Kërko

Gjermani: lufta e shërbimit sekret kundër Biblave, që hynin në Bashkimin Sovjetik

Një libër i Ann-Kathrin Reichardt përshkruan historinë e luftës së shërbimeve sekrete gjermane, gjatë komunizmit, kundër hyrjes së Biblave fshehurazi në Bashkimin Sovjetik

R.SH. - Vatikan

Historia e Luftës së Ftohtë na ka lënë trashëgim shumë situata, në të cilat ateizmi shtetëror në vendet e Evropës Lindore arriti maja të paimagjinueshme. Një libër i botuar kohët e fundit në Gjermani, paraqet një kapitull të ri në konfliktin Lindje-Perëndim gjatë kohës së komunizmit.

Është fjala për luftën e Stasit dhe të KGB-së, përkatësisht, shërbime sekrete të Republikës Demokratike të Gjermanisë e të Bashkimit Sovjetik, për të parandaluar hyrjen e Biblave fshehurazi në vendet e Traktatit të Varshavës, dërguar nga shoqëri misionare perëndimore. Autorja e librit është Ann-Kathrin Reichardt, punonjëse në arkivin, ku ruhen dokumentet e sigurimit shtetëror të Gjermanisë Lindore. Titulli i punës studimore, bazë e librit, është “Kontrabandistët, informatorët dhe çekistët. Si e luftuan Stasi dhe KGB-ja hyrjen e Biblave fshehurazi në Bashkimin Sovjetik”.

Qëllimi: zhdukja e jetës shpirtërore dhe fetare

Në një intervistë për faqen katolike të internetit “kathoisch.de”, autorja tregon se u ndesh me dokumentet e luftës kundër së ashtuquajturës “kontrabandë e Biblave”, gjatë studimit të “proceseve operative, që u vunë në jetë kur njerëzit vëzhgoheshin dhe spiunoheshin” e kur shumica e librave të konfiskuar digjeshin. “Qëllimi i qeveritarëve sovjetikë ishte të zhduknin jetën shpirtërore dhe fetare. Bashkësitë e krishtera – sidomos, nëse nuk i përkisnin Kishës Ortodokse - kishin etje shpirtërore.

Për t’iu kundërvënë kësaj situate, rreth mesit të viteve ‘60, u krijuan disa shoqëri misionare perëndimore, veçanërisht në Republikën Federale të Gjermanisë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E ndienë për detyrë t’u dërgonin botime të krishtera sivëllezërve të tyre në fe përtej Perdes së Hekurt”. Për regjimet socialiste, shpjegon Reichardt, krishterimi ishte ideologjia e armikut: ndihej terrori i infiltrimit dhe i kundër-potencialit ideologjik të fesë, prandaj, “në shërbimet sekrete të Evropës Lindore, u krijuan departamente të veçanta, të cilat kishin detyrën e vetme për të mbajtur nën mbikëqyrje Kishat dhe bashkësitë fetare”.

12 janar 2021, 09:14