Kërko

Vatican News

Motu Proprio “Spiritus Domini”. Imzot Lameri: “nuk është meshtari apo diakoni për gruan”

“Është fjala për njohjen e laikëve dhe të rolit të tyre në Kishë, drejt çklerikalizimit të një shërbese". Imzot Angelo Lameri, profesor i Liturgjisë në Universitetin Papnor Lateranens, komenton dokumentin e sotëm të Atit të Shenjtë, kushtuar institucionalizimit të shërbimit të lektoratit dhe të akolitatit për gratë.

R.SH. - Vatikan

“Me Motu Proprio-n ‘Spiritus Domini’, Papa Françesku përmbush një proces të filluar në vitin 1972 nga Shën Pali VI”. Kështu shprehet imzot Angelo Lameri, profesor i Liturgjisë në Universitetin Papnor Lateranens, duke komentuar dokumentin e sotëm të Atit të Shenjtë, kushtuar institucionalizimit të shërbimit të lektoratit dhe të akolitatit për gratë. “Nuk do të ishte e drejtë të interpretohej norma e re thjesht si ‘promovim’ i grave, rolin e të cilave Kisha duhet ta njohë gjithnjë e më shumë, edhe aty ku merren vendime të rëndësishme - vëren prelati. – E nuk duhet shikuar as si hap i parë për pranimin e saj në urdhrin meshtarak, pasi ka pasur një prononcim përfundimtar magjistral për këtë, e as si hap drejt diakonatit, ende objekt studimi nga një Komision i veçantë”.

Çklerikalizimi i një shërbese

“Është fjala për njohjen e laikëve dhe të rolit të tyre në Kishë, drejt çklerikalizimit të një shërbese, e cila, ndër të tjera, nuk mund të kuptohet dhe të ushtrohet vetëm në kuadrin e liturgjisë”, shpjegon më tej imzot Lameri, duke kujtuar se “shërbimi i lektorit nuk ushtrohet vetëm në kumtimin e leximeve jo-ungjillore në kremtim, por edhe në shpalljen e fjalës së Zotit, në mënyrë që ajo të lulëzojë e të japë fryte në zemrat e njerëzve. Akoliti nuk shërben vetëm në altar, por edhe dëshmon dashurinë e sinqertë për Korpin mistik të Krishtit, sidomos për të ligështit dhe të sëmurët”. Me fjalë të tjera, është fjala për ta “kryer misionin kishtar në ato realitete të hapura për ungjillizim, që Shën Pali VI i pati përcaktuar si fushë veprimtarie laike: dashuria, familja, edukimi i fëmijëve dhe i të rinjve, puna profesionale, vuajtja”.

Ndarja e misionit me të gjithë popullin e Zotit

 Nuk ka dy “binarë paralelë”: nga njëra anë, shërbimi i lektorit dhe i akolitit, themeluar me një rit të veçantë liturgjik, rezervuar vetëm për burrat, i vlefshëm për gjithë Kishën Latine, i detyrueshëm për ata, që duhet të hyjnë në diakonat dhe/ose të shugurohen meshtarë e, nga ana tjetër, “shërbimet e tjera, që mund t’i bëjnë edhe gratë, lidhur me nevoja të caktuara në Kishat lokale, pa ndonjë rit liturgjik të veçantë”, me të cilin ato bëhen lektore dhe akolite.

Tani, në vend të kësaj, kemi një “reciprocitet të frytshëm” ndërmjet shërbimeve laikale dhe shërbimit të njerëzve të shuguruar. “Edhe kandidatët për Urdhrin Shenjt përfitojnë prej këtij” Motu Proprio të Papës, pohon imzot Lameri: “gjatë shërbimit të Lektoratit dhe të Akolitatit, së bashku me burra dhe gra të tjera, ata do ta përjetojnë shërbimin kishtar dhe udhën e tyre kah Urdhri Shenjt, jo si hapa drejt ndonjë pushteti në rritje, por si ndarje e misionit me të gjithë popullin e Zotit, në të cilin secili, duke iu përgjigjur me bujari thirrjes së Hyjit, e kupton se është shërbëtor i Krishtit dhe i vëllezërve”.

11 janar 2021, 13:07