Kërko

 Papa Francesco – Udienza Sua Beatitudine Em.ma Card. Louis Raphaël Sako, Patriarca di Babilonia dei Caldei (Iraq), 2020.02.07 Papa Francesco – Udienza Sua Beatitudine Em.ma Card. Louis Raphaël Sako, Patriarca di Babilonia dei Caldei (Iraq), 2020.02.07 

Irak, Sako: nga Papa presim njё mesazh shprese

Patriarku kaldeas, kardinali Louis Raphaël I Sako, pak javë para udhëtimit të Papës Françeskut në Irak, përballet me çështje të ndryshme dhe të dhimbshme që përfshijnë vendin e Gjirit Persik. Iraku, më shumë se katër dekada, nuk ka paqe. Sot kthimi i terrorizmit, tensionet shoqërore dhe pandemia përkeqësojnë edhe më shumë krizën e një vendi që kërkon solidaritet, me shpresë qё jeta e banorëve tё kthehet në njё normalitet tё rregullt.

R.SH. - Vatikan

Në Irak, Shteti i vetëquajtur Islamik është kthyer në mënyrë dramatike në protagonist, duke kryer një seri sulmesh dhe atentatesh, më i rëndi ndodhi javën e kaluar me sulmin e dyfishtë vetëvrasës në Bagdadin qendror duke shkaktuar 32 tё vdekur e më shumë se njëqind të plagosur. Në intervistën tonë, Patriarku i Babilonisë së Kaldeasve, Kardinali Louis Raphaël I Sako, përqendrohet në vuajtjet dhe shpresat e popullit Irakian e të komunitetit të krishterë të vendit, disa javë para udhëtimit të Papës në Irak. Një vizitë kjo, thotë kardinali Sako, nga e cila pritet një mesazh ngushëllimi, shprese dhe paqeje.

Hirësia juaj, frika e terrorizmit është kthyer në Irak. Si po e përjetoni këtë rritje të tensionit që ka ndodhur veçanërisht në ditët e fundit?

Ka njё shqetësim të madh e edhe njё trishtim nga ana e njerëzve. Ata që u vranë janë njerëz të varfër, vërtet të varfër. Fatkeqësisht, këto sulme kanë një qëllim politik, përfaqësojnë një mesazh për qeverinë e edhe për presidentin e ri amerikan. Ndërkohë, qeveria ka marrë masa.

Popullsia, përkundër këtij momenti të vështirë, vazhdon të shpresojë në paqe për Irakun?

Po, ekziston kjo shpresë, njerëzit gjithmonë pyesin se kur do të vijë paqja, mbrojtja e dinjitetit njerëzor, edhe pse për gati 20 vjet kemi qenë në një situatë të ngjashme, aktualisht ka konfuzion, anarki. Prandaj, duhet kohë. Por përpara kohës duhet vullneti i mirë nga ana e politikanëve. Nëse nuk ekziston ky vullnet, nuk do të ketë paqe. Edhe milicët duhet t'i binden qeverisë irakiane e qeveria duhet të detyrojë tërheqjen e armëve. Gjithçka duhet të mbetet në duart e qeverisë e jo të partive politike.

Si po jetojnë të krishterët tani? Kёtyre ditёve keni një iniciativë tre-ditore për agjërim e lutje ...

Kundër nesh deri më tani, qё disa vite tashmë, nuk ka asgjë. Por ne si tё krishterë jemi pjesë e Irakut, nuk jetojmë vetëm, jemi bashkё me të gjithë të tjerët. Dhimbja e tyre është e jona. Kështu që ne jemi vëllezër e motra të një familjeje të madhe të quajtur Irak. Me tre ditët e agjërimit e tё lutjes duam të ripohojmë se të gjithë jemi bijë të Zotit, tё Zotit të mbarë njerëzimit. Prandaj, ky gjest për të shkuar në Ninive në lutje ka një kuptim të dyfishtë: së pari pёr të pohuar se Zoti i shikon të gjithë njerëzit pa dallim; pastaj pёr t’i drejtuar, përmes lutjes, edhe një kërkesë tё fortë Zotit që të na shpëtojë nga pandemia aktuale, sepse  po jetojmë me shumë frikë nga koronavirusi. Prandaj, duhet të lutemi dhe të kërkojmë ndihmën e Zotit që të shpëtojmë dhe t'i jepet fund kësaj pandemie në mbarë botën. Nuk mendojmë vetëm për ne në Irak, por për të gjithë njerëzit kudo në botë. Mesatarja jonë e tё infektuarve, kёtu, nuk është e lartë: çdo ditë regjistrohen diku rreth 500 a 600 infektime nga Covid-19.

Si po vazhdojnë përgatitjet për udhëtimin e Papës në Irak në mars?

Jemi duke përgatitur gjithçka së bashku me qeverinë. Për të gjithë vizita e Papёs është një ngjarje e jashtëzakonshme. Papa do të vijë pёr të thёnё: 'mjaft, mjaft luftëra, mjaft dhunë, kërkojeni paqen, vëllazërimin dhe mbrojtjen e dinjitetit njerëzor'. Sipas mendimit tim, Papa do të na sjellë dy gjëra: ngushëllim dhe shpresë, të cilat deri më tani na janë mohuar. Prandaj, ajo e Papёs është një vizitë, do të thosha, me konotacione mjaft shpirtërore, gjatë së cilës nuk do t'i jepet aq shumë rëndësi folklorit, festës. Do të ishte humbje e vetё kuptimit të vërtetë të kësaj vizite papnore. Ardhja e Papës nё Irak ёshtё një ngjarje shumë e rëndësishme jo vetёm për ne të krishterët, por edhe pёr të gjithë tё tjerët në Irak, tё cilёt e presin këtë takim me Papёn, përfshirë myslimanët, realitetet e tjera fetare dhe udhëheqësit e qeverisë.

26 janar 2021, 12:31