Kërko

Pagëzimi i Krishtit në lumin Jordan Pagëzimi i Krishtit në lumin Jordan

Të meditojmë me Ungjillin e së dielës së Pagëzimit të Zotit

Sot është e Diela e Pagëzimit të Zotit tonë Jezu Krisht. Ungjilli i kësaj dite, marrë nga kreu i parë i Shën Markut, na bën të kuptojmë kush ishte Biri i Hyjit. Vërtet, shkoi të pagëzohej te Gjon Pagëzuesi, që e dinte se nuk ishte i denjë për këtë. E, sapo u pagëzua, Shpirti Shenjt zbriti mbi kryet e Jezusit e Ati Qiellor e njohu si Birin e vet të dashur. Por le ta ndjekim këtë pjesë...

R.SH. - Vatikan

7 Në atë kohë, Gjoni predikonte: “Pas meje po vjen një më i fortë se unë. Unë nuk jam i denjë as të ulem para tij për t’ia zgjidhur rripin e sandaleve. 8 Unë ju pagëzova me ujë, ndërsa ai do t’ju pagëzojë me Shpirtin Shenjt”. 9 Në ato ditë erdhi Jezusi prej Nazaretit të Galilesë e Gjoni e pagëzoi në Jordan. 10 Dhe menjëherë, ndërsa po dilte nga uji, pa qiellin e hapur dhe Shpirtin në trajtë pëllumbi që po zbriste mbi të, 11 kurse prej qiellit jehoi zëri: “Ti je im Bir - Djali i dishirit! Ty të miratova!”

Të lutemi së bashku:

Jo, askush s’mund të thotë më se qielli është i paarritshëm

e se kjo tokë është e destinuar të mbetet si gjithmonë,

e lagur nga djersa dhe gjaku,

e përshkelur nga ushtritë e fitimtarëve,

e plaçkitur nga dinakët dhe mashtruesit.

 

Qielli hapet dhe Shpirti Shenjt, o Zot Jezus,

zbret mbi Ty, në formën e pëllumbit,

e kështu, fillonin kohë të reja.

 

Përmes fjalëve dhe gjesteve të tua

Zoti bëhet i afërt me gjithë njerëzit

e dashuria e Tij i shkëput nga shtigjet e egoizmit,

nga pistat e skllavërisë së lashtë,

nga tmerret e keqdashjes,

nga udhët joshëse të një jete pa rregulla.

 

Përmes fjalëve dhe gjesteve të tua

Zoti vepron e na shndërron,

na e shuan falas urinë e shpirtit e na përtërin,

na shëron e na njeh me një energji të re

që secili të ndërmarrë

udhën e drejtësisë e të paqes,

të solidaritetit e të pajtimit.

 

Përmes fjalëve dhe gjesteve të tua

një shi i frytshëm lag

tokën tonë të etur

e i shndërron shkretëtirat në kopshte të lulëzuara,

zonat e shkreta në rajone të pasura me fryte,

pasi, nëse zemra e njeriut hapet për dashurinë tënde,

fiton dinjitet të ri e përjeton gjendje të reja,

që mbajnë vulën e Hirit Tënd.

09 janar 2021, 08:23