Kërko

Vatican News

Arti - për të jetuar Kreshmët dhe “misteret” e Krishtit

R. SH. - Vatikan

Udhë për t’i përgatitur katekumenët për Pagëzim. Me këtë qëllim lindën Kreshmët, rreth shekullit IV. Kohë e fortë, të cilën Kisha e propozon çdo vit, në përgatitje të kremtimit të Ngjalljes së Krishtit.

Duke iu përgjugjur  kërkesës njerëzore për “ta parë veprën e Zotit”, arti kishtar  i jep formë pamore e konkrete fjalëve e gjesteve të propozuara nga liturgjia - shpjegon për Vatican News imzot Andrea Lonardi, drejtor i Shërbimit për Kulturën, pranë Universitetit të Vikariatit të Romës dhe autor i librit “Fjala u bë njeri, jo libër, botuar nga San Paolo. E kur paraqitja  e Krishtit në veprat e artit u deklarua në përkim me të vërtetën e Mishërimit, figuret për Kishën u bënë të detyrueshme, sepse nganjëherë për të folur me Zotin, të ndihmon shumë më tepër një pikturë, sesa një mori fjalësh”.

 Misteret

Figurja e krishterë lidhet me faktin se Zoti mori fytyrë në Jezusin. Arti kishtar i shoqëroi gjithnjë festat liturgjike me “misteret”, a me episode nga jeta e Krishtit. Cikle të tëra realizuar në pikturë, ndjekin besnikërisht  çka propozon liturgjia. Duke menduar për Kreshmët, imzot Lonardi kujton shembullin e afreskeve të Abacisë kampane të Sant’Angelo in Formis, realizuar në shekullin XI, me besimtarët që ndjekin skenat e episodeve ungjillore të pikturuara, propozuar nga liturgjia e të dielave, të cilat i paraprijnë Pashkëve.

Afresket e Sant'Angelo in Formis
Afresket e Sant'Angelo in Formis

Art e liturgji

Arti paraqet - çka jeton liturgjia. Niset nga episodi i tundimeve me pyetjen  e madhe që ia bëri djalli Krishtit: “A je ti biri i Zotit?”. Vijon me Shndërrimin e më pas, me samaritanen tek pusi, shërimin e të verbërit të lindur dhe ringjalljen e Lazrit. Të gjitha, episode të marra nga Ungjilli i Gjonit e të përdorura që nga Kisha e lashtë, për formimin e katekumenëve.

Pagëzimi i Jezusit në mozaikët e Monreale
Pagëzimi i Jezusit në mozaikët e Monreale

Përhimja

Me që sot kremtojmë të Mërkurën e Përhime, nuk mund të mos na lindë pyetja: “Pse riti i përhirjes nuk është aq i përhapur në ikonografinë e krishterë?”. “Arti merret pak me të Mërkurën e Përhime - përgjigjet imzot Lonardo - sepse nuk është episod i jetës së Krishtit, por mësim i Tij”. Arti përqendrohet më shumë mbi Fjalët e Krishtit, mbi jetën e Krishtit, mbi Misteret e Tij.

Caravaggio, varrimi i të vdekurve
Caravaggio, varrimi i të vdekurve

Lutja, agjërimi lëmosha

Lutja, agjërimi, lëmosha janë shokë në udhën e Kreshmëve: i gjejmë të pasqyruara në Shtatë Veprat e Mëshirës, që paraqiten shumë herë në art. Por të gjitha së bashku mund t’i sodisim vetëm në kryeveprën e Caravaggios, që ruhet në Napoli.

Caravaggio, jepuni të pinë të eturve
Caravaggio, jepuni të pinë të eturve

Veprat e Mëshirës

Piktura - kujton akoma drejtori i Shërbimit të Kulturës i Vikariatit të Romës - u realizua për Pio Monte della Misericordia, institucion i themeluar në vitin 1602 nga shtatë laikë napoletanë, që iu kushtuan Zojës, për ta jetuar jetën e tyre duke bërë vepra të dashurisë së krishterë. E Caravaggio e paraqet pikërisht atë Zojë, së cilës iu kushtuan laikët, burra e gra. I paraqet Veprat e Mëshirës në pesë figure:

 “Të varrosësh të vdekurit”, paraqitet më të djathtën, përmes mbartjes së një kufome, të cilës i shihen vetëm këmbët, nga një diakon, që mban qiriun, e  një mbartës.

“Të vizitosh të burgosurit”, e “T’u japësh të hanë të uriturve”  përqendrohet në një episod të vetëm: atë Cimonit që, i dënuar me vdekje nga uria në burg, ushqehet me qumështin e së bijës - aty ku sot ngrihet bazilika e Shën Nikollit në burg.

“Të veshësh të zhveshurit” pikturohet duke paraqitur një kalorës të ri (Shën Martinin e Tours), që i dhuron mantelin një varfanjaku, e po aty kemi edhe shërimin e të paralizuarit, në “Të mjekosh të sëmurët”.

“T’u japësh të pinë e të eturve” paraqitet me figurën një burri që pi, me nofullën e një gomari, ujin i cili gufon mrekullisht në shkretëtirë.

“Të strehosh shtegtarët”, paraqitet me figurat e dy burrave, shtegtarë në Santjago.

Caravaggio, vizitoni të burgosurit e jepuni të hanë të uriturve
Caravaggio, vizitoni të burgosurit e jepuni të hanë të uriturve

Kohë e mëshirës

Kuptojmë, kështu, se Kreshmët janë kohë e mëshirës, e takimit me të varfërin e me nevojtarin. Me agjërimin mësohemi të heqim dorë nga vetja, duke krijuar hapësirë për tjetrin. Me mëshirën, për t’i dhuruar veten vëllait. Me lutjen mësojnë se “jo vetëm me bukë jeton njeriu”. Imzot Andrea Lonardo nënvizon, në përfundim, vlerën që i ka dhënë gjithnjë Kisha shtatë veprave të mëshirës shpirtërore: të këshillosh dyshimtarët; të mësosh të paditurit;  të qortosh mëkatarët; të ngushëllosh të munduarit; të falësh fyerjet; t’i pranosh me durim njerëzit e mërzitshëm; t’i lutesh Zotit për të gjallët e për të vdekurit”. Janë vepra që vlejnë edhe më shumë se ato trupore, posaçërisht në këto Kreshmë, që po jetojmë. E që, doemos, edhe pikturohen më shumë!

17 shkurt 2021, 16:28