Kërko

Ipeshkvijtë e SHBA-ve prononcohen për Equality Act. Besimtare në lutje Ipeshkvijtë e SHBA-ve prononcohen për Equality Act. Besimtare në lutje

Ipeshkvijtë e SHBA-ve: Equality Act diskriminon besimtarët

Një letër e ipeshkvijve amerikanë drejtuar Kongresit ripohon mbështetjen për ligjet, që mbrojnë dinjitetin e çdo njeriu, por kritikon me forcë projektligjin, që mund të sjellë diskriminime serioze për besimtarët, mbi bazën e bindjeve të tyre lidhur me martesën dhe seksualitetin

R.SH. - Vatikan

“Shkruajmë për të shprehur mbështetjen tonë për ligjet, që mbrojnë dinjitetin dhe sigurojnë respektin për njerëzit, por edhe për të vënë në dukje shqetësimet tona lidhur me ‘Equality Act’ (Aktin e Barazisë)”, që u votua dje nga Dhoma e Përfaqësuesve të SHBA-së. Kështu lexohet në një letër të nënshkruar nga 5 kryetarët e Komisioneve të Konferencës Ipeshkvnore të SHBA-së (USCCB) për Lirinë Fetare (Kardinali Timothy M. Dolan), Pro-Jetës (Joseph F. Naumann), për Martesën (David A Konderla), për Edukimin Katolik (Michael C. Barber) dhe për Zhvillimin Njerëzor (Paul S. Coakley).

Prelatët theksojnë nevojën e mbrojtjes së dinjitetit njerëzor “pasi çdo njeri është krijuar në përngjasim me Zotin dhe duhet të trajtohet me respekt dhe dhembshuri”. “Ky impenjim - shpjegojnë ata - pasqyrohet në shërbimin bamirës të Kishës për të gjithë njerëzit, pa dallim race, feje ose ndonjë karakteristike tjetër”.

Equality Act

 I ashtuquajturi “Equality Act” u miratua dje me 224 vota pro dhe 206 kundër. Ky Akt Barazie integron të Drejtat Civile të vitit 1964, duke e shtrirë edhe mbi orientimin seksual dhe identitetin gjinor ndalimin e diskriminimit mbi bazën e racës, fesë, seksit dhe kombësisë. Që të kthehet në ligj, Akti i Barazisë duhet të miratohet tani në Senat.

Pikëpamje të reja përçarëse

Në Letrën e tyre, ipeshkvijtë nuk shprehen kundër të drejtave të personave Lgbt+, duke nënvizuar se secilit i duhet garantuar “punë me pagesë, e lirë nga diskriminimet e padrejta”. Akti i Barazisë dëshiron “t’i mbrojë njerëzit që tërhiqen nga i njëjti seks, ose që kanë një identitet gjinor, që nuk e konsiderojnë të tyrin”, por kjo normë, sqarojnë prelatët, “përfaqëson imponimin e pikëpamjeve të reja përçarëse lidhur me ‘gjininë’, nga ana e Kongresit mbi individët dhe organizatat. Këtu përfshihet mosnjohja e dallimeve seksuale, duke e paraqitur në mënyrë të gabuar ‘gjininë’ si të ishte një strukturë e thjeshtë shoqërore”.

Kujdes nga ideologjitë

Duke kujtuar fjalët e Papës Françesku në enciklikën “Laudato si’” – “nuk është i shëndoshë qëndrimi, që pretendon ta zhdukë ndryshimin seksual, sepse nuk di më si ta trajtojë atë” - pesë ipeshkvijtë amerikanë nënvizojnë se “një gjë është kuptimi i dobësisë njerëzore dhe i ndërlikimeve të jetës dhe tjetër gjë është të pranosh ideologji, të cilat përpiqen të ndajnë ato, që janë aspekte të pandashme të realitetit”. Konkretisht, prelatët rendisin një sërë shkeljesh të mundshme të të drejtave, që diskriminojnë njerëzit e fesë. Për shembull, ligji mund t’u sjellë probleme organizatave fetare, që merren me bamirësi e kanë shtëpi mikpritjeje për nevojtarët, si edhe mijëra njerëzve, që kanë bindje të ndryshme lidhur me martesën e seksualitetin.

Diskriminimet

Një pikë tjetër ka të bëjë me detyrimin për të mbështetur ndryshimin e seksit, për t’i bërë “taksapaguesit të paguajnë abortet dhe punonjësit shëndetësorë, që nuk duan, t’i kryejnë ato”. Ligji do të shkaktojë diskriminime në sport, duke i detyruar vajzat të konkurrojnë me djemtë dhe burrat dhe “të ndajnë dhomat e zhveshjes dhe dushet me meshkujt, që e identifikojnë veten si femra”. Në hapësirat, që janë pronë e organizmave të ndryshme fetare, ka rrezik të kryhen funksione “që e shkelin besimin e bashkësive përkatëse”.

Letra vijon me diskriminime të tjera, siç është mundësia e përjashtimit të njerëzve nga ngjitja e shkallëve të karrierës, vetëm për shkak të bindjeve të tyre mbi martesën dhe seksualitetin. Së fundi, ipeshkvijtë druhen se mund të shfuqizohet pjesërisht Religious Freedoom Restoration Act. Në letër, pasi nënvizojnë ndihmën që u jep Kisha të gjithëve, pavarësisht se ç’mendojnë për seksualitetin e për identitetin e tyre, ipeshkvijtë shprehin kundërshtimin e plotë për këtë ligj.

26 shkurt 2021, 14:33