Kërko

Vatican News

Të meditojmë me Ungjillin e së dielës II të vitit kishtar

Pjesa e sotme ungjillore është marrë nga kreu i parë i shën Gjonit. Takimi me Krishtin, na mëson ungjilltari, nuk është ngjarje sipërfaqësore: do të thotë ta ndiejmë se dikush na kupton e na do e sidomos, na njeh aq mirë sa të na e ndërrojë edhe emrin, duke na ndryshuar kështu, qëndrimin tonë ndaj jetës. Kur takojmë Krishtin bëhemi lajmëtarë të shëlbimit të Tij. Të ndjekim Ungjillin sipas Gjonit...

R.SH. - Vatikan

35 Të nesërmen prapë ishte Gjoni bashkë me dy prej nxënësve të vet dhe, 36 kur e pa Jezusin duke kaluar andej, tha: “Qe, Qengji i Hyjit!” 37 Dy nxënësit e tij dëgjuan ç’tha dhe u nisën mbas Jezusit. 38 Jezusi, kur pa se po e ndiqnin, u kthye dhe i pyeti: “Çka kërkoni?” Ata iu përgjigjën: “Rabbi, [që do të thotë: Mësues], ku banon?” 39 “Ejani e shihni!” - iu përgjigj. Ata shkuan e panë ku banonte dhe atë ditë ndenjën tek ai. Ishte rreth orës dhjetë. 40 Njëri prej atyre të dyve që, kur e dëgjuan Gjonin, u nis mbas Jezusit, ishte Andreu, i vëllai i Simon Pjetrit. 41 Ky më të parin gjeti vëllanë e vet, Simonin, dhe i tha: “E gjetëm Mesinë [që do të thotë: të Shuguruarin]!” 42 Dhe e solli te Jezusi. Jezusi e shikoi dhe i tha: “Ti je Simoni, biri i Gjonit! Ti do të quhesh Kefë!” [që do të thotë: Pjetër-Shkëmb].

Të lutemi së bashku:

Takimi me Ty, o Jezus,

nuk ka asgjë magjike, që zgjat veç një çast:

kalon përmes dëshmisë së njerëzve,

por, pastaj, ka nevojë për zjarrin e dëshirës

që të nxit të vihesh për udhë,

të kërkosh, të bësh pyetje

e të gjesh gjithë kohën e nevojshme

për të marrë përgjigjet e shumëpritura,

për të kuptuar më thellë e më mirë.

 

E kështu, falë shën Gjon Pagëzuesit,

dy dishepujt vihen për udhë pas Teje

e, përmes Andreut, ti arrin tek Pjetri.

Secili duhet të bëjë pjesën e vet të rrugës, nëse dëshiron

të krijojë marrëdhënie të vërteta me Ty.

Secili prej nesh duhet të rrijë me Ty, ta pranojë Fjalën tënde,

nëse dëshiron të të njohë jo sa për sy e faqe,

por nga afër, deri thellë në shpirt.

 

Ja përse shumë udhë feje

mbeten të bllokuara përgjithmonë:

sepse njerëzit s’kanë kohë për Ty

e jetojnë vetëm entuziazmin e parë,

flakë kashte që shpejt,

shuhet, pa lënë gjurmë.

 

Ja përse të bëhesh dishepulli yt

nuk është fryt spontan i ambientit familjar,

kërkon zgjedhje, marrjen e një vendimi

lodhjen e një udhe, që duhet bërë

hap pas hapi, çdo ditë.

Në fund të fundit, kjo është aventura

më e rëndësishme e gjithë jetës.

16 janar 2021, 08:30