Kërko

340 milion të krishterë persekutohen. Open Doors: Covid i shton diskriminimet

Dramatik, raporti vjetor i Ojq-së “Open Doors” mbi persekutimet e të krishterëve. Në vitin 2020, besimtarët e vrarë për shkak të fesë janë 4761 dhe kufizimet e lirisë fetare janë shtuar

R.SH. - Vatikan

Mbi 340 milion të krishterë në botë, rreth një e teta, vuajnë nga persekutimi dhe diskriminimi, fenomen, që për 309 milion nga këta besimtarë kalon në “ekstrem” në 50 vende. Kjo është gjendja dramatike e denoncuar nga raporti vjetor World Watch List 2021, hartuar nga ojq-ja “Open Doors” (Dyer të Hapura) e paraqitur në Romë.

Kuadri i krijuar nga pandemia

Puna e ekipit të studiuesve të “Open Doors”, që mbikëqyrin gjendjen e të krishterëve në 100 kombe të botës, vë në dukje përkeqësimin e situatave të përjetuara si nga individët, ashtu edhe nga bashkësitë, për shkak të pandemisë së koronavirusit. Covid-19 përdoret si pretekst për kufizime të reja të lirisë fetare dhe për favorizimin e veprimeve të grupeve fondamentaliste e kriminale.

Në rritje, vrasjet e të krishterëve

Dokumenti shpreh qartë faktin se “persekutimi antikristian po rritet” vazhdimisht. Vitin e kaluar, janë vrarë 4761 të krishterë (mesatarisht 13 çdo ditë) me një rritje prej 60%. Nigeria mbetet vendi i masakrave më të përgjakshme, së bashku me kombet e tjera të Afrikës sub-sahariane; ndër 10 vendet me më shumë vrasje të krishterësh gjejmë pikërisht, tetë kombe afrikane. Të krishterët e arrestuar pa gjyq dhe të burgosur arrijnë shifrën 4277 vetë (11 në ditë) dhe të krishterët e rrëmbyer janë 1710 (mesatarisht 4 në ditë). Ndërkaq, ulet numri i mbylljeve, sulmeve dhe shkatërrimeve të kishave dhe ndërtesave të lidhura me to si shkolla, spitale, etj.. Vitin e kaluar shifra arriti në 4488 raste, më pak në krahasim me 9488 rastet e vitit të mëparshëm.

Situatat e persekutimit

Numri i vendeve, në të cilat persekutimi mund të quhet “i skajshëm” rritet në 12. Pesë pozicionet e para të kësaj liste të trishtë mbeten të pandryshuara. Koreja e Veriut mbetet në vendin e parë që nga viti 2002, e ndjekur nga Afganistani, Somalia, Libia dhe Pakistani, ku persekutimi manifestohet përmes dhunës antikristiane, por edhe përmes diskriminimit në fusha të ndryshme të jetës së përditshme, për shkak të ligjit kundër blasfemisë. Në këtë kornizë, pandemia e ka keqësuar më tej gjendjen e miliona të krishterëve në botë. “Duket qartë – theksohet në Raport - se pandemia është bërë katalizator i shtypjes dhe i shfrytëzimit, qëndrime, shpesh të fshehura”. Raporti 2021 thekson rastin e Indisë, ku më shumë se 100.000 të krishterë kanë kërkuar ndihmë nga partnerët e “Open Doors”. 80% e tyre u deklaruan studiuesve të World Watch List se janë dëbuar nga qendrat e shpërndarjes së ndihmave.

Rritet dhuna shtëpiake

Studimi i “Open Doors” vë në pah edhe një aspekt të veçantë, atë të dhunës në familje, e cila, për shkak të izolimit, është rritur në mënyrë eksponenciale. “Shumë të kthyer në fenë e krishterë jetojnë të mbyllur në shtëpi me ata, që janë kundër besimit të tyre të ri - sqaron Raporti. - Për miliona të krishterë, puna, arsimi dhe angazhimet e tjera të jashtme u sigurojnë ikjen nga kontrolli dhe/ose agresioni shtëpiak, si edhe nga abuzimi fizik, emocional, verbal dhe psikologjik”.

14 janar 2021, 10:09