Kërko

Vatican News

U rrëmbye dhe u vra në Nigeri, atë John Gbakaan

I kapur nga banditë të armatosur, që kërkuan një shpërblim, trupi i pajetë i meshtarit u gjet afër rrugës Lambata-Lapai, ku u rrëmbye, më 15 janar. Open Doors: në Nigeri, të krishterët persekutohen dyfish

R.SH. - Vatikan

Atë John Gbakaan ishte famullitar i kishës së Shna’Ndout në Gulu, në dioqezën nigeriane të Minna-s. Më 15 janar, shkoi për të parë nënën, që jeton në qytetin Makurdi të shtetit Benue, por u vra, pasi u sulmua nga njerëz të armatosur thjesht, për të kërkuar një shpërblim që ta linin të lirë. Jeta e tij kushtoi 5 milion Naira (monedha vendase): kaq ishte shuma përfundimtare, shumë më e ulët në krahasim me 30 milion Nairat e kërkuara në fillim. “Trupi i pajetë i meshtarit – raporton agjencia Fides - u gjet i lidhur në një pemë afër rrugës ku ndodhi rrëmbimi. Atë Gbakaan u godit me hanxhar, disa herë, në mënyrë që njohja e tij të bëhej më e vështirë”. Nuk dihet fati i të vëllait, i rrëmbyer bashkë me të, që duhet të jetë akoma në duart e banditëve.

Pasiguria dhe dhuna

 Konfirmimi i vrasjes u dha të dielën nga famullitari i Shën Terezës në Madala, atë John Jatau. E gjithë bashkësia e krishterë e Nigerisë u trondit thellë. Shoqata e Krishterë e Nigerisë, CAN, i kërkoi qeverisë federale të impenjohet më shumë për të ndalur rrëmbimet dhe vrasjet e klerikëve nga banditët. “Pasiguria në Veri ka marrë përmasa alarmuese”, nënvizon për agjencinë Fides, zv.kryetari i shoqatës, rev. John Hayab. “Njerëzit jetojnë me frikë dhe shumë të rinj kanë frikë të bëhen meshtarë, ose pastorë, sepse jeta e tyre është në rrezik të madh”, vazhdon ai, duke shpjeguar se kur rrëmbyesit e kuptojnë se viktima e tyre është prift, kërkojnë shpërblim më të madh, ose e vrasin.

Lirimi i ipeshkvit e thirrja e Papës

Disa ditë më parë, në fillim të vitit të ri, u lirua ndihmës ipeshkvi i dioqezës së Owerrit, në Nigeri, imzot Moisiu Chikwe dhe shoferi i tij. Në Engjëllin e Tënzot, i pari i vitit 2021, Papa Françesku pati kërkuar lutje për lirimin e tyre, si edhe për “të gjithë ata, që janë viktima të veprimeve të ngjashme, në Nigeri”. U lut gjithashtu, që “ai vend i dashur të gjejë siguri, harmoni dhe paqe”.

Të krishterët e Nigerisë persekutohen dyfish

Persekutimi i të krishterëve në Nigeri dhe në Afrikën Subsahariane është përkeqësuar nga pandemia e Covid-19, që i ka lënë fushë të lirë veprimit të bandave islamike e të kriminelëve të çdo lloji, siç del nga raporti i organizatës “Open Doors” (Dyer të Hapura). Shpesh, ndodh që bandat kriminele rrëmbejnë të krishterët për t’ua shitur grupeve terroriste si Boko Haram, ose për t’u kërkuar drejtpërdrejt shpërblim familjeve. Raporti nënvizon se të krishterët persekutohen dyfish, nga kriminelët dhe nga fundamentalistët islamikë. Në listën e Open Doors, Nigeria është në vendin e parë për dhunën kundër të krishterëve, me 3500 të vrarë e 990 të rrëmbyer nga 1 tetori 2019 deri më 30 shtator 2020.

18 janar 2021, 18:30