Kërko

Vatican News

Çelësi i fjalëve të Kishës. Letra II e Gjonit, e vërteta, feja, dashuria

Në emisionin e sotëm, do të komentojmë Letrën II të shën Gjonit, ku përvijohen konceptet e së vërtetës, të fesë e të dashurisë. Do ta bëjmë duke ndjekur librin “Është ora e leximit të Biblës”, shkruar nga meshtari italian don Federico Tartaglia.

R.SH. - Vatikan

Letra II e Gjonit fillon me këto fjalë:

“Udhëheqësi, Zonjës së zgjedhur dhe fëmijëve të saj, të cilët unë i dua në të Vërtetën” (2 Gjn 1,1).

Një farë Papia, ipeshkëv i Hierapolis, në disa fragmente, që kanë ardhur deri në ditët tona falë Eusebit të Çesaresë, quhet “uditor i Gjonit”, pra, i përket të njëjtit brez të “presbiterëve (udhëheqësve), që e njohën personalisht Gjonin, dishepullin e Zotit”. Autori i Letrës II dhe III të Gjonit nuk është “dishepulli i Zotit”, por një Gjon tjetër, që Papia e përmend si anëtar të rrethit të “presbiterëve” apo të dishepujve të brezit të dytë.

E dimë mirë se e ashtuquajtura “çështje e shën Gjonit” është tejet e ndërlikuar dhe tradita nuk e pranon dëshminë e Papisë, por fakti që dy Letrat kanë në krye fjalën “udhëheqës” a “presbiter” është disi i çuditshëm për të menduar se e ka përdorur Gjoni, që e dinte mirë se ishte dishepulli, që Jezusi e donte fort. Por këto dyshime po ia lëmë lexuesit, pasi nuk janë dhe aq të rëndësishme.

Nga ana tjetër, është e sigurt se të tria Letrat i përkasin së njëjtës bashkësi (në Azinë e Vogël) dhe trajtojnë po ato probleme, me të njëjtën perspektivë. I vetmi ndryshim është përmedja e bashkësisë, e cila quhet “Zonjë e zgjedhur”.

Kjo “Zonjë” është vendi ku njihet e vërteta dhe ku banon ajo. Shprehje tipike e shën Gjonit, e cila u shtjellua edhe më tej, duke i dhënë emrin gjithë Kishës, e cila do të quhej “banesa e së vërtetës”.

Kjo shprehje e meriton të krahasohet me kohët e sotme, në një botë me tolerancë, nga njëra anë e, me ekstremizma, nga ana tjetër. Si ta bëjmë pyetjen për të vërtetën e, sidomos, si ta japim përgjigjen? Si ta pohojmë të vërtetën, pa e konsideruar domosdoshmërisht vetëm tonën? Si të merren vesh subjektivizmi kronik me dogmatizmin kërkues? Si të ndërtojmë një banesë për të vërtetën, që të jetë mikpritëse dhe zemërhapur? Si të shmangim demonizimin e atyre, që e mohojnë të vërtetën tonë, pa pasur rrezik të mbytemi në kënetën e relativizmit? Leximi i Letrave të shën Gjonit shtron pikërisht këto pyetje, të cilat do t’ia vlente të diskutoheshin mes miqsh.

Nëse vijojmë Letrën II, gjejmë në rend:

-        Urdhërimin e ri, që ekziston që nga fillimi,

-        Dukjen e antikrishtit, joshësit të madh,

-        Besnikërinë ndaj doktrinës së Krishtit,

-        Ftesën për të ndërprerë çdo marrëdhënie me ngashnjyesit, me ata, që “nuk pranojnë se Jezu Krishti është bërë njeri i vërtetë” (2 Gjn 1,7).

E, është pikërisht kjo ftesë e fundit, që i bën edhe më të vështira përgjigjet për pyetjet e mësipërme. Ftesa për të mos i përshëndetur më e për të mos i pritur në shtëpi na huton pak e na kujton sjelljet e ndonjë grupi sektar. Ne jetojmë në kohë të tjera, të karakterizuara nga një zhgënjim i përgjithshëm e nga fantazma e fundamentalizmit fetar, prandaj, natyrshëm, priremi drejt tolerancës fetare. Por, ashtu siç na këshillon shën Gjoni, edhe sot është e nevojshme të mos kemi punë me ngashnjyesit, por edhe të mos u lëmë dorë të lirë gjuetarëve të antikrishtëve e të demonëve, duke ruajtur ekuilibrin e duke pasur parasysh fakte e njerëz. Sepse gjuetarët e antikrishtëve dhe të demonëve janë si ata, që bëjnë lotari: kur fillojnë, nuk ndalen më. E kur fillon e sheh antikrishtë gjithandej, vazhdon kështu përgjithmonë e kudo sheh veprën e djallit.

Është e qartë se veprat e bijve të errësirës  e dashuria për të keqen është e vërteta më mizore, që mbart njeriu. Bibla fillon nga Adami, Eva e Gjarpri e përfundon me Kulçedrën e Apokalipsit. Prania e së keqes, pra, e mashtrimit, e joshjes, e mohimit të Zotit e të njeriut, është drama së cilës Bibla përpiqet t’i japë përgjigje në çdo faqe të saj. Por e bën këtë në mënyrën e vet: duke i folur zemrës dhe historisë së njeriut. E njeriu nuk është kurrë aktor më pak i rëndësishëm në dramën ndërmjet Zotit e djallit. Protagonistët e vërtetë të saj janë Zoti dhe njeriu. Zemra e njeriut dhe zemra e Hyjit. Kjo, korniza e ngjarjeve në të gjithë Biblën.

Ka nga ata, që janë nisur për gjuetinë e shtrigave e s’i kanë gjetur kurrë ato. Të tjerë shohin gjithnjë antikrishtë e i vënë re gjithnjë e më shumë. Por këto, ashtu si korniza të tjera, janë dytësore, nëse nuk e fiksojnë objektivin mbi dritën e misterit të Zotit, që u drejtohet zërave të zemrës së njeriut. Siç shkruhet në Letrën I të shën Gjonit:

“Hyji është më i madh se zemra jonë dhe njeh gjithçka. Fort të dashur! Nëse zemra nuk na padit, mund të shkojmë me guxim te Hyji” (1 Gjn 3,20-21)

Fe do të thotë të jemi të vetëdijshëm për këtë para Atij, që di çdo gjë. Fe do të thotë të banojmë në një përmasë, që na e çliron zemrën “nga frika e hipokondrive, nga shqetësimet që hasim gjatë jetës, nga padrejtësitë e nga mashtrimet e kohës, nga dështimet që, për natyrën tonë njerëzore, do t’i tërheqim drejt vetes”, pa dyshim. Janë fjalë të një këngëtari të madh italian si Franco Battiato (në “La cura”),  e kur, siç thotë shën Gjoni, “hiri, mëshira dhe paqja, do të na vijnë prej Hyjit Atë, dhe prej Jezu Krishtit, Birit të Atit, në të vërtetë e në dashuri” (2 Gjn 1,3), do ta kuptojmë se kjo është kura, që Hyji na ka dhuruar përmes Jezu Krishtit.

04 shkurt 2021, 08:53