Kërko

Vatican News

Imzot Preng Doçi, Abati i madh i Mirditës, në përvjetorin e lindjes

Abati Oroshit të Mirditës imzot Preng Doçi, në përvjetorin e lindjes, prelati që shpenzoi jetën për përhapjen e Ungjillit dhe për përforcimin e vetëdijes kombëtare e fetare të shqiptarëve.

R.SH. - Vatikan

Abati Oroshit të Mirditës imzot Preng Doçi, në përvjetorin e lindjes, prelati që shpenzoi jetën për përhapjen e Ungjillit dhe për përforcimin e vetëdijes kombëtare e fetare të shqiptarëve.

Abati i madh imzot Preng Doçi lindi më 8 shkurt të vitit 1846 në fshatin Bulgër. U shkollua në Shkodër e në Romë. Më 25 tetor të vitit 1888, Papa Leoni XIII me dekretin “Supra montim Mirditarum” e rimëkëmbë Abacinë e Oroshit në Mirditë dhe për Abat emëron imzot Preng Doçin. Përtëritja e kësaj Abacie Kishtare e sidomos ardhja e imzot Preng Doçit, ndikuan shumë në jetën fetare, kulturore dhe politike të Mirditës e të mbarë Vendit e kombit shqiptar.

Në fushën e jetës kishtare 

Në fushën e jetës fetare kishtare, imzot Doçi punoi shumë për përhapjen e Ungjillit, për përforcimin e vetëdijes kombëtare e fetare të shqiptarëve dhe për pjesëmarrjen e besimtarëve në Sakramente. Po kështu imzot Doçi derisa punonte për kultivimin e vlerave shpirtërore e kombëtare, në anën tjetër luftonte për zhdukjen e dukurive të këqija që ekzistonin ndër shqiptarë, si vrasjet, hakmarrjen, konkubinatin (martesat joligjore), e dukuritë tjera që pengonin përparimin e rritjen e vlerave tek populli.

Në fushën kulturore

Në fushën e jetës kulturor, imzot Preng Doçi në vitin 1899 themeloi shoqërinë letrare “Bashkimi” me qëllim të zgjidhjes së çështjes së alfabetit në bazë të shkronjave latine dhe për përhapjen e shkollave e botimin e librave në gjuhën shqipe, që asokohe ishin pak e shumë të luftuara nga armiqtë e popullit shqiptar, sidomos turqit. Ishte kjo një nevojë e madhe e për imzot Doçin qe një program për Rilindjen Kombëtare, për t’i dhënë një hov të ri me shkolla e dije Shqipërisë e nè mënyrë të posaçme zonës së Mirditës. Nga ato pak vepra që kemi, flasin qartë për ndjenjat e forta njerëzore, fetare, atdhetare e kulturën e gjerë që kishte Abati i Oroshit. Një nga veprat e tij është edhe “Shqipëria nën zgjedhën turke”, dhe “Shqipëria në robni”.

Në fushën kombëtare politike

Në fushën e jetës kombëtare politike, imzot Preng Doçi dha një kontribut të jashtëzakonshëm, e bashkoi Mirditën dhe i dha një njësi të vetme. Në “relacionin e tij mbi gjendjen e Abacisë së Shën Llezhdrit të Mirditës”, imzot Doçi mes tjerash shkruan se Mirdita është “si një shtet i vogël autonom” popullsia e së cilës është krenare për lirinë e vet. Për këtë arsye Mirdita duhet të jetë një nukleus - qelizë e një shteti shqiptar. Kjo ëndërr e tij qe kohëshkurtër, sepse turqit e shuan kryengritjen e mirditorëve të cilën e organizoi ai.

Thirrja për luftë kundër turkut pushtues

Për këtë arsye turqit e internuan në Stamboll, nga ku me ndërmjetësimin e kardinali armen Azarian lirohet dhe shkon në Romë, ku Selia e Shenjtë e dërgon me misionin diplomatik në SHBA e vende tjera, derisa me ndërmjetësimin e kardinajve të Vatikanit Aliardi e Jakobini, më 1888 u kthye në Shqipëri si Abat i Mirditës. Më 1911 - 1912 udhëhoqi kryengritjen e Mirditës kundër osmanllinjëve. Pa e prekur kurrë misionin e tij fetar, nën ndikimin e zgjimit kombëtar të popullit dhe të ngjarjeve të mëdha politike të kohës, ai u bë një nga paraardhësit e letërsisë së Rilindjes në Shqipëri.

Dy nga poezitë më të rëndësishme të tij janë "Një kushtrim shqiptarëve" dhe "Shqipnia nën zgjedhën turke", shprehin shqetësimin, dhimbjen për gjendjen e mjeruar të popullit, të vendit dhe krenarinë e Abatit Doçi për të kaluarën. Duke gjykuar me mprehtësi situatën politike, nuk mungon të bëjë edhe thirrje të zjarrta për luftë kundër turkut pushtues:

N'qafë ma zgjedhën kush e bán?
Kambëve prangat lidhë na i kanë,
Osmanllia edhe na shán,
Na pin gjakun, mishtë na e han.
Shqyptár trima, zgjedhën lshoni
Kputni prangat e luftoni!

Abati i madh i Mirditës imzot Preng Doçi hyri në histori si meshtar e Ipeshkëv-Abat i zellshëm, atdhetar i flaktë, mbrojtës i popullit e vendit, si poet, studiues e prijës trim. Ndërroi jetë më 22 shkurt të vitit 1917. Së bashku me imzot Gaspër Krasniqin nga Kosova, imzot Preng Doçi u angazhua me mish e shpirt në luftën kundër pushtimit të turqve dhe për përparimin kulturor e të gjithanshëm të popullit shqiptar e Vendit. Ja një reflektim i studiuesit Agron Gjekmarkaj nga Lezha mbi figurën dhe veprën e Abatit të Mirditës, imzot Preng Doçit...

Agron Gjekmarkaj nga Lezha mbi figurën dhe veprën e Abatit të Mirditës, imzot Preng Doçit
08 shkurt 2021, 19:24