Kërko

Vatican News

Dita e Arsimimit: e drejtë për gjithë fëmijët

24 janar: OKB-ja dhe Unesco ia kushtojnë këtë ditë sensibilizimit të qeverive dhe të popujve mbi çështjen e mundësisë për arsimim të fëmijëve, si mënyrë për të dalë nga varfëria. Por akoma shumë të vegjëlve u mohohet kjo e drejtë. E gjendja është keqësuar, për shkak të pandemisë Covid-19. Me salezianët, bëjmë një rrotullim rreth botës, duke u ndalur në Indi

R.SH. - Vatikan

Rreth 382 milion nga 720 milion fëmijë të moshës shkollore nuk kanë mundësi të arsimohen, duke humbur kështu të drejtën për kulturë, por edhe atë për të luajtur së bashku dhe për veprimtari sportive. E këtë vit, gjendja është keqësuar edhe më tej, për shkak të emergjencës shëndetësore. Shifrat përmbahen në raportin e fundit të OKB-së, që shqyrton gjendjen në kohën e pandemisë Covid-19, e cila mund të rrisë numrin e fëmijëve pa shkollë me mbi 72 milion.

Në fakt, mbyllja e shkollës në 180 vende ka lënë 1.6 miliard studentë në shtëpi. Shumë shtete kanë organizuar studimin në distancë, por më se gjysma e fëmijëve dhe e të rinjve në gjithë botën janë jashtë këtij programi, për shkak të vështirësive të ndryshme si lidhja me internet, ose mungesa e kompiuterave. Kjo është më e dukshme në vende si Afrika, Amerika Latine dhe Azia Jugore. Nga ana tjetër, shkolla është vend i sigurt për fëmijët, që tani mund të bien viktima të punës së detyruar, martesave dhe shtatzanive në moshë të vogël, si edhe dhunës shtëpiake.

Veprimtaria e Misioneve të Dom Boskos në Indi

Në këto vende veprojnë salezianët me Misionet e tyre të Dom Boskos. Në mënyrë të veçantë, në Indi, - vendi i tretë në botë më i prekur nga koronavirusi – ku 445 milion të mitur ndjekin shkolla të të gjitha niveleve, salezianët drejtojnë rreth 500 shkolla. Por, për shkak të pandemisë, ato ​​u mbyllën, me pasoja serioze për fëmijët dhe të rinjtë, siç shpjegon për Vatican News, atë Vijaya Bhaskar Reddy Thathireddy, kreu i inspektorisë saleziane të Hyderabad-it, në jug të vendit.

“Dëshironim gjithsesi t’i ndihmonim fëmijët të vazhdojnë studimet – pohon ai. - Në fillim nuk kishim shumë mjete dhe vërtet, nuk dinim si t’ia bënim. Mësimi në distancë ishte i mundur vetëm për fëmijët që jetojnë në qytet, sepse ata kanë lidhje në internet, por janë vetëm një pjesë e vogël. Sfida më e madhe ishte të ndihmonim të gjithë nxënësit që vijnë nga fshatrat, të cilët përbëjnë mbi 95% të numrit të përgjithshëm. Shpesh, ata janë nga familje shumë të varfra, që sigurisht nuk kanë internet, ose mjete teknologjike, si tablet a kompiuter”.

Nuk duhen lënë vetëm nxënësit dhe mësuesit

Një nga zgjidhjet u propozua nga rrjeti i gjerë i vullnetarëve, që bashkëpunojnë me salesianët. “Dërguam disa vullnetarë në ato fshatra - tregon atë Thathireddy - për t’u çuar këtyre fëmijëve dhe familjeve të tyre, jo vetëm libra, por edhe sapunë për të dezinfektuar duart dhe maska për t’u mbrojtur nga virusi. Gjithashtu, disa mësues të fshatrave përreth mundën të bënin mësim në natyrë me këta fëmijë, duke i ndihmuar kështu të mos mbeten shumë mbrapa”.

Në fakt, shumë nga studentët, që ndjekin shkollat ​​saleziane, shpesh, i vijojnë ato falë bursave. “Tjetër nyjë për t’u zgjidhur ishte ndihma për mësuesit dhe personelin e shkollave”, nënvizon meshtari salezian, duke shpjeguar se “me mbylljen në shtëpi, shumë prej tyre mund të mbeteshin pa pagë, pa qenë në gjendje të mbanin familjet. Edhe ne nuk vjelim më tarifat e studentëve, me të cilat u paguajmë rrogat, megjithatë jemi përpjekur t’i ndihmojmë, duke u siguruar ushqimin e nevojshëm për familjet”. Të gjithë shpresojnë që gjendja, dalëngadalë, do të normalizohet. “Në këtë çast - shpjegon meshtari - pavarësisht nga bllokimi, njerëzit kanë rifilluar punën. Fatkeqësisht, shumë prej tyre nuk kanë alternativë. Megjithatë, duhet thënë se numri i të infektuarve me koronavirus po zvogëlohet gradualisht, prandaj, qeveria ka vendosur t’i rihapë shkollat. Më pas, do të mbërrijnë edhe vaksinat. Kështu që edhe ne do të kthehemi në jetën normale”.

25 janar 2021, 14:14