Kërko

Vatican News

Të meditojmë me Ungjillin e së dielës I të Kreshmёve

Të dielën e parë të Kreshmëve, Ungjilli sipas Markut na jep shembullin e Jezu Krishtit, i cili pasi mundi tundimet e djallit në shkretëtirë, filloi të predikonte në Galile. Kreshmët, që sapo filluan, janë sidomos periudhë reflektimi mbi misteret e shëlbimit tonë, në qendër të të cilit janë mësimet dhe veprat e Jezu Krishtit. Shëlbuesi ynë mori formën njerëzore, pra, u përvuajt deri në gjendjen tonë dhe nuk ia kurseu vetes as përvojën e tundimit. Në natyrën e tij njerëzore, Jezusi përjetoi nga afër se ç’do të thotë ta refuzosh djallin dhe të vendosësh Hyjin në plan të parë. Zoti ynë është udhërrëfyesi e shembulli ynë për gjithçka. Por le të ndjekim Ungjillin...

R.SH. - Vatikan

Të dielën e parë të Kreshmëve, Ungjilli sipas Markut na jep shembullin e Jezu Krishtit, i cili pasi mundi tundimet e djallit në shkretëtirë, filloi të predikonte në Galile. Kreshmët, që sapo filluan, janë sidomos periudhë reflektimi mbi misteret e shëlbimit tonë, në qendër të të cilit janë mësimet dhe veprat e Jezu Krishtit. Shëlbuesi ynë mori formën njerëzore, pra, u përvuajt deri në gjendjen tonë dhe nuk ia kurseu vetes as përvojën e tundimit. Në natyrën e tij njerëzore, Jezusi përjetoi nga afër se ç’do të thotë ta refuzosh djallin dhe të vendosësh Hyjin në plan të parë. Zoti ynë është udhërrëfyesi e shembulli ynë për gjithçka. Por le të ndjekim Ungjillin e Markut (Mk 1,12-15).

12 Në atë kohë, Shpirti Shenjt e shtyu Jezusin të shkojë në shkretëtirë. 13 Në shkretëtirë qëndroi dyzet ditë, ku u vu në provë prej djallit. Rrinte me egërsira dhe engjëjt i shërbenin. 14 Pasi e burgosën Gjonin, Jezusi shkoi në Galile. Atje predikonte Ungjillin e Hyjit. 15 Thoshte: “Koha u plotësua e Mbretëria e Hyjit është ngjat! Kthehuni e besojini Ungjillit!”.

Të lutemi së bashku:

 

Tundimi është pjesë e jetës sonë prej dishepujsh.

Vërtet, as Ti vetë, o Jezus,

nuk u tërhoqe

para sprovës në shkretëtirë.

 

E kështu, doli në pah qartë

vërtetësia e dashurisë tënde për Atin qiellor,

bindja jote për planin e tij të shpëtimit,

gatishmëria për të kryer

deri në fund vullnetin e Tij,

besimi yt pa kushte

në praninë e në Fjalën e Tij.

 

Nëse secilit prej nesh i kërkon

t’i besojë Ungjillit tënd,

t’i besojë mirësisë së Zotit,

e bën këtë, sepse Ti i pari

e more këtë vendim

të rëndësishëm për misionin tënd.

 

Ti je krejt i tejdukshëm

para dhembshurisë së Atit,

që përmes Teje arrin tek çdo krijesë.

Asgjë e askush nuk mund ta cekë sadopak

bashkimin e thellë, që të lidh me Atin,

as vështirësitë e refuzimet, që do të hasësh më vonë,

as sharjet, as përçmimi,

që do të tregojnë për Ty,

as vuajtjet e mundimet e patregueshme

të vdekjes mbi kryq.

 

Së bashku me Ty, o Jezus, edhe ne

mund t’i bëjmë ballë pa frikë

keqedashjes së njerëzve, sulmeve të Tunduesit.

 

 

20 shkurt 2021, 08:47