Kërko

Vatican News

Dita Misionare e Fëmijëve: të krijojmë një orkestër vëllazërimi

Kremtohet sot Dita Botërore Misionare e Fëmijëve, promovuar nga Veprat Misionare Papnore (POM). Kësaj radhe, tema është “Të orkestrojmë vëllazërimin”, kuptuar si shprehje simbolike në nota e dashurisë vëllazërore ndërmjet njerëzve. Fëmijëve u është propozuar të jenë dëshmitarë të vëllazërimit, dashur nga Krishti për gjithë njerëzimin.

R.SH. - Vatikan

Kremtohet sot Dita Botërore Misionare e Fëmijëve, promovuar nga Veprat Misionare Papnore (POM). Kjo Ditë festohet pikërisht në solemnitetin e Dëftimit të Zotit për të gjithë popujt e botës, simbolizuar nga Mbretërit Dijetarë, që vijnë t’i japin dhurata Foshnjës Hyjnore. Edhe fëmijët, ashtu si Mbretërit, vihen për udhë pas kometës, që i udhëhoqi drejt Krishtit të sapolindur, duke pasur si detyrë të çojnë tek Shëlbuesi i botës çdo vëlla e motër, bashkëmoshatarë të tyre. Ja përse pikërisht në këtë ditë, ata kremtojnë impenjimin e tyre misionar.

Kësaj radhe, tema e Ditës Misionare të Fëmijëve është “Të orkestrojmë vëllazërimin”, kuptuar si shprehje simbolike në nota e dashurisë vëllazërore ndërmjet njerëzve. Siç shpjegohet në një notë të Veprave Papnore Misionare, fëmijëve u është propozuar të jenë dëshmitarë të vëllazërimit, dashur nga Krishti për gjithë njerëzimin. “Bëhuni dëshmitarët e mi”: kjo është ftesa që Jezusi u drejton dishepujve të vet, pra, edhe gjithë të pagëzuarve, pavarësisht nga mosha. Fëmijët dhe të rinjtë, që marrin pjesë në veprimtari misionare gjatë gjithë vitit, e kanë zemrën të hapur për dashurinë e Zotit, i cili i drejton në ndihmë të të afërmve. Sot, pavarësisht nga pandemia, që i mbyll në shtëpi, fëmijët ftohen të luten dhe të shërbejnë – aty ku është e mundur – për t’i ndihmuar nevojtarët. E, sidomos, të dëshmojnë Krishtin në shtëpi e në shkollë.

Dëshmi, pavarësisht nga pandemia

“Këtë vit, për shkak të pandemisë, në shumë vende nuk mund të kremtohet Dita në nivelin kombëtar, me takimin e zakonshëm ndërmjet fëmijëve dhe të rinjve, por ajo kremtohet në famulli, ose në grupe”, shpjegon motër Roberta Tremarelli, sekretare e përgjithshme e Veprave Papnore të Fëmijëve Misionarë. “Mundësia e përdorimit të rrjeteve shoqërore e zgjeron pjesëmarrjen, kështu që, megjithë vështirësinë e kësaj kohe të shënuar nga pandemia, takojmë më shumë njerëz, pavarësisht se virtualisht”.

E bashkë me fëmijët, marrin pjesë edhe familjet. “Vendi i parë ku fëmijët mund ta dëshmojnë Krishtin është pikërisht familja – vëren murgesha. - Prindërit u japin dëshmi fëmijëve për fenë e tyre e, njëkohësisht, fëmijët dhe të rinjtë u dëshmojnë impenjimin për të tjerët, për ata, që nuk bëjnë pjesë në familje e, madje, as në lagje e as në vendin e tyre. Gjatë një takimi dixhital në Zoom me fëmijë, adoleshentë, animatorë dhe drejtues dioqezanë, - tregon motër Tremarelli - një djalë më pyeti: ‘Lutemi çdo ditë për fëmijët e gjithë botës, por si mund të ofrojmë një fli për ta dhe të mbledhim sende materiale?’ Natyrisht, ky djalë kishte parasysh pamundësinë për t’u takuar, për shkak të koronavirusit, por më bëri përshtypje, pasi dëshmoi se këta fëmijë e të rinj shqetësohen vërtet për bashkëmoshatarët”.

Nëntëshja e Krishtlindjes

Për nëntë ditë me radhë, para Krishtlindjes, fëmijët e të rinjtë misionarë u lutën në familje e në grupe për gjithë botën. Në Nëntëshen e Krishtlindjes, në të pesë kontinentet, ata e konceptuan çdo ditë si një notë muzikore, që shtohej në pentagram, duke bërë të dëgjohej një zë më shumë, i cili bashkë me vëllezërit e tjerë në gjithë botën, falënderon Zotin, thur këngë lavdi e shprese për të ardhmen. Deshën kështu të ndihen pjesë e një orkestre të madhe, që u bie veglave së bashku. Që këtej, tema “Të orkestrojmë vëllazërimin”. Fakti që gjithë fëmijët e botës janë vëllezër, u pa si një këngë e përshtatur për orkestrën e përbashkët, ku secili, edhe pse i bie një vegle të ndryshme, kontribuon që tingujt e së njëjtës muzikë të përhapen nëpër botë. E kjo muzikë është dëshmia për Krishtin, përmes impenjimit në favor të vëllezërve. Është koncerti më i bukur në botë, sepse dirigjenti i kësaj orkestre është vetë Jezu Krishti. Është harmonia e humanitetit të përtërirë nga Zoti, shprehur nga të gjithë fëmijët e të rinjtë, kur e kuptojnë se Hyji i do me ëmbëlsinë e atit.

06 janar 2021, 08:58