Kërko

Libri ‘Shën Jozefi – shenjti më i afërt i Jezusit’, në shqip

Shёn Jozefi shembull pёrvujtёrie e kujdesi pёr tё gjithё. 'Shën Jozefi – shenjti më i afërt i Jezusit' (Il Santo Più vicino a Gesù,) njё libёr nё gjuhёn shqipe, nё kuadrin e Jubileut tё ‘Vitit tё Shёn Jozefit’, i at Tarcisio Stramare përkthyer nga dom Jeton Thaqi e botuar nga ‘Drita’, mё 2020 nё Prishtinë.

R.SH. - Vatikan

Nё kuadrin e Jubileut tё ‘Vitit tё Shёn Jozefit’, shpallur nga Papa Françesku më Letrën Apostolike “Patris corde” - “Me Zemrën e Atit”, nё dhjetorin e kaluar, kohёve tё fundit, nё Kosovё, doli nё dritё nё gjuhёn shqipe libri kushtuar Pajtorit Qiellor tё Kishё Universale me titullin ‘Shën Jozefi – shenjti më i afërt i Jezusit’ (Il Santo Più vicino a Gesù,) vepёr e at Tarcisio Stramare, përkthyer nga dom Jeton Thaqi e botuar mё 2020 nga ‘Drita’, nё Prishtinë. Botimi u bë edhe në kuadrin e 115 vjetorit të themelimit të famullisë kishtare të Shë Jozefit në Stubëll (më 1 shkurt 1905), dioqeza Prizren-Prishtinë.

Po kujtojmё se nё gjuhёn shqipe kemi edhe njё botim tjetёr kushtuar Shёn Jozefit, ёshtё vepra e ipeshkvit ndihmёs tё kryedioqezёs sё Shkodrёs, imzot Zef SimoniJeta e Shën Jozefit”, botuar nё Tiranё mё 1994.

Pёr Shën Jozefin, fatin e Marisë së Nazaretit, nuk mund të hartohet një biografi siç bёhet për shenjtorët e tjerë, sepse figura dhe misioni i tij e vendosin atë aq afër Krishtit, saqë Jozefi duhet vёshtruar në dritën e misterit të Mishërimit të Hyjit, qё ёshtё themeli i shëlbimit. Kjo broshurë e ilustruar ‘Shën Jozefi – shenjti më i afërt i Jezusit’  e konsideron figurën e Shёn Jozefit qendrore për fenё e krishterë nën dy aspekte: teologjik dhe atё tё "pёrmasёs fetare" (festat liturgjike, praktikat e devotshme, traditat popullore....). Përveç kёsaj, përmes një serie "pyetjesh e përgjigjesh", në librin ‘Shën Jozefi – shenjti më i afërt i Jezusit'  trajtohen disa çёshtje të veçanta që përmenden shpesh kur flitet për shenjtin. 

Duke krahasuar Shën Jozefin, njeri i fortё dhe i heshtur, me llambën shtëpiake, e cila shpërndan rrezet e saj të dobishme plot dritё në "shtëpinë e Zotit", Kishё, Papa Shёn Pali VI pohon se Shёn Jozefi driçon në Kishё dhe nё jetёn e besimtarit me shembullin dhe shёrbimin e tij tё heshtur e tё pakursyer plot dashuri ndaj Jezu Krishtit. Kisha, pra, na fton ta imitojmë Shën Jozefin që e donte familjen e vet, pa përdorur kurrë fjalë të mëdha. Që i bënte mirë miqve, fare pa bujë. Që ishte gjithnjë i pranishëm, pa u dukur kurrë. 

Shën Ambrozi komenton se Zoti e zgjodhi Shën Jozefin, sepse ëmbëlsia e drejtësia e tij e bënte tejet të denjë në cilësinë e dëshmitarit. Jozefi i Nazaretit është njeriu, që edukoi e rriti vetë Zotin. Është shembulli, që Zoti i mishëruar, Jezu Krishti pati çdo ditë parasysh për të kuptuar ç’do të thotë të jesh njeri, që e përdor për mirë talentin e inteligjencën e që përforcon ditë për ditë dhuratën e fesë.

Po mё tepër mbi librin ‘Shën Jozefi – shenjti më i afërt i Jezusit’ (Il Santo Più vicino a Gesù,), përkthyer nё gjuhën shqipe’ nga dom Jeton Thaqi, nga famullia e Shёn Jozefit nё fshatin Stubёll tё Karadakut tё Kosovёs na njofton Sarё Gjergji:...

Nga famullia e Shёn Jozefit nё Stubёll tё Kosovёs na njofton Sarё Gjergji

Sarë Gjergji nga Stublla, Kosovё, na njofton me librin e Tarcisio Stramare ‘Shën Jozefi – shenjti më i afërt i Jezusit’ (Il Santo Più vicino a Gesù,), pёrkthyer nё gjuhёn shqipe’ nga Dom Jeton Thaqi e botuar mё 2020 nga ‘Drita’, nё Prishtinë.

‘NJË LIBËR QË MUNGONTE...‘ shkruann Sarë Gjergji: Tarcisio Stramare, Shën Jozefi – shenjti më i afërt i Jezusit, Drita, Prishtinë, 2020, përkthyer nga Dom Jeton Thaqi. (Titulli i origjinalit: Il Santo Più vicino a Gesù, Elledici & Velar, Torino-Bergamo, 2010).

Dom Jeton Thaqi bëri mirë që solli në shqip librin ‘Il Santo Più vicino a Gesù’ të autorit italian Tarcisio Stramare, në shenjë të dy jubileve: në 150 vjetorin e shpalljes së Shën Jozefit Pajtor Qiellor të Kishës Universale, nga Papa Piu IX, me dekretin Quemadmodum Deus, të datës 8 dhjetor 1870 dhe në 115 vjetorin e themelimit të famullisë së Shë Jozefit në Stubëll (më 1 shkurt 1905).

Kështu, dom Jetoni u bë famullitari i parë që i dhuroi Stubllës dhe lexuesit në Kosovë një libër në gjuhën shqipe kushtuar figurës së Shën Jozefit. 
Stramare, i cili konsiderohet si një nga studiuesit kryesorë të jozefologjisë në rrafshin  ndërkombëtarë, në këtë libërth, figurën e Shën Jozefit e skicon shkurtimisht dhe në mënyrë të thuktë, në aspektin teologjik dhe atë fetar.

Në rastin e parë, figura e Shën Jozefit shihet në dritën e misterit të mishërimit dhe shpengimit. Krejt kjo, duke pasur parasysh hiret dhe misionin e këtij shenjti, praninë dhe rolin e tij në jetën  e Krishtit. Për ta bërë më të nëpërdukshme një gjë të tillë për lexuesin, autori, duke pasur për bazë Shkrimin Shenjt e duke iu referuar atij, e sheh të arsyeshme ta bëjë portretizimin e figurës së Shën Jozefit. Shih për këtë dhe  në funksion të përplotësimit të një sfondi, tabloje e konteksti më të gjerë, jozefologu Staramare, shkruan për breznitë e Jozefit, për Jozefin si të fejuarin e Marisë, për atësinë e Jozefit, për shërbimin e atësisë e për Jozefin si njeri të drejtë.

Në rastin e dytë, autori dëshiron të shpërfaq rritjen e Shën Jozefit në “sensus fidei” të besimtarëve. Në këtë këndvështrim, autori shkruan për  festat liturgjike kushtuar Shën Jozefit, institute dhe vëllazëri që mbajnë emrin e tij, praktika përshpirtërie – devocionale (duke filluar nga praktika e shtatë dhimbjeve e shtatë gëzimeve të Shën Jozefit, të vitit 1536, deri te muaji mars ose muaji kushtuar Shën Jozefit, praktika e të cilit është aprovuar dhe njësuar nga Piu IX dhe Piu XI), kurorëzime kanonike (figura, statuja...), muzika sakrale (kompozime të ndryshme), përhapja e emrit (në trajta të ndryshme), toponimet (me emrin e Shën Jozefit, në vende të ndryshme), ndërtesat sakrale (kisha, bazilika), qendra studimore (nëpër botë që mbajnë emrin e shenjtit), traditat popullore  dhe të devotshmit e veçantë.

Në pjesën pyetje dhe përgjigje, autori provon të sjellë informacione shtesë dhe sqaruese sa i përket figurës së Shën Jozefit, por që ndodh kur e kur edhe të përsëritet. Libri vazhdon me lutje karakteristike që i drejtohen Shën Jozefit dhe me pjesën për të ditur më shumë, gjithnjë për figurën e Shën Jozefit.

Botimit në italisht, përkthyesi Dom Jeton Thaqi, kancelar i Ipeshkvisë, ia ka bashkëngjitur me shumë të drejtë edhe një Shtojcë, në të cilën pasqyron kisha, figura e trupore të kushtuara Shën Jozefit në Kosovë. Ky libër del në dritë në vitin kushtuar Shën Jozefit shpallur nga Papa Françesku. Me Letrën apostolike “Patris corde” – “Me zemrën e Atit”, Papa shpalli vitin kushtuar Shën Jozefit: 8 dhjetor 2020 – 8 dhjetor 2021.

25 janar 2021, 10:22