Kërko

Vatican News

Dom Jeton Thaçi: Shёn Jozefi shembull pёrvujtёrie e kujdesi pёr tё gjithё

Shën Jozefi, një “thesar”, që Kisha vazhdon ta zbulojë. Pёr kёtё Papa Françesku shpalli ‘Vitin e Shën Jozefit’, një Vit të veçantë. Dom Jeton Thaçi pohon "Viti i Shёn Jozefit na kujton kujdesin pёr Familjen e Shenjtë tё Nazaretit, na kujton edhe rolin e bukurinë e familjes e tё prindërve nё realitetin tonё tё sotёm. Shёn Jozefi ёshtё,pra, ndihmesë e madhe pёr tё gjithё prindërit, pёr tё kuptuar dhe dëshmuar rolin e tyre nё Kishё e shoqëri".

R.SH. - Vatikan

Shën Jozefi, një “thesar”, që Kisha vazhdon ta zbulojë. Pёr kёtё Papa Françesku shpalli ‘Vitin e Shën Jozefit’,  me rastin e 150 -vjetorit tё shpalljes së tij Pajtor  Qiellor i Kishës universale, me Letrën apostolike “Patris corde” – “Me zemrën e Atit”. Si një Vit të veçantë, ‘Viti Shën Jozefit’ filloi mё 8 dhjetorin 2020 e do tё zgjasë deri më 8 dhjetor tё kёtij 2021.

Papa Françesku në Letrën Apostolike “Patris corde” - “Me Zemrën e Atit”, botuar mё 08 dhjetor 2020 e përshkruan, mes tjerash, Shёn Jozefin si “Atë tё dashur, atë në butësi, në bindje, në mirëpritje; atë i guximit krijues, punëtor, gjithnjë në hije. Shën Jozefi, shton Papa Françesku, ёshtё pёr tё gjithё shembulli i njё “burri që kalon pa u vërejtur fare, njeri i pranisë së përditshme, të kujdesshme, të fshehur”. “E, pra, protagonizmi i tij është i pashembullt në historinë e shëlbimit”, ёshtё shembull pёr çdo tё krishterë e pёr historinё tonё njerëzore.

Fakti që Shën Jozefi ishte ati i kujtuar i Krishtit, mund e duhet konsideruar edhe si atë i kujtuar i gjithë të krishterëve, në çdo rrethanë jete - thekson Regjenti i Pendestarisë Apostolike, imzot Nykiel, duke shpjeguar, në intervistën për gazetën vatikanase “L’Oservatorwe Romano”, natyrën e ndjesëve lidhur me këtë Vit të veçantë e duke kujtuar një fragment nga shkrimet e Shën Terezës së Jezusit, doktore e Kishës, tejet e devoçme e Shën Jozefit:

“Zgjodha si ndërmjetësues Shën Jozefin e Lumnueshëm e u mbështeta shumë në Të. Nuk më kujtohet t’i kem kërkuar ndonjë hir e të mos ma ketë nxjerrë nga Zoti, duke më shpëtuar gjithnjë nga rreziqet e shpirtit e të korpit… Përmes Tij Zoti dëshiron të na bëjë të kuptojmë se ashtu si ishte atë, mbi tokë, ashtu mund të jetë edhe në qiell”.

Përmes Shën Jozefit, pra, na duket sikur Zoti vetë na thotё tё gjithёve: “Mos kini frikë! Feja i jep kuptim çdo ngjarjeje njerezore, të gëzuar a të trishtuar”. Prej Shën Jozefit mund të mësojmë ta duam Kishën, t’i duam edhe të varfërit, e tё gjithё njerëzit. Zdrukthëtar i ndershëm, fati i Marisë, Shёn Jozefi na mëson edhe vlerën e dinjitetit dhe gëzimin “që gurron nga zemra, kur ha bukën, fryt i punës së duarve tua”.

Famullitari i Kishës sё Shёn Jozefit, nё fshatin Stubёll tё Karadakut tё Kosovёs, nё dioqezën Prizren-Prishtinë, dom Jeton Thaçi nё mikrofonin e Radio Vatikanit - Vatican News mes tjerash thotё se "pёr ne qe njё lajm i veçantë, një ngjarje e papritur qё na gëzon pamasё. Me anё tё kёtij Viti si Kishё e periferisë ndjehemi, ashtu siç jemi, zemër e Krishtit, këndej qendёr edhe e Kishёs Universale.

Viti i Shёn Jozefit na kujton dashamirësinë, kujdesin e tij pёn Familjen e Shenjtë tё Nazaretit, na kujton, pastaj, edhe rolin e bukurinë e familjes e tё prindërve nё realitetin tonё tё sotёm. Shёn Jozefi ёshtё,pra, ndihmesë e madhe pёr tё gjithё prindërit, pёr tё kuptuar  dhe dëshmuar rolin e tyre nё Kishё e shoqëri".

Po mё tepёr mbi ‘Vitin e Shën Jozefit’, flasim me dom Jeton Thaçin, famullitarin e Kishës sё Shёn Jozefit, nё fshatin Stubёll tё Karadakut, nё dioqezën Prizren-Prishtinë......

Mbi ‘Vitin e Shën Jozefit’, flasim me dom Jeton Thaçin, famullitarin e Kishës sё Shёn Jozefit, nё fshatin Stubёll tё Karadakut, nё dioqezën Prizren-Prishtinë.
13 janar 2021, 12:25