zoti ndër njerëz! 

Skena ungjillore, pёr tё cilёn na flet Gjoni, zhvillohet në Jeruzalem ku, me rastin e festës së Pashkëve hebraike, kishin ardhur edhe disa grekë, që i tërhiqte fort feja e popullit hebre. E, duke pasë dëgjuar të flitej për një profet të ri, iu afruan Filipit, njërit nga dymbëdhjetë apostujt, e i thanë: “Duam të shikojmë Jezusin”.  Jezusi nuk u përgjigjet me një “po” a me një “jo”, por thotë: “Erdhi ora që biri i njeriut të lumnohet”. Prandaj, kush dëshiron ta njohë Jezusin duhet të shikojë kryqin, ku zbulohet gjithë lumnia e Tij.

 “Duam të shikojmë Jezusin’: këto fjalë, si shumë fjalë të tjera në Ungjijtë, shkojnë përtej episodit të veçantë e shprehin diçka universale; shprehin një dëshirë, që përshkon epoka e kultura, një dëshirë të freskët, të sotme, në zemrën e shumë e shumë njerëzve, të cilët e kanë dëgjuar Krishtin duke folur, por nuk e kanë takuar akoma. Dëshiroj ta shikoj Jezusin: këtë u thotë zemra këtyre njerëzve.

Episodi i Ungjillit tё kёsaj sё diele (Gjn 12,20-33) flet për disa grekë të fesë hebraike që, plot kureshtje për ta njohur nga afër Jezusin, i kërkojnë dishepujve të Tij ta ndihmojnë për ta takuar. E Jezusi e shfrytëzon rastin për të zbuluar diçka nga “identiteti” i Tij, përmes ngjarjes, që po ndodh para syve të tyre.

Krishti deklaron se ‘do të lartohet nga toka’, shprehje, kjo, me kuptim të dyfishtë: ‘i lartuar”, sepse i kryqëzuar, e ‘i lartuar’, sepse i ngjitur në qiell nga Ati në Ringjallje, për t’i tërhequr të gjithë pas vetes e për t’i pajtuar me Hyjin dhe ndërmjet tyre. Ora e kryqit, më e errëta e historisë, është edhe burim i shëlbimit për ata, që besojnë në Të.

Gjithnjë duke u folur grekëve, Jezusi i krahason Mundimet e Tij me kokrrën e grurit, që sjell fryt vetëm nëse vdes. Prej këndej, Kryqi është edhe shenjë e frytshme. Prandaj, atij personi, që dëshiron edhe sot ta shikojë Jezusin, pse e kërkon, pse ka mbetur te katekizmi i fëmijërisë a pse, mbase, edhe e ka humbur fare fenë, të krishterët mund t’i ofrojnë tri gjëra: Ungjillin, kryqin e dëshminë e fesë sonë, të varfër, po të sinqertë. Ungjilli: aty mund ta takojmë Jezusin, mund ta dëgjojmë, ta njohim. Kryqi, shenjë e dashurisë së Jezusit, që dhuroi vetveten për ne. E pastaj, një fe, që shprehet me gjeste të thjeshta e dashuri vëllazërore. Por, së pari, me koherencën ndërmjet asaj që themi e asaj që jetojmë; ndërmjet fjalëve e veprave. Ungjilli, kryqi, dëshmia

Ungjilli i Gjoni na kujton kokrrën e grurit që, duke u kalbur në tokë, krijon jetë të re. Jezusi erdhi mbi tokë, por do t’i duhej edhe të vdiste, për t’i çliruar njerëzit nga skllavëria e mëkatit  dhe e vdekjes e për t’u dhënë jetë të re. Edhe në ne, dishepujt e ithtarët e Krishtit duhet të kryhet ky dinamizëm i farës së grurit, i realizuar nga Jezusi. Jemi të thirrur ta bëjmë ligj të pashkëve tona humbjen e  jetës, për të marrë, pastaj, jetën e re, të amshuar. 

                                                         Liturgjia e Fjalës Hyjnore

Leximi i parë Jer 31, 31-34

Lexim prej Librit të Jeremisë profet
Ja, po vijnë ditët - është fjala e Zotit – kur do të lidh me shtëpinë e Izraelit e me shtëpinë e Judës një Besëlidhje të re. Jo si Besëlidhja që e pata bërë me etërit e tyre, atë ditë kur i mora për dore, për t’i nxjerrë nga toka e Egjiptit. Këtë Besëlidhje ata e thyen. Atëherë unë u dëftova se jam zotëria i tyre - është fjala e Zotit. Por ja Besëlidhja që unë do ta lidh pas këtyre ditëve me shtëpinë e Izraelit - është fjala e Zotit: Në shpirtin e tyre do ta fus Ligjin tim, do ta shkruaj në zemrën e tyre. Atëherë do të jem Hyji i tyre e ata do të jenë populli im. Dhe atëherë s’do të kenë nevojë ta mësojë njëri-tjetrin e vëllai vëllain: ‘Njihe Zotin!’, sepse të gjithë do të më njohin, prej më të voglit e deri në më të madhin – thotë Zoti – sepse do ta fal fajësinë e tyre e s’do ta kujtoj më mëkatin e tyre.”  Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.

Psalmi 51
Krijoje në mua, o Hyj, një zemër të pastër

Ki mëshirë për mua, o Hyj, 
sipas mëshirës sate,
pashë mirësinë tënde shlyeje mëkatin tim!
Më laj krejtësisht prej mëkatit tim
e më pastro prej fajit tim.

Krijoje në mua, o Hyj, zemrën e pastër,
përtërij në mua një shpirt të qëndrueshëm!
Mos më flak larg fytyrës sate,
mos e hiq prej meje shpirtin tënd të shenjtë.

Ma kthe gëzimin e shpëtimit tënd,
dhe më forco me shpirt të gatshëm.

Leximi i dytë Heb 5, 7-9

Lexim prej Letrës drejtuar Hebrenjve

Krishti, në ditët e jetës së vet këtu mbi tokë, i kushtoi urata dhe lutje me ofshame të mëdha dhe me lot Atij që mundte ta shpëtonte nga vdekja, dhe qe vështruar për shkak të nënshtrimit të vet. Ai, megjithëse ishte Bir, mësoi nga ato që pësoi të jetë i dëgjueshëm dhe, pasi e fitoi përsosmërinë, për të gjithë ata që e dëgjojnë, u bë shkaku i shëlbimit të amshuar.  Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

Kush do të më shërbejë, le të vijë mbas meje. Ku jam unë, atje do të jetë edhe shërbëtori im.
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

Ungjilli Gjn 12, 20-33

 Ungjillit shenjt sipas Gjonit

Në atë kohë, ndër ata që kishin ardhur në festë për të adhuruar, ishin edhe disa grekë. Ata iu afruan Filipit, që ishte prej Betsaidës së Galilesë, dhe iu lutën: “Zotëri, dëshirojmë ta shohim Jezusin.” Filipi shkoi dhe i tha Andreut; Andreu e Filipi shkuan e i treguan Jezusit. 
Jezusi u përgjigji: “Arriti ora të lavdërohet Biri i njeriut. Përnjëmend, përnjëmend po ju them: nëse kokrra e grurit e mbjellë në dhe nuk vdes, jet e vetme; po nëse vdes, jep shumë fryt! Kush e do jetën e vet, do ta humbë. Ai që e urren jetën e vet në këtë botë, ai do ta ruajë për jetën e pasosur. Kush do të më shërbejë, le të vijë mbas meje. Ku jam unë, atje do të jetë edhe shërbëtori im. Atë që do të më shërbejë, do ta nderojë Ati im. Tani shpirtin e kam të tronditur, e ç’të them? O Atë, më shpëto nga kjo orë? Porse, fill për këtë erdha në këtë orë! O Atë, jepi lavdi Emrit tënd!”
Ndërkaq jehoi një zë prej qiellit: “E lavdërova dhe prapë do ta lavdëroj!” Tashti, populli që ishte pranë dhe po dëgjonte, thoshte: “Bubulloi!” Tjerë thoshin: “Engjëlli foli me të!” Jezusi u përgjigji: “Ky zë nuk jehoi për mua, por për ju! Tani erdhi dita të gjykohet kjo botë, tani princi i kësaj bote do të hidhet jashtë! E unë, kur të jem lartësuar nga toka, do t’i tërheq tek unë të gjithë njerëzit.” Foli kështu për të shënuar se me ç’vdekje do të vdiste.  Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht!

Homelia nga Dom Dritan Ndoci, famullitar në Rranxa-Bushat,  krydioqeza e Shkodër-Pultit:

Homelia nga Dom Dritan Ndoci, famullitar në Rranxa-Bushat, krydioqeza e Shkodër-Pultit

HOMELIA E DIELA V E KREZHMEVE

KUR TË JEM LARTËSUAR NGA TOKA, DO T’I TËRHEQ TEK UNË TË GJITHË NJERËZIT (Jer 31, 31-34; Ps 51 (50); Heb 5, 7-9; Gjn 12, 20-33).

Kur ishte mbi turrën e druve dhe i kërkuan të thoshte fjalët e fundit, martirja e dashur franceze e shekullit XV, Shenjtja Zhanë d’Ark, tha: «Dua që të ma mbani një kryq lart, kështu që të mund ta shoh përmes flakëve.» E, britma e fundit plot dhimbje që i doli nga thellësia e shpirtit, ishte pikërisht emri «Jezus», aq sa thuhet se preku thellë e zhgrehu në lotë të gjithë të pranishmit, përfshi këtu edhe ushtarët që kishin përgatitur turrën e druve.

Jezusi në Ungjillin e sotëm thotë: «Kur të jem lartësuar nga toka, do t’i tërheq tek unë të gjithë njerëzit.» E ungjilltari menjëherë shpjegon: «Foli kështu për të shënuar se me ç’vdekje do të vdiste.» Jezusi, pra, pohon se pikërisht kur të kryqëzohet, do t’i tërhiqte zemrat e njerëzve kah vetja. Zemrën e martires që përmendëm, e kishte tërhequr aq fort, saqë, pikërisht Krishti i kryqëzuar, ishte e vetmja forcë që e ndihmoi të përballonte flakët e tmerrshme që ia dogjën padrejtësisht trupin e saj vetëm 19-vjeçar.

«Kryqi është një marrëzi, prej kësaj vjen lavdia e tij» – shkruante një tjetër francez i shekullit XIX, shkrimtari i njohur Viktor Hygo. E, në fakt, është “marrëzia” e dashurisë së pakufi. Prandaj edhe murgu i njohur italian i ditëve tona, Enzo Bianchi, shpjegon: «Nuk është kryqi ai që i ka dhënë lavdi Jezusit, por është Jezusi ai që e ka bërë kryqin të lavdishëm, duke e shndërruar atë nga vend poshtërimi në një vend dashurie.»

Pikërisht, për të dëshmuar dashurinë, Jezusi erdhi në botë. Prandaj, kur apostujt afrohen e i thonë se disa grekë duan ta takojnë, Ai thotë: «Arriti ora të lavdërohet Biri i njeriut.» Përgjigjja duket si pa lidhje me fjalët e apostujve, por Jezusi dallon në këtë gjest të këtyre grekë, një shenjë se po i afrohej çasti i mundimeve.

Grekët mbase ishin disa proselitë që banonin në tokat afër Izraelit ose mund të ishin disa shtegtarë të largët që kishin ardhur enkas «në Festë për të adhuruar». Mbase kishin dëgjuar për famën e Jezusit dhe donin ta shihnin.

Grekët përfaqësonin botën jo hebreje, pra botën pagane. Në letrat e Shën Palit dallohet qartë se dy janë kategoritë të cilave predikimi i tij u drejtohej: hebrenjve, pra atyre që kishin gjak izraelit, dhe grekëve, që nënkuptonte gjithë pjesën tjetër të botës. Jezusi e kupton se i erdhi çasti për të pësuar për shëlbimin e mbarë botës, prandaj thotë: «Arriti ora».

E menjëherë Jezusi fillon të shpjegojë efektet e vdekjes së tij: «Nëse kokrra e grurit e mbjellë në dhe nuk vdes, jet e vetme; por nëse vdes, jep shumë fryt.» E, ata që i shkojnë pas, i fton që të bëjnë si Ai: «Kush do të më shërbejë, le të vijë mbas meje!»

Me kryqin e Tij, Jezusi na ka sjellë faljen e mëkateve dhe jetën e re me Hyjin. Ka realizuar atë që Hyji vetë e paralajmëronte përmes Jeremisë profet, siç dëgjuam në leximin e parë: «Ja, po vijnë ditët – është fjala e Zotit – kur do të lidh me shtëpinë e Izraelit e me shtëpinë e Judës një Besëlidhje të rë... Unë do ta fal fajësinë e tyre e s’do ta kujtoj më mëkatin e tyre.»

Por, kjo vepër shëlbuese, kjo «Besëlidhje e re dhe e amshuar», nuk do të arrihej pa mundimet dhe vdekjen e dhimbshme. Prandaj, duke e paraparë këtë, Jezusi thotë: «Tani shpirtin e kam të tronditur e ç’të them? O Atë, më shpëto nga kjo orë!» Edhe në kopshtin e ullinjve, natën kur do ta arrestonin, Jezusi do të thoshte: «O Atë, nëse do, largoje këtë gotë prej meje!»

Edhe pjesa Letrës së drejtuar Hebrenjve që dëgjuam sot e dëshmon zorin e Jezusit përballë vdekjes: «Krishti, në ditët e jetës së vet këtu mbi tokë, i kushtoi urata dhe lutje me ofshame të mëdha dhe me lot Atij që mundte ta shpëtonte nga vdekja.»

Nuk duhet të na habisë ky reagim i Jezusit përballë vuajtjes. Vuajtja dhe vdekja e njeriut nuk ishin pjesë e planit të krijimit në fillimin e botës, por Hyji i lejoi ato pas mëkatit, për shëlbimin tonë. Si njeri, Jezusi nuk mund të mos ndiente kundërshtim përballë vdekjes.

Një ankth vërtetë i madh, pra, ia kishte kapluar shpirtin Jezusit. Por Ai, gjithsesi, nuk është ndalur në këtë kërkesë të bërë Atit të vet për t’ia larguar vdekjen. Menjëherë ka shtuar: «Veçse, le të bëhet jo vullnesa ime, por vullnesa jote!» Të njëjtën gjë, edhe pse me fjalë të tjera, thotë edhe në Ungjillin e sotëm: «Porse, fill për këtë erdha në këtë orë! Atë, jepi lavdi emrit tënd!»

Jezusi, gjithësesi, nuk është tërhequr prapa përballë vuajtjes e kryqit, pikërisht nga dashuria e madhe për Atin e vet dhe për njeriun. Letra e drejtuar Hebrenjve thotë: «... dhe qe vështruar për shkak të nënshtrimit të vet», duke shpjeguar se Ati nuk ia largoi vdekjen, por, falë «nështrimit» plot dashuri ndaj Atit, Jezusi gjeti forcën që ta realizonte atë plan të vështirë shëlbimi. Kështu Jezusi na ka zbuluar se cila është fytyra e vërtetë e Hyjit Trini.

Njeriu do ta kishte keqkuptuar Jezusin, sikur ky të mos ishte përvujtëruar aq shumë deri në kryq.Thoshte shkrimtari italo-argjentinas i shekullit të kaluar, Antoni Porchia: «Njeriu do të kishte dëshirë të ishte Hyj, nëse nuk do të ishte kryqi». Kështu e kuptojmë mirë se kë zgjedhim, kur zgjedhim Jezusin.

T’i kthehemi Ungjillit. Ati i përgjigjet me zë të dëgjueshëm kërkesës së Birit të vet dhe, ky zë, dëgjohet edhe nga të pranishmit: «E lavdërova dhe prapë do ta lavdëroj.» Ati gjithnjë e ka dëshmuar misterin e dashurisë së Tij dhe përsëri do ta dëshmojë në të ardhmen, me vdekjen dhe ngjalljen e Birit të vet. Prandaj, të pranishëmve që menduan se «bubulloi» apo «Engjëlli foli me të.», Jezusi u shpjegon: «Ky zë nuk jehoi për mua, por për ju», duke u përpjekur t’i bëjë të kuptojnë se Ati po i fton të kenë besim në Birin, edhe tani që po afrohet «ora» e mundimeve të Tij.

Kjo «orë» mundimesh, do të sillte edhe mposhtjen e djallit, i cili gjithnjë përpiqej t’ua shtrembëronte njerëzve imazhin mbi Zotin, duke i mashtruar në forma të ndryshme që të mos besonin në dashurinë e Tij dhe në dashurinë që Ai mësonte: «Tani erdhi dita të gjykohet kjo botë, tani princi i kësaj bote do të hidhet jashtë.» – thotë Jezusi.

Pas gjithë këtyre fjalësh e ngjarjesh, atëherë Jezusi thotë ato fjalët që i cituam edhe në fillim: «E unë, kur të jem lartësuar nga toka, do t’i tërheq tek unë të gjithë njerëzit.»

Jezusi, pikërisht i kryqëzuar, ka tërhequr tek vetja turmat e atyre që ishin të etur për të vërtetën, për dashurinë e për paqen. Ka tërhequr kah vetja edhe më fort ata që kërkonin haptas Hyjin. Kështu, kanë arritur t’u bënin ballë vështirësive të papërshkrueshme.

Në jetën e shqiptarit të Lum, Dom Marin Shkurtit, i cili u pushkatua nga komunistët gjatë periudhës diktatoriale, thuhet se e ndieu thirrjen për meshtari pikërisht kur tashmë në Shqipëri ishin pushkatuar ipeshkvinj e meshtarë të shumtë e shumë të tjerë po dergjeshin nëpër burgje.

Ende praktikimi i fesë nuk ishte ndaluar me ligj e prandaj komunistët u përpoqën ta bindnin me të mirë që të hiqte dorë nga kjo dëshirë e tij. Fillimisht me premtime të ndryshme, por pastaj, duke e parë se nuk ndryshonte mendim, gjatë një takimi në zyrat e pushtetarëve lokalë, i thanë haptas: «Atëherë, nuk do ta gëzosh meshtarinë.» Dom Marini u përgjigj menjëherë: «Edhe nëse do ta jetoja për tri ditë, më mjaftojnë, do të jetë gëzimi im më i madh.» Do ta pushkatonin dymbëdhjetë vjet pas kësaj bisede, kur tashmë kishte tetë vjet si meshtar.

Si shumë shenjtërve të tjerë, Krishti i kryqëzuar, edhe këtij djaloshi engjëllor ia kishte pushtuar zemrën dhe e kishte tërhequr tek vetja. Prandaj besojmë se këta njerëz tashmë gëzojnë lumturinë e Parrizit. Jezusi vetë e thotë në Ungjillin e sotëm: «Ku jam unë, atje do të jetë edhe shërbëtori im.»

Dom Dritan Ndoci

 

20 mars 2021, 11:07