Kërko

Smom, në audiencën me Papën, ripohimi i primatit të vëllazërimit

Takimi i Papës Françesku me Trupin Diplomatik të akredituar në Selinë e Shenjtë, në fjalët e ambasadorit të Urdhrit Sovran Ushtarak të Maltës (Smom), Antonio Zanardi Landi

R.SH. - Vatikan

Fjalimi i Papës Françesku për Trupin Diplomatik të akredituar në Selinë e Shenjtë ishte “ripohim i primatit të vëllazërimit”, aspekt që e preku jashtëzakonisht ambasadorin e Urdhrit Sovran Ushtarak të Maltës (SMOM) në Selinë e Shenjtë, Antonio Zanardi Landi, i pranishëm në takimin vjetor me Papën, më 8 shkurt.

Përtëritja shpirtërore, përgjigjja e Papës për Covid-19

Audienca, kujton ambasadori në një intervistë për Vatican News, u përqendrua në pandeminë e koronavirusit, e cila ka shkaktuar jo vetëm krizë të thellë shëndetësore, por edhe probleme me ambientin, ekonominë e politikën. “Papa - shpjegon Zanardi Landi – pasqyroi gjerësisht problemet e botës, për të vënë në dukje se pandemia ka shërbyer si përshpetjues në krizën e marrëdhënieve njerëzore, në krizën antropologjike, që është problemi i madh i ditëve të sotme”.

Pandemia, tha Papa Françesku gjatë audiencës, “ka nxjerrë në pah rreziqet dhe pasojat e një mënyre jetese të mbizotëruar nga egoizmi dhe nga kultura e hedhurinave e na ka vënë para një alternative: të vazhdojmë udhën e përshkuar deri tani, ose të nisemi për udhë të re”. Papa, shpjegon diplomati, “e përdori tragjedinë e pandemisë për të propozuar një rinovim shpirtëror, ndikimi i të cilit do të duket në të gjithë sektorët, marrë në shqyrtim gjatë fjalimit të tij”. Për Zanardi Landin, këshilla e Papës për të dalë nga situata, duket qartë në fjalët e fundit të tij, kur pohon se “vëllazërimi është ilaçi i vërtetë dhe i vetëm për pandeminë dhe për gjithçka rrjedh prej saj”. Po kështu, edhe për vaksinat, shton diplomati, për të cilat Papa nënvizoi se “logjika e fitimit nuk mund të jetë udhërrëfyese në një sektor kaq delikat”. Françesku, vijon ambasadori, ripohoi “primatin e vëllazërimit, gjë që më preku shumë. Ai e tha në fund të fjalës së tij, pasi kishte prekur një tjetër pikë kyçe, e cila sot është ndoshta problemi kryesor i shoqërive tona, ai i katastrofës edukative”. Është bërë tejet e vështirë për fëmijët e të rinjtë “të ndjekin udhë formuese koherente, produktive, që i çojnë drejt integrimit të harmonishëm me shoqërinë”.

Smom në Irak, udhëtimi i ardhshëm i Papës

Në fjalimin e tij para Trupit Diplomatik, Papa përmendi udhëtimin apostolik, që do të bëjë në Irak, nga 5 deri më 8 mars. Gjatë shkëmbimit të disa fjalëve me Atin e Shenjtë, ambasadori i Urdhërit të Maltës, Zanardi Landi, vuri në dukje punën që po bën në Irak ky institucion, përmes agjencisë së tij ndërkombëtare humanitare, Malteser International. Aktualisht, ka një projekt të rëndësishëm humanitar, të financuar nga qeveria gjermane, në Pllajën e Ninives, për të siguruar kthimin në shtëpi të të ikurve nga dhuna e Isisit. Ai parashikon rindërtimin e shtëpive, spitaleve dhe shkollave në Karakosh, zonë, që Papa do ta vizitojë më 7 mars, sipas programit. “Ati i Shenjtë më befasoi, - shton Zanardi Landi - sepse më kërkoi t’i shpreh mirënjohjen e tij Urdhrit të Maltës për veprimtaritë, që po kryen gjatë pandemisë. Përmendi veçanërisht misionin e Urdhrit në asistencën shëndetësore dhe mikpritjen. Ma tha këtë në një mënyrë, që m’u duk shumë e përzemërt, prandaj, më preku”.

Shqetësimi i Papës për mbijetesën e njerëzimit

Ndërmjet temave të shumta, trajtuar nga Papa, hyrja në fuqi e Traktatit për ndalimin e armëve bërthamore, disa ditë më parë, si edhe, vuri në dukje Ati i Shenjtë, “zgjatja për pesë vite të tjera të Traktatit të Ri për Reduktimin e Armëve Strategjike (i ashtuquajturi New START) ndërmjet Federatës Ruse dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”. Një nga çështjet më urgjente në botë sot, deri në atë pikë sa “kreu i Kishës Katolike deshi t’i sensibilizojë qeveritë për rëndësinë e një çështjeje, nga e cila, sipas tij, varet mbijetesa e njerëzimit”.

10 shkurt 2021, 12:03