Kërko

Bashkësia e Grandchamp Bashkësia e Grandchamp

Java e lutjes për bashkimin e të krishterëve: ta rivendosim Zotin në qendër të jetës

“Qëndroni në dashurinë time: do të jepni shumë fryte” (Gjn 15,5-9). Kjo është tema e Javës së lutjes për bashkimin e të krishterëve, nga 18 deri më 25 janar. Murgeshat e Grandchamp, realitet ekumenik në Zvicër, që kanë përgatitur doracakun, do t’i përjetojnë këto ditë në një mënyrë krejt të veçantë, pasi janë mbyllur në karantinë. Nga faqja e tyre në Facebook, sigurojnë se do t’i shoqërojnë të krishterët me lutje

R.SH. - Vatikan

Një “ditë e rëndësishme”: kështu e paralajmëroi Papa dje, në përfundim të Engjëllit të Tënzot, fillimin e sotëm të Javës së Lutjes për bashkimin e të krishterëve, duke i ftuar të gjithë të luten që të përmbushet “dëshira e Jezusit: ‘që të gjithë të jenë një gjë e vetme’ (Gjn 17,21). Uniteti, që është gjithnjë superior ndaj konfliktit”.

Këtë vit, tema që do të shoqërojë ditët e kësaj Jave, përfshirë tradicionalisht ndërmjet festës së katedrës së Shën Pjetrit dhe asaj të Kthimit të Shën Palit apostull, është marrë nga Ungjilli sipas Gjonit e është këshilla e Jezu Krishtit për të gjithë ndjekësit e vet: “Qëndroni në dashurinë time: do të jepni shumë fryte”. Kjo javë kremtohet çdo vit nga 18 deri më 25 janar në hemisferën veriore të botës, ndërsa në jug, ku janari është periudhë pushimi, Kishat e kremtojnë në data të tjera, për shembull, në kohën e Rrëshajëve (siç këshillohej nga lëvizja “Feja dhe Rregullat” në vitin 1926), një periudhë po aq simbolike për bashkimin e të krishterëve. Si zakonisht, në Romë, është Papa Françesku ai, që do ta mbyllë Javën në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve, më 25 janar, me kremtimin e Mbrëmësoreve, së bashku me përfaqësuesit e bashkësive të tjera të krishtera.

Rrënjët e lëvizjes ekumenike

Për të kuptuar zanafillën e kësaj Jave, duhet të kthehemi rreth vitit 1740, në Skoci, ku po lindte një lëvizje pentekostale e lidhur me Amerikën e Veriut, që për përtëritjen e fesë, propozoi lutjen për dhe me të gjitha Kishat e krishtera. Predikatari ungjillor Jonathan Edëards ftoi të caktohej një ditë lutje dhe agjërim për unitetin, duke pasur parasysh misionin e përbashkët të Kishave. Pastaj, duhet të bëjmë një hap përpara deri në vitin 1902, për të arritur në datën kur patriarku ekumenik i Konstandinopojës, Joakim III, shkroi Enciklikën patriarkale dhe sinodale “Letra irenike” (Letra paqtore), në të cilën kërkon lutje për bashkimin e besimtarëve në Krishtin. Disa vite më vonë, më 1908, rev. Paul Ëattson themeloi dhe kremtoi për herë të parë në Graymoor (Nju Jork), një “Oktavë Lutjesh për Unitetin”, nga 18 deri më 25 janar, duke shpresuar se do të bëhej traditë.

Dokumentet më të rëndësishme

 Në vitet, që pasuan, ka disa ngjarje, që mund të konsiderohen gurë kilometrikë në udhën e bashkimit të të krishterëve. Ndër to, spikat 1964-a, viti i shënuar nga takimi historik ndërmjet Papës Palit VI dhe Patriarkut Atenagora I, të cilët së bashku, u lutën në Jeruzalem “që të gjithë të jenë një” (Gjn 17,21). Por ai është edhe viti i Dekretit mbi ekumenizmin të Koncilit II të Vatikanit, “Unitatis Redintegratio”, ku theksohet se lutja është shpirti i Lëvizjes Ekumenike dhe inkurajohet kremtimi i Javës së Lutjes. Gjithashtu, duhet kujtuar se prillin e ardhshëm do të festohet 20-vjetori i “Charta Oecumenica”, dokumenti i përbashkët i nënshkruar në Strasburg nga Këshilli i Konferencave Ipeshkvnore Katolike Evropiane dhe nga  Konferenca e Kishave Evropiane, ku bëjnë pjesë Kishat protestante, ortodokse, anglikane dhe vetero-katolike. Në të paraqiten udhëzime për një bashkëpunim më të mirë ndërmjet Kishave të krishtera në Evropë.

Doracakët e Javës së Lutjes

 Që nga viti 1968, doracaku, që ndihmon në lutjen me frymë ekumenike, përgatitet nga Komisioni “Fe e Rregulla” i Këshillit Ekumenik të Kishave dhe nga Këshilli Papnor për Nxitjen e Bashkimit ndërmjet të Krishterëve. Ndërsa, duke filluar nga viti 1975, këto tekste - lexime biblike, komente dhe lutje për çdo ditë të Javës – përgatiten mbi bazën e projektit të një grupi ekumenik, që zgjidhet çdo herë, nga një vend i ndryshëm. Duket qartë ndjeti, në të cilin gjejmë vetë kuptimin e “ekumenizmit”, i cili është “universal”, fjalë, që përkthehet me shprehjen e bukur “toka e banuar”. Doracaku botohet me kërkesën që, kur është e mundur, t’i përshtatet traditës lokale, duke i kushtuar vëmendje të veçantë praktikave liturgjike në kuadrin e tyre shoqëroro-kulturor dhe përmasës ekumenike. Në disa vende, tashmë, ka struktura ekumenike, në gjendje ta vënë në jetë këtë propozim e ato po përhapen gjithnjë e më shumë.

Kalendari i Javës 2021

Gjatë tetë ditëve të Javës 2021 të Lutjes për bashkimin e të krishterëve, ftohemi të meditojmë dhe të lutemi për pikat e ndryshme, që na sugjeron pjesa ungjillore e shën Gjonit, ku flitet për hardhinë e shermendet. Ditën e parë, me temë “Të thirrur nga Zoti”, reflektojmë mbi versetin: “Ju nuk më zgjodhët mua, por unë ju zgjodha ju” (Gjn 15,16a); në të dytën, me temë “Pjekuria shpirtërore”, kemi parasysh fjalët ungjillore: “Banoni në mua sikurse edhe unë në ju” (Gjn 15,4a); në ditën e tretë, me temë “Të formojmë një korp të vetëm”, meditojmë mbi frazën: “Duajeni njëri-tjetrin sikurse unë ju desha ju” (Gjn 15,12b). Në ditën e katërt reflektojmë mbi kuptimin më të thellë të lutjes së përbashkët: “Unë nuk ju thërras më shërbëtorë... . Unë ju quajta miq ”(Gjn 15,15). Në të pestën, lutemi që Fjala e Zotit të na shndërrojë: “Tashmë ju jeni të pastruar me anën e fjalës që ju thashë” (Gjn 15,3). Në ditën e gjashtë, hapësira për temën e mikpritjes së të tjerëve: “Ju caktova të shkoni e të jepni fryt e fryti juaj të qëndrojë” (Gjn 15,16b). Bashkimit gjithnjë e më në rritje ndërmjet të krishterëve do t’i kushtohet vëmendje ditën e shtatë: “Unë jam hardhia, ju jeni shermendet” (Gjn 15,5a), për të përfunduar, në ditën e tetë, me përmasën e pajtimit me gjithësinë e krijuar nga Zoti: “Jua thashë këto, që gëzimi im të jetë në ju e gëzimi juaj të jetë i plotë” (Gjn 15,11).

18 janar 2021, 11:40