Kërko

Vatican News
 Imzot Nikë Prela Imzot Nikë Prela 

Imzot Nikë Prela në 25 vjetorin e kalimit në amshim

Kujtonjmë 25 vjetorin e kalimit në amshim të Imzot Nikë Prelës, ipeshkëv ndihmës i dioqezës së Shkup-Prizren, nga viti 1970 deri në vdekje, më 25 shkurt 1996.

R.SH. - Vatikan

Sot më 25 shkurt kujtojmë imzot Nikë Prelën, në përvjetorin e vdekjes. Ipeshkvi ndihmës i dioqezës Shkup-Prizren tё asaj kohe, imzot Nikë Prela, ndërroi jetë më 25 shkurt 1996. Me prejardhje nga Kotorri i Malit të Zi, lindi më 3 qershor 1918. Ndoqi rrugën e meshtarisë që e çoi në detyrën e shërbimit apostolik ipeshkvnor në dioqezën e lashtë shqiptare të Shkup-Prizrenit, ku shërbeu si bari i kujdesshëm, si ipeshkëv ndihmës nga viti 1970 deri në vdekje më 1996.

Mbi figurёn dhe veprimtarinё e ipeshkvit Imzot Nikё Prela flasim me bashkёpunёtorin e tij tё ngushtё dom Lush Gjergnjin, meshtar nga Kosova, ta dёgjojmё nё mikrofonin e dom David Gjugjёs...

Dom Lush Gjergnji nё mikrofonin e dom David Gjugjёs flet mbi figurёn dhe veprimtarinё e Imzot Nikё Prelёs ...

Imzot Nikë Prela, mund të themi se jetoi me Zotin e për Zotin, me popullin e për popullin, duke shkrirë të gjitha energjitë e veta për ta ndriçuar me dritën e Ungjillit. Si meshtar, punoi me të gjitha forcat, me fjalë dhe me vepra për të kumtuar Ungjillin e Krishtit; si ipeshkëv, tregoi kujdes të veçantë për thirrjet meshtarake e talentet e ri, duke i hapur rrugën lulëzimit të veprimtarisë fetare, kulturore e atdhetare. Botoi një sërë veprash, ndërmjet të cilave, ‘Fjalorin Biblik’.

Si atdhedashës, të cilit i dhimbsej vendi dhe populli i vet, trokiti portë më portë në zyrat e larta kudo nëpër botë për tё kёrkuar ndihmё e mbrojtje pёr popullin e Kosovёs, me shkopin e bariut, pёr grigjën që i qe besuar nga Zoti, rrethuar nga ujqër të uritur. Dha kështu një kontribut të shquar për ndërkombëtarizimin e çështjes sё shqiptarёve, posaçërisht ata të Kosovës.

Imzot Nikë Prela shpesh pohonte: “Populli shqiptar ende nuk ka dal në skenë, sepse me shekuj ka qenë i ndrydhur e ka vuajtur shumë. Ky “kapital” flijimi e gjaku na ka dhuruar Gjergj Kastriotin – Skënderbeun dhe Nënën Terezë. E kjo është vetëm një “hyrje”, njё antifonë e njerëzve të mëdhenj që kemi pasur dhe do t’i kemi”.

Dr. Ibrahim Rugova në takim me Imzot Nikë Prelën me rastin e 300-vjetorit të vdekjes së ipeshkvit të jashtëzakonshëm shqiptar imzot Pjetër Bogdanit dhe të ngritjes së bustit të tij në oborrin e Kishës Katolike në Prishtinë, më 10 dhjetor 1989, mes tjerash tha: “Shkëlqesi, tani kemi mbetur pothuaj se pa asnjë strukturë. Ju e Kisha Katolike keni mundësi ta paraqitni gjendjen tonë në botë dhe t’ na mbroni, siç bëri gjatë shekujve kleri ynë, sidomos imzot Pjetër Bogdani e shumë të tjerë… Bota ka besim në ju. Ne duhet të bashkëpunojmë sa më tepër…”.

Imzot Nikë Prela iu përgjigj: “Kisha jonë është e do të jetë gjithmonë me popullin e nëpërkëmbur. Pa popull s’ do ta kemi as Kishën. Çdo shqiptar është vëllai apo motra ime… Unë në popullin tim shqiptar e gjeta vetveten, gjeta mundësinë t’i shërbeja Zotit dhe popullit sipas parimit të ipeshkvit të madh imzot Pjetër Bogdanit: ‘Fati i popullit tim është fati im!’…”.

Me rastin e vdekjes së Imzot Nikë Prelës më 25 shkurt 1996, Presidenti i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova pati thënë: “Shëmbëlltyra e ndritshme e ipeshkvit Prela do të mbetet gjithmonë në kujtesën historike të Kosovës, vepra e tij përherë e gjallë e brenda nesh”. Ditën e varrimit të tij presidenti Rugova e shpalli ditë zie për Kosovën., Takimet e bisedimet e shumta, paraqitja e vlerave të popullit e vendit që qenë të përbashkëta, karakterizuan dy personalitetet kosovare që dhanë gjithçka për kauzën e përbashkët: të drejtën e pamohueshme të lirisë e të pavarësisë së popullit kosovar.

Në një takim të fundit mes imzot Nikë Prelës e dr. Ibrahim Rugovës më 4 shtator 1995, pas mjekimit njëmujor në Milano të ipeshkvit Prela, i cili tashmë ishte me këmbë të amputuar e duke ndenjur në karrocë, ai iu drejtuar kështu kryetarit Rugova: “Tani edhe unë i përngjaj Jezu Krishtit, popullit tim shqiptar, sepse vuaj shumë dhe të gjitha këto vuajtje ia paraqes Zotit për të mirën e popullit tonë, për ju e punën tuaj të madhe në dobi të paqes.

25 shkurt 2021, 11:48