Kërko

Shën Domeniku Guzman Shën Domeniku Guzman

Hapet Viti Jubilar i Shën Domenikut Guzman

Do të vazhdojë deri në festën liturgjike të Dëftimit të Zotit 2022, Viti i veçantë kushtuar themeluesit të Urdhrit të Predikatarëve, në 800-vjetorin e vdekjes së tij. Hapja, në Bolonjë, me një meshë të kremtuar në Bazilikën e Shën Domenikut Guzman.

R.SH. - Vatikan

 “I butë si nëna, i fortë si diamanti”. Dy fjalë diametralisht të kundërta, përdorur nga domenikani Henri-Dominique Lacordaire, për të përshkruar një njeri të dashuruar me Zotin, i cili u kthye në Shtëpinë e Atit Qiellor më 6 gusht 1221 në Bolonjë. Pikërisht gjatë 2021-shit, 800 vite pas vdekjes së Shën Domenikut Guzman, do të kremtohet një Jubile kushtuar atij. Tema, “Në tryezë me Shën Domenikun”, frymëzohet nga tryeza e Mascarella-s, mbi të cilën u pikturua protreti i parë i themeluesit të domenikanëve, pak pas kanonizimit të tij. Tryeza do të rikompozohet, duke bashkuar pjesën kryesore të ruajtur në kishën famullitare të Shën Marisë e të Shën Domenikut në Mascarella, selia e parë bolonjeze e domenikanëve, me fragmentet e ruajtura në kuvendin patriarkal.

Shenjt i bashkimit

“Do të kremtojmë Shën Dominikun - shkruan në një letër Eprori i përgjithshëm i Urdhrit të Predikatarëve, atë Gerard Timoner - jo si shenjt mbi piedestal, por si shenjt, që gëzohet në tryezë me sivëllezërit, bashkuar nga e njëjta thirrje për të predikuar Fjalën e Zotit dhe për të ndarë së bashku ushqimet dhe pijet, dhuratë e Zotit”.

Kremtimet e Vitit Jubilar u hapën javën e kaluar në Bazilikën e Shën Domenikut në Bolonjë të Italisë. Pandemia i ka kufizuar veprimtaritë, por ato më të rëndësishmet mbeten: më 24 maj, festa e “translacionit” të shenjtit, ndërsa më 4 gusht, ditëlindja e shën Domenikut Guzman. Nga 22 deri më 25 shtator do të mbahet një konferencë ndërkombëtare: “Shën Domeniku dhe Bolonja. Zanafilla dhe zhvillimi i Urdhrit të Predikatarëve”, me studiues nga e gjithë bota. Në program, edhe “Rruga e Shën Domenikut”, që përshkon udhëtimin e tij të fundit tokësor, nga Roma në Bolonjë, duke prekur vendet më të rëndësishme të Urdhrit.

09 janar 2021, 08:46