Kërko

Vatican News

At Gazmend Tinaj ofm: aktualiteti i jetës rregulltare

Flasim me françeskanin shqiptar, at Gazmend Tinaj për domethënien dhe mesazhin e kësaj Dite që Kisha ua kushton rregulltarëve e rregulltareve. Për dhuratën e jetës rregulltare dhe për impenjimin e françeskanëve ndër shqiptarë, në kumtimin e Ungjillin dhe ecjen besnike gjurmëve të Krishtit në misionin apostolik.

R.SH. - Vatikan

Sot më 2 shkurt, Kisha katolike kremton festën e Paraqitjes të Zotit në Tempull. Pra, kremtojmë një mister të jetës së Jezu Krishtit, që lidhet me urdhrin e ligjit të Moisiut që parashikonte që prindërit, 40 ditë pas lindjes të të parëlindurit, të ngjiteshin në Tempull të Jerusalemit për të ofruar djalin e tyre Zotit e për pastrimin ritual të nënës (krh Es 13,1-2.11-16; Lv 12,1-8), e nga viti 1997 në përkim me këtë festë, Papa Shën Gjon Pali II deshi që në mbarë Kishën të kremtohet një Ditë e veçantë kushtuar 'jetës rregulltare'. E sot kremtohet Dita XXV e jetës rregulltare.

Në të vërtet, flijimi i Birit të Zotit - Jezu Krishtit - që simbolizohet përmes paraqitjes së Tij në Tempull - është shembull për çdo burrë e për çdo grua që ia përkushton tërë jetën e vet Zotit. Kështu, më 2 shkurt Kisha mbarë e falënderon Zotin për dhuratën e çmuar të kësaj jete rregulltare të përkushtuar dhe të të gjitha formave të saj që ekzistojnë në Kishë.

Njëkohësisht Kisha e fton mbarë popullin e Zotit, t’i nderojë ata që ia kanë kushtuar tërë jetën e tyre Zotit me kushtin e pastërtisë, të dëgjesës e të varfërisë së plotë, duke dëshmuar kështu, në gjirin e popullit praninë e Zotit në çdo kohë e vend, deri në kohët tona. E ky është shërbimi i parë që i bëjnë Kishës rregulltarët e rregulltaret. Ata janë roje që shquajnë nga larg dhe që kumtojnë jetën e re shpirtërore, jetën e Zotit, e cila tashmë është e pranishme në historinë e realitetit të përditshëm.

Pra, qëllimi i kësaj Dite është i trefishtë: së pari për të lavdëruar dhe falënderuar Zotin për dhuratën e jetёs rregulltare; së dyti, për tё promovuar njohjen dhe vlerësimin e jetёs rregulltare nga ana e gjithë popullit të Zotit dhe së fundi, për t’i ftuar të gjithë ata që kanë përkushtuar jetën e tyre plotësisht për Ungjillin, për të kremtuar mrekullitё që Zoti ka vepruar pёrmes tyre.

Edhe nё Shqipёri e në trevat shqiptare, jeta rregulltare e kushtueme i ka rrёnjёt shumё herёt, siç dëshmon prania dhe misioni i benediktinёve, françeskanëve, dominikanëve, jezuitëve, salezianёve, Motrave Stigmatine, Motrave Apostulle të Zemrës së Krishtit, Bijave tё Dashurisё Hyjnore etj e tj, dhe nё veçanti impenjimi françeskanëve ndër shqiptarë, ishte dhe ёshtё për të kumtuar Ungjillin dhe dëshmuar ecjen besnike në gjurmët e Krishtit.

Me françeskanin At Gazmend Tinaj e pёrshkojmё, shkurt, historinё e jetёs rregulltare dhe kontributin e rregulltarëve në Shqipëri e ndёr shqiptarё, dje e sot, tё cilёt mes tjerash, kanё punuar e punojnë për formimin e njeriut dhe tё ndërgjegjes sё tij, por edhe pёr përforcimin e identitetit të popullit  shqiptar dhe pёr kultivimin e kulturës nё vend.

Ne, në ditën e sotme botërore kushtuar jetës rregulltare, me françeskanin shqiptar, at Gazmend Tinaj flasim pikerisht mbi domethënien dhe mesazhin e kësaj Dite që Kisha ua kushton rregulltarëve e rregulltareve, si edhe mbi dëshminë e veprimtarinë e rregulltarëve dhe të motrave rregulltare në Shqipëri, ta dëgjojmë at Gazmend Tinajn në mikrofonin e Radio Vatikanit - Vatican News...

Ta dëgjojmë at Gazmend Tinajn në mikrofonin e Radio Vatikanit - Vatican News..

 

02 shkurt 2021, 09:27