Kërko

Beate Gilles Beate Gilles 

Gjermani: një grua zgjidhet sekretare e përgjithshme e ipeshkvijve

Hera e parë që një grua zgjidhet në këtë rol! Beate Gilles, e zgjedhur dje, gjatë asamblesë së përgjithshme online të ipeshkvijve, është pasardhëse e atit jezuit Hans Langendörfer

R. SH. - Vatikan 

Beata Gilles, teologe, 50 vjeçe, u emërua sekretare e përgjithshme e Konferencës ipeshkvnore gjermane (Dbk), gjatë asamblesë plenare  zhvilluar dje në formë dixhitale. Gruaja e parë, që emërohet në këtë detyrë,  zë vendin e jezuitit atë Hans Langendörfer, i cili dha dorëheqjen pas 24 vjetësh në drejtim. Zonja Gilles deri tani ishte në krye të Departamentit për fëmijët, të rinjtë e familjen pranë kryeipeshkvisë së Limburgut e tani, ashtu si paraardhësi i saj, vihet edhe në krye të Shoqatës së dioqezave të Gjermanisë.

Kryetari i Konferencës ipeshkvnore gjermane (Dbk), imzot Georg Baetzing, gjatë konferencës së shtypit në hapje të asamblesë online,  foli  për sekretaren e re,  duke theksuar se “konsiderohet si teologe e thellë, e pajisur me aftësi të rralla organizative, që njeh nga afër strukturat e ndryshme të Kishës katolike”.

Tejet e emocionuar, sekretarja e re

Vetë Beate Gilles e priti me emocion të thellë emërimin dhe angazhimin e ri, duke nënvizuar fazën shumë impenjative të Kishës katolike në Gjermani, ku në atmosferën e përgjithshme të “dëshirës për ndryshime”,  nisi Udha sinodale, procesi i reformës katolike! Specialiste në komunikim,  në problemet shoqërore dhe në ato të punës, Gilles do ta nisë detyrën e re duke filluar që nga data 1 korrik.

Sekretarja e ardhshme e përgjithshme e Konferencës ipeshkvnore nënvizoi edhe se burimet e Kishës katolike në Gjermnai vijojnë  gradualisht të pakësohen e, prej këndej, ka shumë rëndësi  përqendrimi tek rrënjët  e Kishës e tek objektivat e saj, punë që duhet nisur menjëherë!

24 shkurt 2021, 15:37