Kërko

Vatican News
Toka Shenjte: zona Qasr al-Yahud Toka Shenjte: zona Qasr al-Yahud 

Toka Shenjte: pas 54 vjetësh, festë në vendin ku u pagëzua Krishti

Françeskanët e Rojtarisë së Tokës Shenjte do të mund ta kremtojnë nesër Pagëzimin e Krishtit në brigjet e Jordanit, ku Zoti e mori Sakramentin nga dora e Gjon Pagëzuesit. Është fjala për zonën Qasar-al-Yahud. Si u bë fushë e minuar pas luftës së 1967-tës, tani shndërrohet përsëri në vend paqeje e lutjeje. Atë Ibrahim Faltas e quan “ditë historike”.

R. SH. - Vatikan

Ndodhet mbi bregun në lindje të Jerikos, hyrja në vendin ku kujtohet  pagëzimi, që Krishti e mori me dorën e Gjon Pagëzuesit, në lumin Jordan. Françeskanët bëjnë shtegtime të përvitshme në këtë vend që, të paktën qysh nga viti 1641, njihet me emrin Qasr al-Yahud (Toka e Hebrenjve). Por që nga viti 1967, për shkak të luftës së gjashtë ditëve, e gjithë zona prej 55 hektarësh u mbyll për shtegtarët dhe turistët, duke u shndërruar në zonë të minuar ushtarake.

Çminimi

Vetëm në vitin 2000, me rastin e shtegtimit jubilar të Papës Gjon Pali II në Tokën Shenjte, në këtë zonë u hap një shteg i ngushtë, që të çonte në breg të lumit. Por më pas, gjatë Intifadës së parë, u mbyll përsëri. Në këto vite vijoi gjatë puna për çminimin e gjithë zonës Qasr al-Yahud. Me miratimin e autoriteteve izraelite e palestineze, nga kjo zonë u hoqën të paktën 4000 mina. Çminimi u krye nga organizata humanitare britanike “Halo Trust”, e specializuar për këtë tip ndërhyrjeje. E, pas 50 vjetësh, Kisha e Shën Gjon Pagëzuesit iu kthye rishtas Rojtarisë së Tokës Shenjte.

Festa e Pagëzimit

Nesër,  e diel, 10 janar, Festa e Pagëzimit të Zotit, në këtë breg lumi, duke nisur nga ora 09.00, do të fillojnë një sërë veprimtarish. Ngjarje e jashtëzakonshme në të cilën, për shkak të pandemisë, do të marrin pjesë vetëm pak njerëz, të udhëhequr nga Rojtaria e Tokës Shenjte. Pas arritjes në Lumin Jordan, procesionit dhe Meshës solemne, sipas programit parashikohet edhe shtegtimi në Malin e Tundimeve. Në këtë ditë do të  rijehojnë  fuqishëm fjalët e Ungjillit:

“Atëherë erdhi Jezusi prej Galilesë në Jordan, te Gjoni, për t’u pagëzuar prej tij. Gjoni donte t’i kundërshtonte e i thoshte: ‘Unë duhet të pagëzohem prej teje, e ti po vjen tek unë?’. Por Jezusi iu përgjigj: ‘Lëre tani! Sepse kështu bëjmë gjithçka përkon me vullnetin e Hyjit. Atëherë e lejoi. Menjëherë pas pagëzimit Jezusi doli nga uji. Dhe, ja! U hapën qiejt dhe pa Shpirtin e Hyjit duke zbritur porsi pëllumb e duke ndenjur mbi të. E një zë që vinte nga lart, tha: ‘Ky është Biri im i dashur, të cilin e kam për zemër!’”.

Atë Faltas: ditë historike

Pas 54 vjetësh, Françeskanët e Rojtarisë së Tokës Shenjte mund ta përkujtojnë pagëzimin e Jezusit pikërisht në atë vend, ku e mori sakrementin nga dora e Gjon Pagëzuesit, në Lumin Jordan. Do të jetë ditë e jashtëzakonshme, nënvizon atë Ibrahim Faltas, i Rojtarisë:

“Për ne do të jetë festë e madhe, ditë e madhe. Ditë historike për françekanët, që nuk i braktisën kurrë Viset Shenjte, as atëhere kur, për shkak të luftës a për shkaqe të tjera, e patën humbur njërin nga këto vise. Humbën pikërisht këtë vend, ku u pagëzua Zoti. Kuvendi, i ndërtuar nga françekanët pas blerjes së trojeve më 1967, u quajt me emrin e Gjon Pagëzuesit. Më pas, gjatë luftës së vitit 1967, françeskanët e humbën kuvendin për shkak të konfliktit. E tani, si kaluan 54 vjet, po rikthehemi për ta kremtuar këtu Meshën. Ditë historike, kjo, për ne. Mesha do të nisë nesër, e diel, në orën 10.00 të paradites. Do të kryesohet nga atë Francesco Patton, rojtar i Tokës Shenjte. Do të jetë i pranishëm edhe nunci apostolik në Jeruzalem si dhe konsujt e Italisë, Spanjës, Belgjikës e Francës. E do të jemi, natyrisht, edhe ne, fretërit, në kulmin e festës së kësaj dite! Ndonëse me keqardhje, në praninë e rreth 50 vetëve, në këtë kohë, kur do të dëshironim ta kishim rreth nesh gjithë botën! Atë botë, që  vijon t’i kërkojë Zotit shëndetin e humbur!”.

Ditë historike: kjo tokë, që për shumë vjet ishte fushë e minuar e zonë ushtarake, tani shndërrohet përsëri në zonë paqeje e lutjeje….

“Kthehet rishtas në vend shenjt. Gjë që do të jetë bekim për këtë kuvend françeskan. Kuvendin e morëm vetëm tre muaj më parë. Është kuvend shumë i bukur. I mahnitshëm. Nesër do të jetë në festë, me gjithë françeskanët. Viti 2020 ishte i vështirë për të gjithë nga shkaku i pandemisë e nga një mori shkaqesh të tjera. Por përsa na takon ne, françeskanëve, mund të themi se patëm edhe çaste të jashtëzakonshme, çaste gëzimi, sepse Rojtarisë iu kthyen ky kuvend e edhe Kolegji i Halebit”.  

Festa e kësaj së dieleje do ta kishte mbushur me hare të jashtëzakonshme gjithë botën e, po të mos ishte pandemia, këtu do të kishin vërshuar shtegtarë nga anë e anës. Por edhe kështu, është kohë rilindjeje. E rilindja ndjehet edhe nga larg….

“Vit i ri, ditë për të rilindur’. Kjo është edhe domethënia  e Pagëzimit. Nuk mund ta përfytyroni gëzimin tonë,  gëzimin e fretërve të Rojtarisë së Tokës Shenjte. E diela do të jetë ditë feste. Do të kremtohet mesha, pas saj, bekimi. E pastaj, procesioni nga kuvendi, në Lumin Jordan, pikërisht aty ku u pagëzua Zoti Jezu Krisht. Është vërtet gëzim i papërshkrueshëm të rikthehesh në këtë kuvend, aq të dashur për fretërit e Rojtarisë. E edhe për të gjithë fretërit, që i dhuruan jetën këtyre viseve të shenjta. Mendoj se edhe ata, nga qielli, ndjehen tejet të kënaqur kur shikojnë se ky kuvend i kthehet Rojtarisë së Tokës Shenjte”.

Çfarë do të thotë ky kthim për Lindjen e Mesme?

“Për Lindjen e Mesme do të thotë se nuk duhet ta humbasim kurrë shpresën. Askush nuk e mendonte se një ditë ky kuvend do të ishte përsëri nën rojën tonë. Shumëkush besonte se kthimi ishte i pamundur. Po për Zotin nuk ka asgjë të pamundur. Prandaj nuk duhet ta humbasim kurrë shpresën e as besimin se gjithçka do të rikthehet në gjendje normale. Jam i bindur se një ditë do ta shikojmë edhe paqen në Tokën Shenjte, do t’i shikojmë përsëri këto vise përplot me njerëz, përplot me shpresë, përplot me paqe! E këtë e dëshirojnë të gjithë banorët e Lindjes së Mesme. E ne, françeskanët, shpresojmë se do të rikthehemi edhe në kuvendin e Çenakullit. Shpresojmë se edhe ky do të na kthehet e se shumë shpejt do t’i besohet përsëri Rojtarisë”.

09 janar 2021, 11:37