Kërko

Vatican News
Krishtlindja në Betlehem Krishtlindja në Betlehem 

Pizzaballa: në Kishën vendase duhet kapërcyer klerikalizmi

Patriarku latin i Jeruzalemit, në Meshën e ditës së parë të Vitit të Ri, u ndalua tek një mori aspektesh, që karakterizojnë Kishën në Tokën Shenjte, ndërmjet arritjeve e pengesave, për t’u kapërcyer.

R. SH. - Vatikan

“Të kapërcehen klerikalizmi dhe partikularizmat e brendshme, që rrezikojnë ta pengojnë udhën kishtare të Kishës vendase,  për t’u rinisur nga Krishti. Nga Ai, që e shembi murin e përçarjes me anën e Korpit të Tij”. Kjo, zemra e homelisë së patriarkut latin të Jeruzalemit, imzot Pierbattista Pizzaballa, me rastin e Ditës Botërore të Paqes. Gjatë Meshës, prelati reflektoi mbi temën e paqes, parë me syrin e situatës në Tokën Shenjte, duke u ndaluar në mënyrë të posaçme tek “muret”- kujtoi - që nganjëherë i ngremë pavetëdijshëm brenda nesh e ndërmjet nesh! Mure që ndajnë e pengojnë përparimin.

Plaga e klerikalizmit

Imzot Pizzaballa u ndalua tek katër plagët kryesore, që e pengojnë Kishën. Në radhë të parë kujtoi “distancën ndërmjet klerit e laikëve” - domethënë klerikalizmin - fenomen shumë i përhapur, siç vë në dukje edhe Françesku. Por që, vërejti, është tepër i dukshëm në Kishën e Jeruzalemit. “Bashkëpunimi ndërmjet meshtarëve e laikëve shpesh keqkuptohet e përfundon me mendimin, krejtësisht të gabuar, se detyra e laikut është të bëjë çka do meshtari”. Faktorët kulturorë nuk ndihmojnë “për të  bashkëpunuar në jetën kishtare”: nga njëra anë - vërejti - është e vështirë  t’i bindësh meshtarët të krijojnë këshilla famullitare e t’i ndajnë bashkë idetë e nismat. Nga ana tjetër, nuk është aspak e lehtë të gjesh laikë të formuar, të angazhuar, plot me dëshirë për të sjellë kontributin e tyre pozitiv në bashkësi. Sipas imzot Pizzaballës, “ky është mur real, që duhet pasur mirë parasysh, posaçërisht duke menduar për breznitë e ardhshme, që duan të jenë protagoniste në jetën e Kishës, e jo njerëz, të cilët janë në Kishë vetëm për të zbatuar urdhëra e direktiva”.

Dëgjimi reciprok

Patariarku i Jeruzalemit foli, më pas, edhe për hendekun ndërmjet breznive: “atyre që e shikojnë me mall të kaluarën dhe e qajnë modelin e Kishës e të bashkësisë që ishte, por që tani nuk është më, duke harruar të sotmen, për t’u jetuar me paqë të krishterë”, e të rinjve,“të cilët duan ta ndryshojnë edhe çka nuk duhet ndryshuar”. Të dy qëndrimet - theksoi - janë arratisje nga e sotmja, ndërsa çka u kërkon Kisha është “të dëgjojnë e të shikojnë plot mirënjohje çka është bërë, të gatshëm për të ecur në rrugë të reja, me hirin e Zotit”. Prelati kujtoi edhe distancën ndërmjet Kishës vendase e asaj universale të Jeruzalemit, a më mirë të themi, “tundimin”  e përhapur në të gjitha territoret, duke përfshirë edhe patriarkatin, “për ta konsideruar komponentin universal si “mysafir”, e jo si pjesë përbërëse e Kishës, ose, nga ana tjetër, për ta shikuar komponentin lokal si pjesë pa pikë rëndësie, “në shuarje e sipër”, ndërsa  të dyja palët duhet ta mbështesin njëra-tjetrën, “sepse të dyja janë pjesë e identitetit dhe e historisë së Kishës sonë”.

Zemra e Krishtit

Mure të tjera janë katër identitetet kombëtare të dioqezës: Jordania, Izraeli, Palestina e Qipro, “shpesh në antitezë” edhe për shkak  të rrethanave konfliktuale në të cilat jeton Kisha vendase, e është edhe larmia gjuhësore, “pasuri e pabesueshme, por edhe pengesë jo e vogël për takimin e  bashkëpunimin”. E pengesa kryesore, që u prin të tjerave – sipas Patriarkut të Jeruzalemit,  është individualizmi, synimi “për të zënë kryet e vendit” edhe në Kishën e Jeruzalemit. Për t’i kapërceyer gjithë këto pengesa - kujtoi në përfundim imzot Pizzaballa - duhet të nisemi nga lidhja jonë me Krishtin, e jo nga dëshirat tona;  ta vëmë zemrën tonë në Zemrën e Krishtit, ta lexojmë jetën tonë personale e atë kishtare, në dritën e Fjalës së Zotit. Nuk mund të jetohet pa dashuri - përfundoi patriarku - e dashuria nga e cila duhet të nisemi, është ajo e Zotit, që dha jetën për ne e për shpëtimin tonë”.

03 janar 2021, 12:12