Kërko

Vatican News

Çelësi i fjalëve të Kishës. Zbulesa, shtatë engjëjt

Kur flitet për dënime, Apokalipsi nuk ka të dytë. Në luftën kundër egërsirës, që përshkruhet në Librin e Zbulesës, të cilin po e komentojmë që prej disa të enjtesh tashmë, fitorja është “një shenjë e madhe dhe e mrekullueshme”. Janë shtatë engjëjt e shtatë plagët, që shprehin zemërimin e Hyjit. Ndjekim, si gjithnjë, vëllimin “Është ora e leximit të Biblës”, shkruar nga meshtari italian don Federico Tartaglia.

R.SH. - Vatikan

Në Apokalipsin mrekullohemi nga mënyra me të cilën Zoti e shpreh zemërimin e Tij. Është mrekulli në vetvete e, pikërisht për këtë arsye, në Librin e Zbulesës këndohet pa fund e kremtohen veprat e madhërueshme të Hyjit, së bashku me triumfin e Tij mbi të keqen.

Kapitulli 16 i thur lavde hakmarrjes së Zotit, kupat derdhen mbi tokë e ata, që mbajnë vulën e egërsirës përfshihen në këtë vorbull. Duket sikur jemi në Ferrin e Dantes (kushedi sa herë do ta ketë lexuar e bërë të tijën Zbulesën, poeti hyjnor), ku mundimet jetohen deri në fund nga ta, që u kanë shkaktuar mundime të tjerëve në jetë, sipas rregullës, që Papa Inoçenci III (1198) e pati shpjeguar kështu:

“Për këtë, Zoti derdhi një shi nga vetvetja, jo shi uji as vese, por squfur mbi kutërbimin e epshit, zjarr mbi flakët e joshjes së pakontrolluar, në mënyrë që mundimi t’i kundërvihej fajit”.

Libri i Zbulesës është si ndonjë libër lufte, i pakuptueshëm për njeriun modern, i cili lufton me vetveten prej kohësh, për të kapërcyer ndjenjën e fajit e të frikës e nuk dëshiron më t’i rishikojë veprimet e tij, në dritën e këtyre emocioneve. E, në këtë pikë, teksti bëhet aq i padurueshëm, sa ka rrezik ta lëmë mënjanë, pasi nuk gjejmë në të asnjë përfitim, madje, ndiejmë diçka të rrezikshme e të dëshme në këtë hakmarrje hyjnore.

“Je i drejtë Ti që je e Ti që ishe, o Shenjti vetë, pse me të drejtë vendose kështu, sepse ata e patën derdhur gjakun e të drejtëve dhe të profetëve! Tani u jep të pijnë gjak! E kanë merituar!” (Zb 16,5-6).

Një Libër kaq njerëzor, sa bëhet gati tribal. Ferri, zjarri, gjaku – fundi i botës, ku ndodh një rënie e re, ajo e Babilonisë, lavires së madhe! Ajo, “e dehura nga gjaku i shenjtorëve dhe i martirëve të Krishtit”.

Nuk është e lehtë të vijojmë leximin. Është një gjuhë, që nuk na përket e një lutje, që nuk arrijmë ta bëjmë tonën, por kur qielli spastrohet nga retë, kur dëgjojmë këngët e lavdit të të vjetërve dhe të të ftuarve në dasmën e Qengjit, qetësohemi. Dasma është gati, nusja është e veshur më një fustan liri, që shkëlqen. Duket se po mbërrin një përfundim i lumtur.

Por, nuk është kështu, qielli hapet sërish. Skena lëviz sipas skemës “deus ex machina” e duket një kalë i bardhë e një betejë e re. Është Fjala e Zotit, mbështjellë me një mantel të ngjyer me gjak, me një shpatë të mprehtë në dorë: Mbret i mbretërve, Zot i zotave, ky është emri i tij. Dukja e fundit e beteja e fundit, përfundimtarja. Banketi mbetet pezull. Qengji zhduket e bashkë me të edhe jehona e këngëve të lavdit. Sërish duket egërsira, që kapet dhe hidhet e gjallë në zjarr. A është vërtet fundit? Në të vërtetë, jo, por për këtë do t’ju flasim në emisionin e ardhshëm.

18 mars 2021, 09:01