Kërko

Migrantë në Bosnjë-Hercegovinë Migrantë në Bosnjë-Hercegovinë

Bosnjë-Hercegovinë: Karitasi jep alarmin për gjendjen dramatike të migrantëve

Rreth 3 mijë migrantë luftojnë me acarin në Bosnjë-Hercegovinë, ku kushtet e strehimit të tyre nëpër kampe janë tejet të këqija. Denoncimi vjen nga Karitasi Ndërkombëtar dhe ai vendor.

R.SH. - Vatikan

Karitasi Ndërkombëtar jep alarmin për gjendjen e rreth 3 mijë migrantëve, që po luftojnë me acarin në Bosnjë-Hercegovinë. Pa strehim të përshtatshëm, pas djegjes së kampit të Lipës, pa rroba të ngrohta, ushqim e ndihmë mjekësore, janë vazhdimisht në mëshirën e temperaturave të ulta të këtyre ditëve. Shumë migrantë nga vende si Pakistani, Afganistani, Iraku, Irani dhe Siria detyrohen të flenë në ndërtesa të vjetra, automjete të braktisura, në pyje, ose në rrugë.

Nuk është fjala vetëm t’u sigurohet atyre ushqim, veshje, mjete higjienike dhe strehim të përshtatshëm, por t’u respektohet dinjiteti dhe të drejtat, vëren Karitasi. Vullnetarët e Karitasit vendor denoncojnë se migrantët kanë shenja të qarta vuajtjesh fizike e mendore, pasi nuk u jepet mundësia të marrin veten, pas udhëtimit të tyre të gjatë për të arritur në vendet e tjera të Evropës.

8 mijë migrantë në gjithë Bosnjë-Hercegovinën

Fatkeqësisht, në udhën e tyre drejt një jete më të mirë, ata kthehen mbrapsht në kufirin me Kroacinë, me Slloveninë, ose me Italinë, duke u detyruar të përballen sërish me të ftohtin e Bosnjë-Hercegovinës, ku përveç hipotermisë, vuajnë edhe nga sëmundje të tjera si zgjebja e infeksione të ndryshme të lëkurës, si edhe gjendje gripale e vështirësi në frymëmarrje, për shkak të mungesës së kanalizimeve në kampin e rindërtuar me tenda nga ushtria, pas djegjes, por pa strukturat e plota e të nevojshme për jetesën, për të cilat do të duhen të paktën 3 muaj. Ndërkaq, migrantët paraqesin edhe stres post-traumatik, ankth dhe pagjumësi. Strehimi i përshtatshëm nuk është i lehtë, duke pasur parasysh se në të gjithë Bosnjën, aktualisht, ndodhen rreth 8 mijë migrantë.

Karitasi në ndihmë të migrantëve

Në rajon, ka disa kampe që, shpesh, nuk kanë ujë të rrjedhshëm, energji elektrike dhe ngrohje, pasi autoritetet lokale i kanë ndërtuar në zona larg nga qendra e qytetit të Bihaćit. Që nga viti 2018, Karitasi ka ndihmuar rreth 60 mijë migrantë e, edhe tani, po mundohet të aktivizojë shërbime për rreth 1500 personat, që kanë mbetur nëpër tenda në kampin e Lipës. Që tani, funksionon një lavanderi për t’u ofruar atyre së paku çarçafë e veshje të pastra.

Në këtë kuadër dramatik, vullnetarëve u duhet të përballen edhe me rrezikun e infeksionit nga koronavirusi, për shkak se mingrantët jetojnë në hapësira tejet të vogla, me kushte higjienike tejet të këqia. Nga ana tjetër, Karitasi vë në dukje se të ardhurit e rinj ndeshen me popullsinë lokale, që e sheh praninë e tyre si kërcënim për gjendjen aktuale, në të cilën një e pesta e popullsisë jeton në kushte varfërie të skajshme.

22 janar 2021, 11:01