Kërko

Vatican News

Çelësi i fjalëve të Kishës. Zbulesa, qielli i ri e toka e re

Jemi në fundin e Librit të Zbulesës e edhe të krejt ciklit tonë të gjatë kushtuar Biblës. Në kapitujt e mbramë, jemi para një kohe të re, njëmijë vjeçare, në të cilën gjarpri i lashtë (pas egërsirës) hidhet në humnerën pa fund, ndërsa martirët ringjallen e qeverisin botën. Ndjekim, si gjithnjë, vëllimin “Është ora e leximit të Biblës”, shkruar nga meshtari italian don Federico Tartaglia.

R.SH. - Vatikan

Nuk na thuhet pse, por Satani lirohet në përfundim të njëmijë viteve dhe i josh për herë të fundit të gjitha kombet e tokës, derisa zjarri ta djegë djallin dhe të gjithë ata, që ka pas vetes. E kështu, na thuhet, ata do të mundohen “ditë e natë, në shekuj të shekujve”. Mbetet skena e fundit, ku duket Jeruzalemi qiellor, në të cilin të gjithë janë të mbështjellë me dritë, lavdi e paqe.

Ja koha përtej kohrave, në të cilën gjithçka e mëparshme zhduket: armiqtë e lufta, dhuna e persekutimi, gjaku e hakmarrja e gjithçka bëhet e përsosur.

“Atëherë pashë një qiell të ri e një tokë të re, sepse qielli i parë dhe toka e parë u zhdukën, as deti nuk është më. Pashë edhe qytetin e shenjtë - Jerusalemin e ri: zbriste nga qielli, prej Hyjit, i stolisur porsi nusja e përgatitur për fatin e vet” (Zb 21,1-2).

Pas gjithë këtij gjaku e pas gjithë kësaj lufte, skena përfundimtare është martesa e Qengjit, që rri mbi fron dhe “i bën të reja të gjitha gjërat”, me nusen e tij, qytetin shenjt të Jeruzalemit, që shkëlqen në lavdi.

“Në qytet tempull nuk pashë: sepse tempulli i tij është Zoti, Hyji, i Gjithëpushtetshmi edhe Qengji. Qyteti s’ka nevojë për diell as për hënë për t’u ndriçuar, sepse ndriçon Lavdia e Hyjit, kurse llamba e tij është Qengji” (Zb 21,22-23).

Nuk është fjala për ndonjë rit martese, por për një krijim të ri, ku zhduken koha, hapësira, shenjat dhe ku qyteti e tempulli, dhëndrri e nusja, janë një realitet i vetëm, që quhet “dritë”. Kjo është figura përfundimtare e Librit të Zbulesës:

“Nuk do të ketë natë as drita e llambës më nuk do të duhet as drita e diellit, sepse Zoti Hyj do të shndrisë mbi ta dhe ata do të mbretërojnë në shekuj të shekujve” (Zb 22,5).

Zoti është dritë, bota që do të vijë është dritë, jeta jonë, përtej kohës e hapësirës, është dritë. S’ka më errësirë, kjo do të thotë drita për ne, që jetojmë mbi tokë, kemi frikë e luftojmë çdo ditë me hijet. Mungesë errësire, hijesh, gjërash që nuk shihen e që s’kuptohen e, në vend të tyre, qartësi, ngrohtësi, bardhësi, materie, shpirt, energji. Gjithsesi, dëgjohet akoma jehona e terrorit dhe e zemërimit, zhdukja e së cilës bën pjesë në shpresën e Jeruzalemit qiellor:

“Përjashta mbesin qentë, shortarët, fëlligështarët, idhujtarët dhe të gjithë ata që e duan ose e vënë në zbatim rrenën” (Zb 22,15).

Kështu përfundon vegimi i Apokalipsit, me këtë thirrje të Engjëllit, por vetë Libri e krejt Bibla nuk përfundojnë kështu. Ka pak kohë për të dëgjuar dialogun e fundit ndërmjet dhëndrrit e nuses, ndërmjet Jezu Krishtit e çdo njeriu, që e pret atë:

“Unë jam… Ylli i ndritshëm i mëngjesit!” (Zb 22,16).

“Eja!” (Zb 22,17).

“Po, po vij për së shpejti! Amen! Eja, o Zot, Jezus!” (Zb 22,20).

Emocion i jashtëzakonshëm kur arrijmë deri këtu! Në fund të historisë, në fund të Apokalipsit, në fund të Besëlidhjes së Re, në fund të Biblës.  Duam të gjejmë akoma fjalë për të dëgjuar, të vërteta për t’u hetuar e një Zot, të cilin duam ta kërkojmë e ta gjejmë, por na mbetet caku, përtej të cilit nuk shkojmë dot me ide e me arsye.

Libri i Zbulesës i erdhi në ndihmë etjes sonë për Zotin e për drejtësinë e Tij, në një botë të fshikulluar nga dhuna. Por tani, kemi nevojë të sintetizojmë, të inkuadrojmë, të gjejmë një ide, që i përmbledh të gjitha. Vetëm se Bibla nuk na jep ide të qarta e të paracaktuara, por fjalë me një pushtet të madh e të mrekullueshëm, ndonëse shpesh, pikërisht kur mendonim se i kuptuam, na nxisin të bëjmë njëmijë pyetje të tjera.

Libri i Zbulesës e mbyll këtë udhëtim të jashtëzakonshëm, duke na pohuar se para qiejve e tokës së re, kaosi është rendi i kësaj bote, arsyeja lufton me të paarsyeshmen, brenda e jashtë secilit prej nesh. Ama fjalët e Biblës, pavarësisht se nuk janë zgjidhja e këtij luftimi gati trup me trup, janë armët e mrekullueshme, që na jep Zoti në betejë! Siç thotë Isaia profet:

“O ju të gjithë që jeni të etshëm, ejani tek ujët,

le të vijnë gjithashtu edhe ata që s’kanë para!

Bleni drithë e hani;

ejani e bleni pa para e pa pagesë verë e qumësht!

 

Pse t’i shpenzoni paratë në atë që s’është bukë

dhe mëditjen tuaj në gjëra që nuk ngijnë?

Nëse më dëgjoni mua do të hani çka është e mirë,

e do të shijoni ushqime të shijshme!

 

Ma vëni veshin e ejani tek unë,

më dëgjoni e shpirti juaj do të jetojë!” (Is 55,1-3)

25 mars 2021, 15:55