Kërko

Vatican News
 Margaret Karram, 2021.02.01 Margaret Karram, 2021.02.01  (focolari)

Margaret Karram është presidentja e re e Fokolarinve

E lindur në Haifa, 58 vjeç, Karram u zgjodh dje në krye tё udhëheqjes sё lëvizjes kishtare tё themeluar nga Chiara Lubich për gjashtë vjet. Pason Maria Voce në detyrë për dy mandate.

R.SH. - Vatikan

Me mbi dy të tretat e votave, Asambleja e Përgjithshme e Lëvizjes kishtare tё Fokolarinve, e përbërë nga 359 përfaqësues nga e gjithë bota, zgjodhi dje Margaret Karram si presidente tё re. Emërimi saj u bë efektiv vetëm sot me konfirmimin nga Dikasteri i Vatikanit për Laikët, Familjen dhe Jetën, siç kërkohet nga Statutet e Përgjithshme të Fokolarinve.

Historia e saj

Lindur në Haifa, në Tokën e Shenjtë, 58 vjet më parë, Margaret Karram u diplomua në Hebraizëm pranё Universitetit Hebraik tё Los Angeles, në Shtetet e Bashkuara tё Amerikёs. Flet arabisht, hebraisht, italisht, anglisht. Deri mё tani ka pasur detyra të ndryshme pranë Fokolarinve në Los Anxhelos e nё Jeruzalem. Ka bashkëpunuar edhe me komisione e organizata të ndryshme për promovimin e dialogut midis tre feve monoteiste, si Komisioni Episkopal për Dialogun Ndërfetar, pranë Asamblesë së Ipeshkvijve Katolikë të Tokës së Shenjtë dhe organizatës ICCI (Interreligious Coordinating Council in Israel).

Për 14 vjet ka punuar pranë Konsullatës së Përgjithshme të Italisë në Jeruzalem. Që nga viti 2014 ka qenë pranë Qendrës Ndërkombëtare tё Fokolarinve si këshilltare për Italinë e Shqipërinë dhe bashkë-përgjegjëse për dialogun ndёrmjet lëvizjeve kishtare dhe Komuniteteve të reja katolike. Në vitin 2013 u vlerësua me çmimin "Mount Zion Award" për pajtimin, fituar së bashku me studiuesen e hulumtuesen hebre Yisca Harani, për angazhimin e saj në zhvillimin e dialogut midis kulturave dhe feve të ndryshme. Në vitin 2016 mori Çmimin Ndërkombëtar Shёn Rita për nxitjen e dialogut ndërmjet të krishterëve, hebrenjve, myslimanëve, izraelitëve e palestinezëve, duke filluar nga jeta e përditshme.

Gjithmonë një grua

Margaret Karram pason Maria Voce e cila drejtoi Lëvizjen kishtare tё Fokolarinve për 12 vjet. Për gjashtë vjetet e ardhshme karizmen e Chiara Lubich do ta vazhdojë Margaret Karram. Sipas rregulloreve të Fokolarinve, kryetarja duhet të jetë gjithmonë një grua e pёrkushtuar, me kushte të përhershme tё jetёs rregulltare, si përfaqëse e "shumëllojshmërisë së jetës sё madhe rregulltare, kulturore, sociale dhe gjeografike të atyre që i bashkohen - pohon një deklaratë - spiritualitetit të Fokolarinve në 182 vende të botës, në të cilat Lëvizja kishtare është e pranishme e ku njihet dhe jetohet sipas mesazhit tё vëllazërimit që themeluesja, Chiara Lubich, nxori nga Ungjilli i Gjonit “Atё,  që të gjithë jenë një”. (Gjn 17, 20-26)". Karram është e thirrur të përballet me shumë sfida, nga "detyrat e qeverisjes dhe të drejtimit të një Lëvizjeje kishtare mbarëbotërore siç është ajo e Fokolarinve, e rrënjosur thellë nё indin e realiteteve lokale e globale, e deri tek sfidat e njerëzimit të sotëm, duke u nisur nga kjo kohë e pandemisë".

Ndërtuese urash

Pikërisht për shkak të kufizimeve të shkaktuara nga koronavirusi, Asambleja e Lëvizjes Fokolare po zhvillohet vetëm on-line e do të përfundojë më 7 shkurtin e ardhshëm. Sot parashikohet zgjedhja e bashkë-presidentit, i cili sipas statuteve duhet të jetë një prift fokolarin. Pastaj zgjedhja e këshilltarëve që bashkëpunojnë me qeverinë qendrore të Lëvizjes kishtare. Përveç rinovimit të vendeve udhëheqëse, do të përcaktohen gjithashtu edhe udhëzimet e linjat e veprimit të Lëvizjes sё Fokolarinve. "Angazhimi kryesor i Presidentes  - lexohet nё një deklaratё - për këtë arsye është ajo e ndërtueses së urave dhe të jetë zëdhënëse e mesazhit qendror të spirtualitetit të Fokolarinve, e gatshme për ta mishëruar dhe përhapur atë kudo, madje edhe me çmimin e jetës së saj".

01 shkurt 2021, 16:33