Kërko

Vatican News

Europa: Kisha në lutje për viktimat e pandemisë. Shqipëria lutet sot

Ipeshkvijtë evropianë i ftojnë besimtarët të luten për mbi 770 mijë viktimat e pandemisë së Covid-19 në kontinentin e vjetër. Çdo vend do të kremtojë një meshë gjatë Kreshmëve për këtë qëllim. Në Shqipëri, lutja është organizuar sot

R.SH. - Vatikan

Krerët e Konferencave Ipeshkvnore të Evropës propozojnë krijimin e një rrjeti lutjesh, një zinxhir eukaristik, që fillon pikërisht sot, me të Mërkurën e Përhime dhe vijon gjatë gjithë Kreshmëve. Një ofertë e veçantë për ata, që kanë humbur jetën nga koronavirusi, i cili, deri tani, ka shkaktuar gati 2.5 milion viktima në gjithë botën, më se 770 mijë në Evropë. E para, që i drejtohet Zotit me këtë ndjet, është Shqipëria, së bashku me Austrinë, sot, më 17 shkurt.

“Në shumë raste - lexohet në njoftimin për shtyp, që paraqet nismën – ipeshkvijtë e gjithë Evropës i kanë bashkuar zërat me atë të Papës Françesku për të theksuar afërsinë e Kishës me njerëzit, që luftojnë përditë me koronavirusin: viktimat dhe familjet e tyre, të sëmurët dhe punonjësit e shëndetësisë, vullnetarët e të gjithë njerëzit në vijën e parë të frontit, në këtë kohë delikate”.

Familjet në zi, në zemrën e Kishës

“Vlerësuam së bashku mundësinë, madje, detyrën për të kujtuar në meshën shenjte, viktimat e shumta të pandemisë – pohon kardinali Angelo Bagnasco, kryetar i CCEE-së (Këshilli i Konferencave Ipeshkvnore Evropiane), në mesazhin e tij për këtë nismë. - Çdo Konferencë Ipeshkvnore e Evropës është impenjuar të organizojë së paku një meshë: do të jetë si një zinxhir lutjesh, një zinxhir eukaristik për të kujtuar shumë njerëz e për t’ia besuar Zotit shpirtin e tyre. Me këto lutje, duam edhe të kujtojmë familjet në zi dhe të gjithë të sëmurët e sotëm, që nuk kanë siguri për jetën”.

Shenjë shprese për kontinentin

Nisma organizohet si shenjë bashkimi dhe shprese për gjithë kontinentin: “Ne ipeshkvijtë e Evropës - shton kardinali Bagnasco - jemi të gjithë pranë bashkësive tona të krishtera, pranë meshtarëve, u jemi mirënjohës të gjithë atyre, që vijojnë t’u kushtohen njerëzve më nevojtarë. Duam ta mbështesim impenjimin e tyre me fjalën tonë dhe mbi të gjitha, me lutjen tonë, në mënyrë që të shkojmë së bashku drejt një ardhmërie më të mirë”.

Kalendari i nismës, në përditësim e sipër, parashikon fillimin e kremtimeve në Austri e në Shqipëri, sot, më 17 shkurt për të vazhduar me përfshirjen e Konferencave të tjera Ipeshkvnore, nga Belgjika në Bjellorusi, nga Skocia në Rusi e në Ukrainë, për të përfunduar në Hungari, më 1 prill.

17 shkurt 2021, 10:58