Kërko

Vatican News
Toka Shenjte Toka Shenjte 

Filloi shtegtimi virtual i Koordinamentit të Tokës Shenjte

Një nismë on line, e kushtëzuar nga pandemia, në të cilën marrin pjesë 15 ipeshkvij të 11 Konferencave të ndryshme ipeshkvnore, që dëshirojnë t’i flasin botës për kushtet e jetesës së të krishterëve në Tokën Shenjte dhe t’u tregojnë banorëve të këtyre viseve, afërsinë e Kishës.

R. SH. - Vatikan

Nisi dje takimi tradicional i Koordinamentit të Tokës Shenjte (Holy Land Coordination-Hic). Çdo vit, duke nisur nga viti 2000, ipeshkvijtë e SHBA-ve, Bashkimit Evropian, Kanadasë e Afrikës Jugore mblidhen në muajin janar, për të ndihmuar Tokën Shenjte. Nga shkaku i emergjencës së Coronavirusit, për herë të parë shtegtimi i 21-të nuk po të bëhet në vend, por në format virtual. Marrin pjesë 15 ipeshkvij të 11 Konferencave ipeshkvnore që, si zakonisht, po diskutojnë për kushtet në të cilat jetojnë  të krishterët në rajon “për t’u shprehur solidaritetin e Kishës universale si dhe për të tërhequr vëmendjen ndërkombëtare mbi situatën, në rrethanat e ndërlikuara politike vendase.

Mos i harroni  të krishterët e Tokës Shenjte

Grupi kryesohet nga moderatori i Koordinimit, imzot Declan Lang, ipeshkëv i Clifton i cili, në një deklaratë botuar nga kanali i Konferencës ipeshkvnore  të Anglisë e të Uellsit (Cbcew) i siguroi të krishterët e Tokës Shenjte se, pavarësisht nga anulimi i vizitës, nuk janë harruar e se edhe sivjet ipeshkvijtë e Hlc po angazhohen “që ta dëgjojnë me shumë vëmendje përvojën e tyre”, për ta kuptuar më mirë  realitetin vendas, që është bërë edhe më i vështirë për shkak të pandemisë. Për shumë të krishterë të angazhuar në sektorin turistik e në shtegtime, përhapja e Covid-19 shkaktoi dëme të rënda ekonomike, duke krijuar kushte shumë të vështira për një mori familjesh.

Program i pasur

Takimi i parë - lexojmë në kanalin e Cbcevw - nisi me një  sesion kushtuar paraqitjes së një panoramike të përgjithshme të situatës aktuale në Tokën Shenjte dhe të ndikimit të pandemisë mbi jetën e popullsisë. Dje ipeshkvijtë u mblodhën për meshët e së dielës, transmetuar drejtpërdrejt nga famullitë e Patriarkatit latin të Jeruzalemit. Ndërsa sot, 18 janar, u takuan me patriarkun latin të Jeruzalemit, imzot Pierbattista Pizzaballa dhe nuncin apostolik, imzot Leopoldo Girelli. Me këtë rast ripohuan  solidaritetin e Kishës universale me bashkësitë e krishtera të Tokës Shenjte dhe tërhoqën vëmendjen ndërkombëtare mbi kushtet e vështira të jetës së tyre.

Nesër delegatët do të njihen nga afër me gjendjen në Rripin e Gazës e, në veçanti, me mënyrën si po luftohet kundër Covid-19. Do të flasin edhe për një projekt lidhur me krijimin e vendeve të reja të punës si dhe për “Shtëpinë e paqes”, ku strehohen fëmijë me kufizime fizike e mendore. Në qendër të vëmendjes së ipeshkvijve, edhe të rinjtë e Izraelit e të Palestinës     prej këndej, edhe tema e edukimit, së cilës do t’i kushtohet e mërkurja. Në ditën e fundit, 21 janar, parashikohet botimi i komunikatës përfundimtare.

Lutja përfundimtare

Në kanalin e Cbcew, përveç lutjes kushtuar shtegtimit të 21-të, u botuan edhe rezultatet e punës së bërë në takimin vjetor. Pasi të rikthehen në vendet e tyre, ipeshkvijtë janë të thirrur të flasin me qeveritë e tyre, me parlamentarët, ambasadorët izraelitë e palestinezë si dhe me mediat, mbi problemet, që lidhen me jetën  e të krishterëve të Tokës Shenjte.

18 janar 2021, 12:14