Kërko

Vatican News
Maretesa Maretesa  (Pixabay)

Viti i Familjes, Menicheli: bashkëshortët të aktivizohen në punën baritore

Sipas kardinalit kryipeshkëv nderi i Ankona-Osimo-s, specialist në baritorinë familjare, Viti i Familjes, shpallur nga Papa për thellimin e Nxitjes Apostolike Amoris laetitia, duhet të nxisë për ta rilexuar tërësisht dokumentin e për ta rimenduar lidhjen ndërmjet meshtarisë e martesës.

R. SH. - Vatikan

Një vit i ri, i përqendruar tek familja! Më 19 marsin e ardhshëm, në pesëvjetorin e botimit të Nxitjes apostolike Amoris laetitia, kushtuar bukurisë dhe gëzimit të dashurisë familjare, Papa Françesku do të përurojë Vitin “Famiglia Amoris laetitia”, që do të përfundojë në Romë, më 26 qershor 2022, me rastin e Takimit X Botëror të Familjeve.

Sipas kardinalit Edoardo Menichelli, kryeipeshkëv nderi i Ankona-Ossimo-s, pjesëmarrës në dy Sinode kushtuar familjes, më 2014 dhe me 2015,  ky vit i zgjedhur nga Papa është bekim e, njëkohësisht, edhe rast  për “një fillim të ri”, të veprimtarisë së lodhshme baritore, në të cilën meshtarët duhet t’i aktivizojnë më shumë vetë familjet. Në mikrofonet e Radio Vaticana Italia, Hirësia e Tij kardinali Edoardo Menichelli,  shpjegon, kryesisht, si e priti ai vetë këtë vendim të Papës:

“E prita këtë lajm, si bekim të madh e edhe si ftesë të Papës për ta kuptuar  se familja është në qendër të shqetësimeve të Kishës, e se Kisha është e vetëdijshme se mund të marrë shumë prej saj. Besoj se Ati i Shenjtë qëlloi edhe një herë në shenjë, në përpjekjen për ta rigjallëruar punën baritore me familjen. Nga ana tjetër, nëse ballafaqohet Amoris laetitia me Familiaris consortio botuar vite më parë, të bie menjëherë në sy se Gjon Pali II e Françesku, së bashku me Papë të tjerë, u angazhuan shumë në këtë drejtim. E gjithë kjo duhet të na bëjë ta presim me gëzim ftesën e Papës për ta jetuar vitin kushtuar familjes e duhet të ngjallë në zemrën e të gjithëve  shqetësimin baritor në këtë drejtim.

A nuk ju duket se kjo Nxitje apostolike këto vitet e fundit është përqendruar më shumë tek debati i lidhur me kapitullin VIII të tekstit e mbi çështjen e  kungimit të të divorcuarve të rimartuar?

“Po, vërtet. Kjo rrethanë u bë pengesë për ta lexuar tërësisht e me vëmendje të plotë Amoris Laetitia. Është e vërtetë se problemi që ngre kapitulli VIII është i veçantë; është fjala për vështirësinë e harmonizimit të dy të vërtetave të fesë: të jesh njëkohësisht shërbëtor i Mëshirës dhe i së Vërtetës. Natyrisht është aspekt, që ndikon fuqimisht mbi baritorinë sakramentore, por tani është e nevojshme të rihapet e gjithë nxitja  e Papës Françesku e të gjindet mundësia për ta studiuar  më thellësisht. Këtë uroj, e shpresoj se do të jetë një nga frytet e këtij viti kushtuar familjes.

Cilat janë vonesat në baritorinë aktuale martesore e edhe shkaqet e tyre, sipas jush?

“Unë nuk gjykoj kënd, as nuk e kam të lehtë të them cilat ishin vonesat. Them vetëm se baritoria familjare është impenjative dhe e lodhshme e jo gjithnjë na i jep ne, meshtarëve, frytet e menjëhershme. Sepse është baritori e gjërë, me problematika nga më të ndryshmet: edukative, etike, shoqërore, formuese. Prej këndej është e mundur që të ketë pasur edhe vonesa por, sipas meje, rruga e vetme e mundshme për t’i kapëcyer, është të fitohet vetëdija se është e nevojshme të rijepet hiri sakramentor operativ, përveç shenjtërimit, Pagëzimit e Martesës. Këtu kemi dy hire sakramentore, që i angazhojnë ata, të cilët i marrin e i jetojnë. Familja  përbëhet e bazohet mbi këto dy Sakramente e, pastaj, ushqehet nga Eukaristia. Duhet, pra, vetëdija që bashkëshortët, e pastaj edhe familja që formohet prej tyre, ta kuptojnë se kanë në vetvete “një kapital”, hirin e Zotit e hirin sakramentor, që do të duhej të na ndihmonte të gjithë ne ta rifillojmë këtë punë baritore e t’u japin fund të gjitha vonesave. Pastaj është edhe një aspekt tjetër. Vetëdija se familja, pikërisht në emër të këtyre dy sakramenteve, është subjekt baritor; nuk është baritori “për” familjen, është baritori “me” familjen, e këtu puna nuk është aspak e lehtë!”.

Një nga objektivat e vitit të shpallur nga Papa është të bëhet vetë familja  protagoniste e baritorisë familjare. Sa është qendror ky aspekt?

“Tepër qendror. Kujtoj sa herë është diskutuar e sa herë është thelluar në gjirin e Konferencës Ipeshkvnore Italiane e sa herë është quajtur roli i saj qendror, në baritorinë që i përket. Është edhe një shprehje e bukur, që e përdornim edhe në kohën e Sinodit romak: famullia, “familja e familjeve”; Kisha,“familja e familjeve”. Këto janë elementet e risisë baritore! Nëse do të dimë t’i konkretizojmë, do të ishim me të vërtetë të aftë për t’i vënë  bashkë foljet e shkruara në Amoris laetitia. Po i përmbledh e po shtoj një folje finale: “t’i mirëpresësh” familjet, “t’i shoqërosh” familjet, “ta shoshitësh”  realitetin familjar e “ta integrosh”. Por e gjithë kjo, pastaj,  duhet të ndikojë që familja, e dashur dhe e ndjekur nga Kisha, të jetë pjesëmarrëse në  baritorinë familjare”.

A duhet rimenduar edhe lidhja ndërmjet çifteve e meshtarëve?

“Edhe brenda sinodit u diskutua e u thellua lidhja ndërmjet meshtarisë e martesës, që nuk janë dy sakramente në kundërshtim njëri me tjetrin. Nuk duhet kërkuar ndonjë epërsi, të dy janë sakramente shërbimi. Urdhëri shenjt, apo meshtaria, shkon në një drejtim - e martesa, në një tjetër, por që të dy janë në shërbim të rritjes së Kishës e të veprës së mëshirës brenda Kishës. Ky është një element tjetër, mbi të cilin duhet reflektuar shumë e - më lejoni të them - edhe të bëjmë pakëz kthesë.

Ç’duhet të presim, atëhere?

“Uroj që ky vit kushtuar rileximit të Amoris laetitia, të jetë fillesë e re. Falënderoj Atin e Shenjtë e i kërkoj Zotit hirin, që e gjithë kjo të mirëpritet e të jetohet në gjirin e bashkësië së krishterë. Uroj që për këtë të angazhohet e gjithë bashkësia”.

 

04 janar 2021, 12:32