Kërko

Agjërim e lutje për paqen në NInive Agjërim e lutje për paqen në NInive 

“Rilindja e Ninives”: agjërim e lutje për paqen

Tri ditë lutjesh, duke nisur që sot, për t’i kërkuar Zotit fundin e pandemisë dhe kushtet që vizita e Papës, marsin e ardhshëm, të mund të realizohet pa pengesa. Këtë nismë, që na kujton episodin biblik të Jonës, propozoi Patriarku i Babilonisë së Kaldejve, kardinali Louis Raphaël Sako

R. SH. - Vatikan

Agjërim deri në mesditë ose, për kë mundet, deri në darkë, e pjesëmarrje e përditshme në çaste lutjesh e në kremtime meshësh: kështu përgatitet shumica e të krishterëve në Irak për ta jetuar “Rilindjen e Ninives”, siç quhen tri ditët e lutjes, që nisën sot, 25 janar, duke u kujtuar besimtarëve edhe Kreshmët e afërme.

Emri i nismës, siç shpjegon në një notë Patriarku i Babilonisë së Kaldejve, kardinali Sako, të kujton menjëherë episodin biblik të Jonës: i dërguar nga Zoti në qytetin e Ninives për t’i predikuar popullit, ai nuk pranon, sepse Ninive ishte qytet hebraik. Pas kësaj mosbindjeje, ndërsa lundron nëpër det shpërthen një stuhi e frikshme, anija përmbyset e ai përfundon në barkun e një balene. I tmerruar, e i penduar thellë në shpirt, i kërkon falje Zotit, që ia shpëton jetën. Ky episod - kujton kardinali Sako - dëshmon se “Zoti është i mëshirshëm, është Atë, që kujdeset për gjithë bijtë e bijat e dëshiron shëlbimin e të gjithëve”.

Nga vuajtja, një mundësi për hir e mirësi

Përveç kësaj, duke shfletuar historinë shumëshekullore të Ninives, Patriarku kujtoi edhe kohën, kur vendi u moleps nga një kolerë dramatike, që e dërmoi gjithë Mesopotaminë e shekullit VI: u krijua edhe asokohe një situatë e ngjashme me të sotmen, kur pandemia vijon të shkatërrojë jetën e mijëra njerëzve. Ishte katastrofë globale në të gjitha këndvështrimet - shkruan Patriarku Kalde - me pasoja negative për shëndetin e njerëzve, të veprimtarive shoqërore, kulturore ekonomike e fetare. “Por, ashtu si u zhduk kolera e asaj kohe të lashtë, kështu edhe ne mund ta shndërrojmë këtë përvojë të tmerrshme të pandemisë, në hir e mirësi, përmes solidaritetit shpirtëror e shoqëror”.

Pendesë kërkon nga ne Zoti!

“Të pendohemi për mëkatet tona - i nxit Kardinali Sako besimtarët - të lutemi për shpëtimin nga coronavirusi, të kundrojmë kuptimin e jetës sonë,  të marrim mbi vete përgjegësitë tona ndaj vëllezërve e motrave e t’u shprehim solidaritetin tonë atyre, që janë të sëmurë, që humbën punën e mundësinë për të mbajtur gjallë jetën: t’ia shtrijmë dorën atij, që ka nevojë!”.

Lutje e veçantë për Papën  

Kardinali i ftoi besimtarët të luten posaçërisht “për rikthimin e paqes, të sigurisë e të stabilitetit në vend e në rajon, pas gjithë atyre luftërave e konflikteve që e gjunjëzuan”. Në përfundim kërkoi një uratë e posaçme  për realizimin e vizitës së Papës Françesku në Irak, parashikuar për datat 5 deri më 8 marsin e ardhshëm, me etapa në Bagdad; në Rrafshin e Ur, lidhur me kujtimin e Abrahamit; në qytetin Erbil, ashtu si në Mosul, Qaraqosh e në Rrafshin e Ninives.

Duhet kujtuar se, për këtë qëllim, Patariarku kaldeas shkroi një lutje të posaçme, që Kisha vendase nisi ta thotë që të dielën e kaluar, më 17 janar.

E vizita e shumëpritur e Papës ishte edhe në qendër  të takimit të Këshillit të ipeshkvijve katolikë irakianë, zhvilluar të martën e kaluar, më 19 janar, pranë selisë së Patriarkatit kaldeas të Al-Mansour, në Bagdad. Punimet i kryesoi kardinali Sako. Të pranishëm, ipeshkvijtë Jean Soliman, John Boutros Moshe, Ephrem Youssef Aba, Mikha Makdisi, Bashar Warda, Youssef Touma, Habib Al-Nawfali, Basileus Yeldo, Mikhail Naguib, Robert Gerges, Nathanael Nizar Samaan, Felix Shabi, Athanasios Firas Dardar e imzot Joseph Narcis.  I pranishëm edhe Nunci apostolik në Irak, Imzot Mitja Leskovar.

25 janar 2021, 14:25