Kërko

Vatican News
Irak, të krishterë nga Mosuli, at e bir Irak, të krishterë nga Mosuli, at e bir 

Françesku në Irak: të diel, lutje në gjithë vendin

Patriarku kalde Louis Raphael Sako shkroi një lutje të veçantë, të cilën Kisha vendase do të nisë ta thotë të diel, më 17 janar, nësa përgatitet të presë Françeskun. Lutja i drejtohet Zotit që t’i zhdukë të gjitha pengesat, të cilat mund t’i ndeshë Papa, nësa përgatitet për këtë shtegtim kaq të dëshiruar.

R. SH. - Vatikan

Trojet ndërmjet dy lumenjve legjendarë presin Papën Françesku e luten  që vizita e tij jo vetëm të realizohet, por edhe të sjellë fryte dialogu e paqeje, falë bashkëpunimit të të gjithëve. Vendi mesdhetar vijon të jetojë i ngarkuar me tensione, posaçërisht në kufirin me Sirinë, por edhe  përbrenda, që nga Nasiria, tek zona e Mosulit, kryeqytet i “shtetit të vetëquajtur islamik” ndërmjet viteve 2014 e 2017. Në këto vise, nga dheu vijojnë të dalin mijëra kufoma civilësh, mbetur nën gërmadha e flakur në gropa të përbashkëta, shenjë e dhunës së pashpirt e të pakufi.

Sako: Papa në Irak, akt guximtar, që jep shpresë

“Prej shumë kohe jetojmë të pushtuar nga frika, por edhe të mbushur me shpresë” - pohoi Patriarku i Babilonisë së Kaldenjve, sapo u njoftua për shtegtimin e Papës, më 7 dhjetorin e kaluar, duke e shikuar si shenjë e rilindjes së vendit, si “Krishtlindje e re”. Sot, me të njëjtën frymë, kardinali Louis Raphael Sako shkroi një lutje dhe kërkoi, përmes kanaleve të Patriarkatit, që besimtarët ta thonë së bashku gjatë meshëve të të gjitha të dielave, duke nisur nga e diela e ardhshme, 17 janar:

“O Zot, Hyji ynë, jepi Papës Françesku shëndet e prosperitet, që të mund ta kryejë me sukses këtë vizitë aq të pritur! Bekoji përpjekjet e tij për ta forcuar dialogun e pajtimin vëllazëror dhe për krijimin e mirëbesimit e forcimin e vlerave të paqes e të dinjitetit njerëzor, posaçërisht për ne, irakianët, dëshmitarë të ngjarjeve tejet të dhimbshme, që na ranë për hise”.

Kështu nis teksti i cili, para se t’ia besojë këtë shtegtim Virgjërës Mari,  lutet  që drita e Hyjit t’i shndrisë të tërë gjatë gjithë kësaj kohe:

“O Zot, Krijuesi ynë, shndriti me dritën tënde zemrat tona, që të dëshirojmë të mirën e paqen e edhe të nisim t’i realizojmë”.

Më pas, lutja për ndërmjetësimin e Virgjërës Mari, Nënës sonë, kujdesit amtar të së cilës i besohet vizita e Papës e edhe trojet, që do të vizitojë..

“…që Zoti t’u japë hirin të jetojnë në bashkimin e plotë kombëtar, duke punuar vëllazërisht për ndërtimin e një ardhmërie më të mirë për vendin tonë e shtetasit e tij”.

Kujtojmë se, që në dhjetorin e kaluar, Patriarku Sako kërkoi të fillonin pergatitjet për ardhjen e Papës, duke theksuar se kjo nuk do të jetë rastësi - udhëtim turistik a shëtitje luksi, por “shtegtim i ngarkuar me mesazhin e ngushëllimit për të gjithë, në një kohë pasigurie”. “Duhet ta shikojmë këtë vizitë - pati nënvizuar rreth një muaj më parë - si rast ndryshimi rrënjësor, në mënyrë që feja e shpresa në ne të bëhen angazhim” .

Viti 2021 i Papës fillon pikërisht me Irakun

Kujtojmë se me Irakun do të fillojnë edhe shtegtimet e Papës për vitin 2021: më 7 dhjetor u dha njoftimi për shtegtimin e Françeskut në trojet irakiane nga 5 deri më 8 mars. Vizitë që Françesku e dëshiron prej kohe, që nga qershori 2019. Një sinjal në këtë drejtim ishte ai i 25 janarit 2010, kur Papa priti, në Vatikan, Barham Salihun, President i Republikës së Irakut. Do të jetë një urë, e cila do të lidhë vitin që po shkon, me atë që po vjen - besojmë - i ngarkuar me shpresa!

15 janar 2021, 14:41