Kërko

Pamje nga zonat e tërmetit Pamje nga zonat e tërmetit 

Kroaci: lindja e një fëmije, shenjë shprese për viset e dëmtuara

Davidi i vogël, foshnja e parë e 2021-së, e lindur në një qytet të Kroacisë nga më të dëmtuarit nga tërmeti i kohëve të fundit, është burim optimizmi e ngushëllimi. Nga dioqeza e Sisak, ku u dëmtua edhe katedralja e tetë ndërtesa të tjera kishtare, Kisha po i ndihmon me sa mundet njerëzit që humbën gjithçka.

R. SH. - Vatikan

Në orët e para të Viti të Ri 2021, në Kroaci lindi një fëmijë. Një djalë, që u quajt David. Kishin kaluar vetëm pesëmbëdhjetë sekonda pas mesnatës së 1 janarit, kur doli në dritë në spitalin e Sisak, një nga zonat më të dëmtuara nga tërmeti. E ua ktheu buzëqeshjen jo vetëm familjarëve të tij, që humbën gjithçka kishin e tani jetojnë në një kemper, por mbarë popullsisë së tronditur, të lodhur, që e priti Vitin e Ri me lotë në sy për shtatë të  dekurit e më se tridhjetë të plagosurit. Një buzagaz në mes të lotëve! Lindi një djalë, emri i të cilit të kujton menjëherë ngjarjen e Betlehemit! Shpresat e mëdha që lindën, me lindjen e një Djali!

Termeti në Kroaci: afërsia e Papës

Qyteza e Sisakut është vetëm pak kilometra larg Petrinjës, epiqendër e tërmetit: këtu pak e gjë shpëtoi nga tërbimi i lëkundjeve, që dëmtuan edhe katedralen e tetë kisha. E megjithatë, popullsia nuk e humbi besimin në ardhmërinë që, më shumë se në dorë të motit, është në dorë të Zotit. Don Ivan Grbesiç, famullitar i kishës së Vizitacionit, pohon optimizmin e këtij populli besimtar: “E ndjejmë se tani mbarë Kroacia është një gjë e vetme! Një trup i vetëm! Shumë njerëz po arrijnë nga të katër anët vendit për t’u dhënë në një dorë të dëmtuarave, që të mos ndjehen vetëm mbi gërmadha. Kohë të vështira, por edhe kohë kur ndjehemi më shumë se kurrë vëllezër e motra!”.

 

 

02 janar 2021, 11:39