Kërko

Vatican News
Kreshmë në Mianmar Kreshmë në Mianmar  (ANSA)

Kreshmë në Mianmar, kardinali Bo: nuk duhet t’i nënshtrohemi dëshpërimit

Kryeipeshkvi i Yangon, në homelinë kushtuar fillimit të udhës që çon drejt Pashkëve, e mori shtytjen nga çasti i vështirë, që po jeton vendi, për të ngjallur shpresë. Mianmari, shkruan, nuk mund të ecë gjithnjë në rrugën e vuajtjes. T’i nisim 40 ditët kreshmore me shpresë e me lutjen drejtuar Jezusit për pajtimin e kombit tonë!

R. SH. - Vatikan

“Pavarësisht nga pandemia e Covid-19 dhe nga grushti i shtetit i kohëve të fundit, Mianmari duhet t’i jetojë Kreshmët me shpresë të madhe”: kështu, thënë përmbledhtas, u shpreh kardinali Bo, kryeipeshkëv i Yangon, në homelinë e shqiptuar në fillimin e 40 ditëve, që na përgatisin për Pashkë.  Dy, sfidat, që duhet të përballojë vendi aziatik, kujtuar nga prelati: emergjenca shëndetësore e koronavirusit, që preku deri më sot 142 mijë vetë, ndërmjet të cilëve, 3 mijë humbën jetën, e  grushti i shtetit i 1 shkurtit, organizuar nga junta ushtarake, që çoi në arrestimin e Aung San Suu Kyi. “Këto Kreshmë i kremtojmë në një nga çastet më impenjative  të jetës sonë personale e të asaj të vendit - vërejti Kryeipeshkvi -  Ndjehemi të bllokuar nga dëshpërimi. Por përballë sfidave të mëdha, nuk duhet të harrojmë se kjo është kohë e lutjes, e agjërimit, e pendesës”. Mianmari nuk mund të ecë gjithnjë në udhën e vuajtjes - pohoi me forcë kyeipeshkvi Bo - T’i fillojmë dyzet ditët e shpresës me lutjen për pajtimin e kombit tonë.

Tre ushqime shpirtërore

Kardinali u kujtoi besimtarëve, në veçanti, tre “ushqime shpirtërore”. Së pari, “mëshirën njerëzore” për më të ligshtit e më të mjerët. “Kreshmët janë kohë në të cilën mendohet për njerëzit që vuajnë -  kujtoi kryipeshkvi - Duhet kujtuar se në këtë botë për miliona njerëz, kreshmët nuk zgjasin 40 ditë, por një jetë të tërë. Ndaj të krishterët duhet të kujdesen për nevojtarët, të ndajnë me ta të mirat më të nevojshme, por edhe t’i trajtojnë të tjerët si vëllezër e të mos i lënë pa strehë mbi kokë. Kryeipeshkvi u kujtoi besimtarëve edhe “nevojën e pastrimit të shpirtit përmes lutjes, agjërimit, lëmoshës, në mënyrë që secili të çlirohet nga urrejtja e nga mëkati”.

Së fundi, këshilla e tretë: “Nuk duhet humbur kurrë shpresa, për të cilën Mianmari ka nevojë të ngushtme”. Duhet kujtuar se në vitin e fundit  Vendi kaloi çaste tejet të vështira, aq sa shumëkush e quan udhën e Mianmarit “Udhë kryqi, së cilës nuk i duket fundi”. Por kryeipeshkvi i Yangonit rikujtoi edhe se Kisha katolike është “nënë shprese”, ndaj edhe këto janë ditë shprese, jo dëshpërimi!    

22 shkurt 2021, 15:31