Kërko

Vatican News

Shën Maria ndërmjet Krishterimit e Islamit, kurs online

Një sërë seminaresh në internet, duke filluar nga 18 shkurti, kushtuar Shën Marisë, model feje dhe jete për Krishterimin dhe Islamin, organizuar e realizuar së bashku nga Akademia Papnore Mariane Internationalis me Komisionin e saj Ndërkombëtar Marian Kristiano-Mysliman; nga Universiteti Papnor “Antonianum” me Katedrën e tij të Studimeve Mariologjike “I Lumi Gjon Duns Skot”; nga Qendra Kulturore Islame e Italisë me Xhaminë e Madhe të Romës.

R.SH. - Vatikan

Duke filluar nga data 18 shkurt, kush dëshiron mund të marrë pjesë falas në një sërë seminaresh në internet (uebinarë) kushtuar Shën Marisë, model feje dhe jete për Krishterimin dhe Islamin. Ato organizohen nga Akademia Papnore Mariane Internationalis me Komisionin e saj Ndërkombëtar Marian Kristiano-Mysliman; nga Universiteti Papnor “Antonianum” me Katedrën e tij të Studimeve Mariologjike “I Lumi Gjon Duns Skot”; nga Qendra Kulturore Islame e Italisë me Xhaminë e Madhe të Romës.

 Pandemia aktuale po e bën gjithnjë e më urgjente nevojën për ta parë njëri-tjetrin si vëllezër e motra, sepse vetëm një botë vëllezërish dhe motrash, që e konsiderojnë edukimin e kulturës së dialogut si udhën e vetme për të bashkëpunuar e për t’u njohur reciprokisht, do të jetë në gjendje të ndërtojë një të tashme dhe një të ardhme të ndryshme, ku ligji i më të fortit zëvendësohet nga forca e butë e një ligji, që pasqyron gjithnjë e më shumë vlerat themelore të njeriut, bërë jo për ndonjë garë drejt fitores e mbizotërimit, por për të bashkëjetuar e për t’i konsideruar ndryshimet si pasuri e pashterrshme.

Zoja e Bekuar në bazilikën e Shën Sofisë, tashmë xhami, Stamboll
Zoja e Bekuar në bazilikën e Shën Sofisë, tashmë xhami, Stamboll

Figura e Marisë në fetë monoteiste

Figura e Shën Marisë, një grua e nderuar nga hebrenjtë, të krishterët e myslimanët, i përket pa dyshim rrugës, proceseve dhe përvojave, që kontribuojnë në një udhë të tillë edukative, e cila nuk synon uniformimin, por pranimin e identitetit të të tjerëve, duke mësuar prej tij. Duke qenë pjesë e tri botëve fetare dhe shumëkulturore (Judaizmi, Krishterimi, Islami), figura e Marisë është në vetvete një ftesë e ngutshme dhe e vazhdueshme për t’i ndërlidhur këto botë, në mënyrë që prej tyre të lindë një model bashkëjetese plurale, ku kufijtë e secilit të lejojnë komunikimin, kalimin, shkëmbimin e të mos mbyllen, pa i lënë kështu shkas përhapjes së kulturës së luftës e të urrejtjes.

Në vazhdën e Dokumentit për Vëllazërimin Njerëzor

Këto uebinare ndjekin idetë e shprehura në Dokumentin për Vëllazërimin Njerëzor, nënshkruar në Abu Dabi, më 4 shkurt 2019, nga Papa Françesku dhe Imami i Madh i Al-Azharit, Ahmad Al-Tayyeb. Në të shkruhet: “Feja e nxit besimtarin ta shohë tjetrin si vëlla, që duhet mbështetur dhe dashur. Nga besimi në Zotin, i cili krijoi gjithësinë, krijesat dhe të gjitha qeniet njerëzore, - të barabarta, për Mëshirën e Tij - besimtari është i thirrur ta shprehë këtë vëllazërim njerëzor, duke ruajtur krijimin dhe tërë gjithësinë dhe duke mbështetur çdo njeri, veçanërisht më nevojtarin e më të varfërin… Për këtë qëllim, Kisha Katolike dhe Al-Azhari, përmes bashkëpunimit, premtojnë t’ua çojnë këtë Dokument autoriteteve, liderëve me ndikim, njerëzve të fesë në gjithë botën, organizatave përkatëse rajonale dhe ndërkombëtare, shoqërisë civile, institucioneve fetare dhe opinion-liderëve, si edhe të impenjohen për përhapjen e parimeve të kësaj Deklarate në të gjitha nivelet rajonale dhe ndërkombëtare, duke nxitur që ato të kthehen në politika, vendime, tekste legjislative, programe studimi dhe materiale komunikimi. Al-Azhari dhe Kisha Katolike kërkojnë që ky Dokument të bëhet objekt i punës kërkimoro-shkencore e i reflektimit në të gjitha shkollat, universitetet dhe institutet arsimore e edukative, në mënyrë që të kontribuojë në formimin e brezave të rinj, për të sjellë të mira dhe paqe e për të mbrojtur kudo të drejtat e të shtypurve dhe të të fundmëve”.

Zoja e Bekuar në bazilikën e Shën Sofisë, tashmë xhami, Stamboll
Zoja e Bekuar në bazilikën e Shën Sofisë, tashmë xhami, Stamboll

Hurma arabie të Marisë

Uebinarët do të përfundojnë gjatë muajit të Ramazanit, me “Hurmat arabie të Marisë” në Sallën e Konferencave të Xhamisë së Madhe të Romës (sipas situatës shëndetësore). Në këtë ngjarje, përkujtohet çka thuhet në Kuranin e Shenjtë (Sure 19,22-26): pasi lindi Jezusin nën një trung palme me hurma arabie, Maria deshi të hante disa prej tyre, por Jozefi nuk i arrinte dot. Atëherë, i sapolinduri iu drejtua së ëmës me fjalët: “Mos u trishto… shkund trungun e palmës e prej saj do të bien hurma të freskëta dhe të pjekura. Haji atëherë”. Sapo të perëndojë dielli, atë ditë, të krishterë e myslimanë do të hanë së bashku në shenjë miqësie, vëllazërimi dhe aleance për t’i shërbyer së mirës së përbashkët, pa përjashtuar askënd, duke iu bindur  e duke e kuptuar “hirin e madh hyjnor, që i bën të gjitha qeniet njerëzore vëllezër” (Dokumenti mbi Vëllazërimin Njerëzor për Paqen botërore dhe Bashkëjetesën).

15 shkurt 2021, 14:26