Kërko

Të shpërngulurit e Mozambikut Të shpërngulurit e Mozambikut

Fondacioni papnor ACS: shtohet kërcënimi terrorist në Afrikë

Alarm i Fondacionit papnor “Ndihmë për Kishën që vuan” (ACS) për dhunën, që po prek shumë rajone afrikane, me rrëmbime, sulme dhe dëme nëpër kisha

R.SH. - Vatikan

Fondacioni papnor “Ndihmë për Kishën që vuan”, përmes një note të Sekretarit të tij portugez, Thomas Heine-Geldern, jep alarmin për situatën shqetësuese në vende të ndryshme të Sahelit dhe në veri të Mozambikut, në Cabo Delgado. Ky rajon po sulmohet rëndë nga grupe të armatosura, që pohojnë se i përkasin të ashtuquajturit Shtet Islamik (Daesh), duke dëshmuar kështu se në Afrikë “po shtohet kërcënimi terrorist”.

Një vatër e re terrori

Fondacioni kujton se gjatë gjithë vitit 2020 dhuna në Capo Delgado është shtuar dhe ashpërsuar, pas sulmeve të filluara në tetor 2017, duke arritur në “njerëz të dënuar me kokëprerje, të tjerë të rrëmbyer dhe fshatra e qytete të tëra, rënë në duart e xhihadistëve”. Statistikat flasin për “më se dy mijë të vdekur” e “më se 600 mijë të shpërngulur brenda vendit”.

Në nëntor, Fondacioni papnor vendosi të mbështesë dioqezat e Mozambikut, që strehojnë të shpërngulurit, duke u “përpjekur t’ua lehtësojë vuajtjet dhe traumat” këtyre popullsive, edhe përmes një ndihme emergjence prej 100 mijë eurosh, siç shpjegon Regina Lynch, përgjegjëse e Departamentit të Projekteve Ndërkombëtare të Fondacionit “Ndihmë për Kishën që vuan”. “U dogjën kisha dhe u shkatërruan kuvende, madje, terroristët rrëmbyen edhe dy murgesha. Por, gati askush nuk i kushtoi vëmendje këtij shpërthimi të ri terrori dhe dhune xhihadiste në Afrikë, që po godet të gjithë, të krishterë e myslimanë”, komenton Lynch. “Të shpresojmë – përfundon ajo - se më në fund, do t’i jepet një përgjigje kësaj krize në veri të Mozambikut, në emër të më të varfërve dhe më të braktisurve”.

11 janar 2021, 12:06