Kërko

Filipinasit luten për shpirtin e meshtarëve të vrarë Filipinasit luten për shpirtin e meshtarëve të vrarë 

Në Mindanao vritet me të shtëna pistolete një meshtar katolik

Don Rene Bayang Regalado u vra pranë Seminarit të St. John XXIII College. Dioqeza shpreh hidhërimin e thellë për humbjen e meshtarit!

R. SH. - Vatikan

Don Rene Bayang Regalado po rikthehej me makinë në seminar nga fshati Patpat, pranë Malaybalay, qytet i provincës së Bukidnon, në ishullin e madh të Mindanaos, në jug të Filipineve, kur u ndalua në rrugën e izoluar e u vra nga disa njerëz të armatosur. Lajmin e jep Agjencia Fides. Policia u njoftua nga meshtarët e Kolegjit, pasi rreth orës 19:30 me orën vendase, dëgjuan të shtëna armësh zjarri.

Familja e don Regalados, me origjinë nga fshati Sinayawan, pranë Valencia City,  kërkoi autopsinë.  Ndërsa deri në këto çaste, gjithçka që lidhet me këtë vrasje, mbetet krejt e paqartë, dioqeza e Malaybalay, përmes një mesazhi në Facebook, e dënon këtë akt të shëmtuar e dramatik  dhe i fton besimtarët të luten për familjen si dhe për kapjen e shpejtë të vrasësve.

Kush ishte Don Regalado?

Pifti i vrarë u shugurua meshtar në vitin 2001, pasi kreu formimin në Seminarin e Shën Gjonit XXIII e u doktorua në Teologji në Kolegjin e Shën Isidorit, duke i kryer përfundimisht studimet teologjike pranë Seminarit teologjik të Shën Giovanni Maria Vianney-t, në Cagayan de Oro City. Vrasja e tij ka mundësi të jetë e lidhur me angazhimin shoqëror në favor të bujqve vendas. Mendohet kështu edhe pse pak para se të vritej, u kërcënua se do ta vrisnin, po të mos hiqte dorë nga kjo veprimtari bamirëse.

Meshtari i katërt katolik, që vritet në Filipine

Sipas lajmeve të agjencisë së ipeshkvijve Cbcpnews, don Regalado është meshtari i katërt katolik që vritet në Filipine, që nga dhjetori 2017. Më 10 qershor 2018 dy burra të armatosur shtinë mbi atë Richmond Nilo, që po meshonte në kapelën e Zojës së Borës, në Saragozza, provinca e Nueva Ecija, në veri të Manilës. Më 29 prill, atë Mark Ventura, 37 vjeç, vritej, gjithnjë me të shtëna arme zjarri, pasi kishte kremtuar Meshën në Cagayan; ndërsa më 4 dhjetor mbetej viktimë e sulmit mbi qytetin Jaen, atë Marcelito Paez, pasi kishte ndërmjetësuar për lirimin e një të burgosuri politik.  

I njohur për vizita në bashkësitë më të izoluara

Don Regalado njihej edhe si "Paring Bukidnon" (Prift i malit) nga që vizitonte shpesh bashkësitë më të izoluara, ku punonte për zgjidhjen e problemeve të bujqve. Shquhej për promovimin e bujqësisë biologjike e të qëndrueshme në blogun e tij, ku trajtonte tema me karakter shoqëror. Sipas njoftimeve të policisë, don Regalado kërcënohej prej kohe me vdekje, ndaj kërkimet po bëhen kryesisht në këtë drejtim.

25 janar 2021, 15:40