Kërko

Vatican News

I Lumi dom Mikel Beltoja, në festën liturgjike e në përvjetorin e pushkatimit

Martiri e dëshmitari i fesë dhe atdheut, i Lumi dom Mikel Beltoja, gëzon shpërblimin e Zotit, sepse dhuroi jetën, për të mirën e popullit e të vendit. E ndërsa pushtetet tokësore, kalimtare, vijojnë t’i dekorojnë shestuesit dhe realizuesit e kulturës së vdekjes e të errësirës, Dom Mikeli mbetet në amshim, dëshmitar sypatrembur i Krishtit e i kombit.

R.SH. - Vatikan

Më 10 shkurt kujtojmë e kremtojmë të Lumin shqiptar dom Mikel Beltoja, martir, në përvjetorin e pushkatimit dhe në ditën e kremtimit liturgjik. Secili prej atyre që ranë nën tehun e shpatës, gjithnjë të mprehur të diktaturës ateiste komuniste, mund të cilësohet me një epitet të veçantë. Njëri "martir i Rrëfimit", tjetri " i Pagëzimit", një tjetër akoma, i “butësisë ungjillore”, i “vlerave kombëtare” e kështu me radhë. 

Në këtë arradh njerëzish, të armatosur me fjalë tё Ungjillit dhe uratë Rruzareje që meritojnë epitetet më fisnike, Dom Mikeli është dëshmitari sypatrembur i Krishtit dhe i kombit. I doli zot në gjyq idealeve të tij me një dёshmi e guxim të tillë, që e radhit në radhët e para të atyre njerëzve fisnikë, të cilët nga banka e të akuzuarit, u kthyen në akuzues tё regjimit ateist tё komunizmit.

Meriton një vend nderi dhe vlerësimi ndërmjet klerikëve të mëdhenj të Kishës katolike, për zellin, dëshminë dhe guximin e tij. Dom Mikel Beltoja e ndjeu thirrjen për rrugën e meshtarisë, kur kjo rrugë konsiderohej plot rreziqe, kur dukej pa të ardhme, kur furra ishte ndezur për të djegur në të, sipas shprehjes së diktatorit "çdo zakon prapanik e paragjykim fetar", e bashkë me doket e zakonet, edhe ata që do të guxonin t'i mbronin.

Dom Mikeli lindi më 1935 në fshatin Beltojë, në Shkodër. Ndoqi shkollat shtetërore në vendlindje e njëkohësisht u përgatit për meshtar nga Imzot Ernest Çoba. Nisi, menjëherë pas shugurimit, shërbimin meshtarak ndër fshatra, në malësi e qytet, kudo iu kërkua nga të parët. Fliste thjeshtë, por në mënyrë bindëse; përzemërsisht, por me vendosmëri e sidomos, thoshte gjithnjë të vërtetën. 

E jetonte më parë, pastaj e predikonte Ungjillin. Një bashkëvëlla, që vuajti së bashku me të në birucat e sigurimit, shkruan: “Çdo njeri asht i përbâmë prej trupit e prej shpirtit. Po dom Mikeli ishte vetëm shpirt. Nuk dinte çka âsht fjala e keqe, as mendimi i keq. Mendonte e flitëte vetëm mirë e për të mirë, aq sa shumëkush besonte se kishte natyrë tepër fëminore”.

Meshën e fundit në një ndërtesë kishtare e kremtoi në Kishën e Barbullushit, të cilën komunistët ia mbyllën më 1967. Por kjo s'e trembi Dom Mikelin. Përkundrazi, ia ndezi edhe më tepër zellin shpirtёror e atdhetar, e s' pati gjë që ta ndalonte në shërbimin ndaj Zotit e ndaj popullit. Tashti Kishë për tê ishte gjithë Shqipëria. 

Me shtat të lidhur e të fuqishëm, si bujk i vërtetë, dom Mikel Beltoja s'do të ndjente kurrë lodhje, s'do të prehej kurrë. Do të gjendej ditë natë në shërbim, ditë natë pranë njerëzve që kishin nevojë për një fjalë të mirë, për një ngushёllim e shpresë. Gjithnjë me Sakramentet Shenjte fshehë nën veladonin e meshtarit, atje ku i rrihte zemra e mirë dhe e vendosur, deri te Kryqëzimi. Natyrisht komunistёt nuk vonuan ta arrestonin.

Ishte data 19 prill 1973, kur i vunë prangat. Kaloi gjashtë muaj hetuesie të llahtarshmePërballoi një gjyq heronjsh. Foli aq hapur kundra diktatorit e diktaturës komuniste, sa kriminelët nuk mundën ta përmbanin veten. Si s' kishte ngjarë kurrë, nuk pritën të kthehej rishtas në birucën e vdekjes. Iu vërsulën aty, në sallën e gjyqit dhe nisën ta torturonin me mjete primitive. 

Ia bënë trupin vrima-vrima me biza, duke tmerruar të madh e të vogël në sallën e mbushur me njerëz, që i kishin sjellë aty me detyrim. Ndërsa derdhej përdhe gjaku i martirit, gjykatësit e shndërruan vendimin nga 7 vjet burgim, në dënim me vdekje. U pushkatua më 10 shkurt 1974. Ishte vetëm 29 vjeç. Njeri i thjeshtë, u bë i madh para Zotit e para njerëzve, sepse Zotit e njerëzve ia kushtoi gjithë vetveten, deri në flijimin e jetës.

Martiri e dëshmitari i fesë dhe atdheut, i Lumi Dom Mikel Beltoja, gëzon shpërblimin e Zotit, për dhurimin e jetës për të mirën e popullit e të vendit. Në të kundërtën, pushtetet tokësore e kalimtare, vijojnë t’i dekorojnë shestuesit dhe realizuesit e kulturës së vdekjes e të errësirës. 

Dom Mikel Beltoja u shpall i Lum sё bashku me 37 martirё tjera tё Kishёs katolike tё Shqipёris, mё 5 nёntor 2016, në Katedralen e Shën Shtjefnit , nё Shkodër, Shqipëri, gjatё Meshёs solemne kryesuar nga Kardinali Angelo Amato, asokohe Prefekt i Kongregatës sё Selisё sё Shenjtё pёr Shenjtorёt. Festa liturgjike e tё Lumit dom Mikel Beltojёs, sipas kalendarit kishtar, përkujtohet më 10 shkurt. 

10 shkurt 2021, 10:06