Kërko

Vatican News
2021.03.31 don Kole Dedaj 2021.03.31 don Kole Dedaj 

Dom Kolё Dedaj: misteri Pashkëve, përmes Kryqit të Krishtit tek drita Ngjalljes

Dom Kolё Dedaj: Përkohshmëria e kryqit nё Dritёn e Krishtit tё Ngjallur. Edhe Pashkët e sivjetshme do të jenë të veçanta, përtej veçorisë që mbartin zakonisht me vete. Kёtyre ditëve rijetojmë misterin e shëlbimit të njeriut përmes kryqit. Kryqet tona të përditshme t’ia bashkëngjisim kryqit të Krishtit i cili do t’i shndërrojë në një pemë frytdhënëse. Kёtyre ditëve të shkojmë, me Jezusin, nga darka e tij e fundit, përmes tradhtisë, mundimeve të pashoqe e përmes vdekjes në heshtjen e të shtunës së varrit e deri te Ngjallja e të dielës.

R.SH. - Vatikan

Përkohshmëria e kryqit nё Dritёn e Krishtit tё NgjallurSa kemi nevojë për një ripërtërije në këtë Kalvar të ditëve tona! Sa kemi nevojë të këndellemi prej plogështisë tonë, sidomos në këtë kohë pandemie, të cilës as emrin nuk kam dëshirë t’ia përmend prej neverisë së përdorimit të tepërt. Dua të përcjellë një mesazh shprese, tek të gjithë ata që përjetojnë në këtë kohë Kalvaret e kryqet e tyre e t’iu kujtoj se vjen Dielli i pashkëve”, kёshtu shprehet zёvendёs-rektori i Seminarit Ndёrdioqezan “Nёna e Kёshillit tё Mirё” nё Shkodёr, meshtari nga dioqeza Prizren-Prishtinё, dom Kolё Dedaj nё reflektimin e tij kushtuar Javёs sё Madhe e posaçёrisht Treditёshit tё Shenjtё tё Pashkёve 2021. Ta dёgjojmё:

Dom Kolё Dedaj reflektim mbi Treditёshin e Shenjtё tё Pashkёve 2021.

Pashkёt 2021

Edhe Pashkët e sivjetshme do të jenë të veçanta, përtej veçorisë që mbartin zakonisht me vete. Kёtyre ditëve do të rijetojmë misterin e shëlbimit të njeriut përmes kryqit. Kryqet tona të përditshme do t’ia bashkëngjisim kryqit të Krishtit i cili do t’i shndërrojë nga një pemë shterpë në një pemë frytdhënëse. Kёtyre ditëve do të shkojmë, me Jezusin, nga darka e tij e fundit, përmes tradhtisë, mundimeve të pashoqe e përmes vdekjes në heshtjen e të shtunës së varrit e deri te Ngjallja e të dielës.

Sa kemi nevojë për një ripërtërije në këtë Kalvar të ditëve tona! Sa kemi nevojë të këndellemi prej plogështisë tonë, sidomos në këtë kohë pandemie, të cilës as emrin nuk kam dëshirë t’ia përmend prej neverisë së përdorimit të tepërt.

Dua të përcjellë një mesazh shprese, tek të gjithë ata që përjetojnë në këtë kohë Kalvaret e kryqet e tyre e t’iu kujtoj se vjen Dielli i pashkëve, me anë të një meditimi të dom Tonino Bello-s. Ai thotë:

“Në Bazilikën e vjetër të Mofletta-s gjendet një kryq i madh prej deltine të pjekur. Famullitari, në pritje për ta vendosur në vendin e tij përfundimtarë, e kishte mbështetur për dollapë të sakrestisë dhe kishte vendosur një karton me shkrimin: Vendndodhje e përkohshme. Shkrimin, që në fillim e pata ngatërruar për titull të veprës artistike, m’u dukë provanisht i frymëzuar, sa që e luta famullitarin të mos e heq kryqin për asnjë arsye prej aty, nga ai dollap i zhveshur, nga ai vend i pasigurt me atë katron të verdhë.

Vendndodhje e përkohshme. Mendoj se nuk ka formulë më të mirë për të përkufizuar kryqin, kryqin tim e kryqin tënd, s’di për atë të Krishtit.

Guxim, pra ti që vuan i gozhduar në karrocë! Kuraj, ti që ndjen kafshimet e vetmisë! Ki besim, ti që pi prej kelkut të hidhur të braktisjes! Mos shfryej mllef, ti që sheh veten duke u shkatërruar dita ditës nga një e keqe që nuk të falë! Fshij lotët, ti që ke qenë therur pas shpine nga ata që i mbaje për miq! Mos i tërhiq rremat në barkë, ti që je i lodhur duke luftuar e që ke mbledhur zhgënjime pa fund! Kuraj, se kryqi yt, edhe sikur të zgjaste gjithë jetën, është gjithmonë Vendndodhje e përkohshme. Kalvari, vendi në të cilën ai është i mbjellë nuk është zonë banimi. Dheu i asaj kodre, në të cilën shteret vuajtja jote, nuk do të shitet kurrë si tokë ndërtimi.

Edhe ungjilli na nxitë të kemi parasysh përkohshmërinë e kryqit. Një rresht më se i dendur e përmbledh krejt tragjedinë e krijimit në çastin e vdekjes së Krishtit: ‘Kur u bë ora gjashtë [mesditë] errësira e mbuloi mbarë dheun deri në orën nëntë [tre pasdite]’ (Mk 15,33). Ndoshta është vargu më i errët i gjithë Biblës, por për mua është ndër më të ndriturit, pikërisht për atë kufizim orari që ngushtojnë, si të ishin dy shtylla të paluajtshme, kohën në të cilën i lejohet errësirës t’i vërsulet tokës. Nga mesdita deri në pasdite, ja brigjet që përkufizojnë lotët njerëzor. Ja, roletat që ngjeshin hapësirën e rrethshkruar të të gjitha dënesjeve të tokës. Ja, barrikadat brenda të cilave konsumohen të gjitha agonitë e bijve të njeriut. Nga mesdita deri në tre të pasdites. Vetëm në këtë kohë lejohet ndalimi në Golgotë e përjashta këtij orari është ndalim parkimi absolut. Pas tre orëve do të jetë largimi i dhunshëm i të gjitha kryqeve. Një ndalim më i gjatë do të mbahej si abuzim edhe prej Hyjit. Kuraj, vëlla që vuan! Mungojnë edhe pak çaste deri tek ora tre e pasdites sate. Pas pak errësira do t’ia lëshoi vendin dritës, e toka do t’i rifitoi ngjyrat zanafillore e Dielli i Pashkëve do të depërtoi nëpërmes reve që ikin”.

Ja, këto fjalë përmbledhin, në mënyrë poetike, misterin e Pashkëve. Na tërheqin shikimin, larg prej kryqeve tona, nëpërmes kryqit të Krishtit tek drita Pashkore. Mos t’i heqim sytë prej kryqit të tij e të mbajmë gjithnjë kujtimin e freskët të asaj që na pret pas kryqit. E mos të harrojmë se, nëse Hyji është me ne kush mund të jetë kundër nesh (krh. Rm 8,31b).

Dom Kolë Dedaj

Shkodër

31 mars 2021, 09:58