Kërko

Giotto scrovegni Giotto scrovegni 

Pagëzimi i Zotit: Zëri i Hyjit i pikturuar nga Giotto

Në të dielën pas Dëftimit, Kisha kremton festën e Pagëzimit të Zotit. Rrëfimi ungjillor i ngjarjes në brigjet e lumit Jordan ka frymëzuar, në rrjedhë të historisë së njerëzimit - e asaj të artit - një sërë artistësh, që realizuan dhjetra kompozime me këtë temë tejet joshëse. Po kompozimi i Giotto-s, në Kapelën Scrovegni të Padovës, është pa dyshim një nga shprehjet më të realizuara.

R. SH. - Vatikan

“Ti je im Bir i dashuri”. Zëri i Hyjit Atë jehon aq fuqishëm, sa të duket sikur del nga piktura për të tronditur shpirtrat e atyre, që e sodisin skenën aq, sa ta marrin më pas me vete atë zë, për ta çuar përtej mureve të Kapelës së vogël, por që ngërthen brenda saj, gjithë historinë e shëlbimit, duke ia dhuruar njerëzimit të prekshme. Katër mure, prej nga të flet zëri i Zotit. Duke soditur faqen e murit në drejtim të veriut të afreskuar nga Giotto ndërmjet viteve 1303 e 1305, me porosinë e bankierit padovan Enrico Scrovegni, të parakalon para sysh e gjithë jeta publike e Krishtit. E syri ndalet sidomos mbi njërën nga tridhjetë e gjashë skenat e pikturuara  nga mjeshtri toskan, në 900 metrat katrore të sipërfaqes së murit të ndërtesës së vogël kushtuar Shën Marisë së Dashurisë. Është skena e Pagëzimit të Jezusit.

Dritëhijet, bluja dhe e gjelbra

Peneli i artistit mesjetar nuk harron asnjë hollësi të episodit ungjillor, që shprehet në pak versete. Të duket sikur Giotto mahnitet duke e pikturuar këtë skenë, që të rrëmben me dritëhijet realizuar mbi antitezën kromatike të blusë së qiellit në pjesën e sipërme , me të gjelbrën e ujit të Jordanit në atë të poshtmen. Këtu çdo ngjyrë ka kuptim të veçantë: e kaltra të kujton se u bëmë për qiellin, e gjelbra flet për shpresën e ringjalljes, e kështu me radhë, ai që e sodit kryeveprën e pashoqe e të papërsëritshme, rrëmbehet nga simfonia e ngjyrave aq, sa i duket sikur  muri i hap “dyert”, për ta përfshirë brenda skenës, që të mbush sa me kënaqësi estetike, aq edhe me mahnitje shpirtërore.

Fytyra e Logos

Fantazia e çon Artistin, e me të edhe soditësin,  shekuj përmbrapa, në brigjet e Jordanit, ku shikon Krishtin duke u pagëzuar e dëgjon zërin e Zotit i cili jehon në shpirtin e mijëra  dashamirëve të artit, që jetojnë ca çaste ndërmjet katër mureve të kësaj kapele të vogël. Këtu syri të ndalet mbi Jezusin e zhveshur, në këmbë brenda ujërave të lumit. Mbi të sodit rrezet e arta të pëllumbit të Shpirtit Shenjt. E sipër tij, shikon Zotin Atë, me një libër në dorë. Pikturat  gjoteske të zbulojnë misterin e Fjalës, Logos - librit - të mishëruar. Në këtë pikturë Zoti ka fytyrë. Nuk është më ligj, as një sërë rregullash. Është Vetje: “Kush më shikon mua, sheh Atin!” (Gjn 12,45). Këto fjalë të Shën Gjonit, që duket sikur dalin nga afresku, i merr me vete kush ka fatin t’i sodisë katër muret e kapelës Scrovegni, ku përmblidhet vetë Shkrimi Shenjt, që vijon t’i kujtojë njerëzimit pohimin e madh të Krishtit: “Kush më shikon mua, sheh Atin!”.

10 janar 2021, 11:31